Presidenti amerikan Biden dhe kreu i shtetit ukrainas Zelensky (foto arkivi, AFP) Presidenti amerikan Biden dhe kreu i shtetit ukrainas Zelensky (foto arkivi, AFP) 

Lufta në Ukrainë: udhë e lirë armëve amerikane në trojet ruse

Sipas Kievit, autorizimi amerikan për të përdorur armë perëndimore kundër objektivave në Rusi, në kushte të caktuara, do të "forcojë ndjeshëm" mbrojtjen kundër sulmeve ruse veçanërisht në rajonin e Kharkiv. Takimi i sotëm i Presidentit Zelensky dhe Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Austin.

R. SH. - Vatikan

Në Ukrainë, forcat ruse vazhdojnë të përparojnë e, në disa rajone të vendit, ridëgjohet alarmi antiajror. Gjermania autorizon ukrainasit të mbrohen nga sulmet  që vijnë nga zonat "menjëherë përtej kufirit me armët e dorëzuara", duke përfshirë edhe ato gjermane.

Uashingtoni miraton përdorimin e armëve amerikane përtej kufirit ukrainas

Presidenti ukrainas Zelensky i shpreh mirënjohjen presidentit amerikan Biden. Sipas burimeve të ndryshme të shtypit, presidenti amerikan autorizoi Ukrainën të përdorë në trojet ruse armë amerikane, por vetëm në zonën afër kufirit dhe jo në distancë të gjatë. Ukraina pohoi se drita jeshile e SHBA për të përdorur armët perëndimore kundër objektivave në Rusi, në kushte të caktuara, do të "forconte ndjeshëm" mbrojtjen e saj, veçanërisht në rajonin e Kharkiv, ku ushtria e Moskës vijon sulmin e nisur në fillim të majit.

Takimi Zelensky-Austin

Burimet e shtypit njoftojnë se presidenti ukrainas Zelensky do të takohet me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin, pas Dialogut Shangri-La në Singapor. Në qendër të bisedimeve, përdorimi i armëve amerikane përtej zonës së Kharkiv nga ukrainasit, për të goditur objektivat ruse. Në takim “çështja do të jetë në krye të rendit të ditës”.

Nato mbështet Ukrainën

Një deputet ukrainas, Oleksiy Goncharenko, njoftoi se grupi i parë i instruktorëve francezë është për udhë drejt Ukrainës. Në fund të takimit të ministrave të jashtëm të 32 vendeve të Aleancës Atlantike në Pragë, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg përsëriti mbështetjen e tij për Kievin. Në samitin e NATO-s në korrik, në Uashington - shtoi Stoltenberg - duhet të ketë hapa të reja përpara në procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Aleancën Atlantike.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev i kërkoi Perëndimit të mos bëjë "gabimin fatal", duke llogaritur se Moska nuk do të përdorë armë bërthamore taktike nëse shkallëzimi i vazhdueshëm i konfliktit në Ukrainë çon në përplasje me NATO-n.

Paketa e re e ndihmës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi se ka arritur një marrëveshje me qeverinë ukrainase, duke hapur kështu derën për pagesën e 2.2 miliardë dollarëve shtesë. Marrëveshja tani duhet të marrë dritën jeshile nga bordi i drejtorëve të Fondit, i cili pritet të mblidhet "në javët e ardhshme". Ky është kësti i katërt i programit të ndihmës prej 15.6 miliardë dollarësh, i miratuar në mars 2023, si pjesë e një plani të madh ndihme ndërkombëtare për një shumë totale prej 122 miliardë dollarësh.

01 qershor 2024, 16:39