Maoz e Aziz: G7 të ndjekë shembullin e Papës dhe ta ndryshojë Lindjen e Mesme
R.SH. / Vatikan
Udhëheqësit e G7 duhet të kenë guximin të punojnë për paqen, si Papa Françesku, dhe si ai, të bëjnë ndryshime. Maoz Inon dhe Aziz Abu Sarah, izraelit i pari, palestinez i dyti, sapo zbritën nga skena në Veronë, 18 majin e kaluar, ku qenë protagonistë të përqafimit me Papën, gjatë takimit "Drejtësia e Paqja do të puthen", nisën ta ndjejnë veten dëshmitarë të mesazhit të vëllazërisë së Papës dhe të dy, në këtë rol, i drejtohen pjesëmarrësve në samitin e 50-të të Grupit të të Shtatëve, i cili hapet nesër në Borgo Egnazia të Pulias, në Itali,ku të premten, 14 qershor, do të marrë pjesë edhe Françesku, për të thënë se nuk mund të flasim për zgjidhje në Lindjen e Mesme, nëse nuk ftojmë protagonistët: pacifistët e njërës dhe tjetrës palë!
Puna e vështirë e paqes
Papa - shpjegon Azizi - vëllai i të cilit u vra në një burg izraelit, "na tregoi se projekti i së ardhmes është të përqafojmë njëri-tjetrin dhe se gjithçka varet nga ajo që vendosim të bëjmë: të mbështesim ose frikën dhe urrejtjen, ose paqen”.
Të përqafuar nga Papa para syve të mbarë botës, bëjnë tani thirrje kundër "luftës, hakmarrjes, vrasjeve, konflikteve dhe për paqen". Mirëpritja jonë nga Françesku - vazhdon Azizi - "i bëri të na dëgjonin njerëzit, të cilët përndryshe nuk do ta kishin bërë kurrë një gjë të tillë". Papa Françesku është zëri i paqes në botë, ndaj Azizi dhe Maoz duan të jenë "ambasadorët e tij". Punë e vështirë, pranon palestinezi, pasi “paqja është çështje veprimi, të përveshësh mëngët dhe të punosh. E njëjta gjë vlen edhe për shpresën, nuk mund të thuash: shpresoj në paqen dhe pres të rikthehet”. Duhet të punojmë që të ndodhë kjo, por “është shumë e vështirë përballë zemërimit të njerëzve pa shpresë". Azizi dhe Maoz janë të bindur se “paqja është e mundur”, dhe se rruga, “të udhëhequr nga Papa Françesku”, mund të gjendet.
Paqja i tremb, ata që duan luftë
“Unë nuk dua të jem lajmëtar, as i Papës Françesku, as i paqes - pohon Maoz – por u zgjodha nga prindërit e mi, kur u vranë nga Hamasi, më 7 tetorin e kaluar. Ata më zgjodhën, me arsimimin e tyre më dhanë mjetet dhe forcën për të siguruar që flijimi i tyre të ishte për paqen dhe jo për luftën”.
E ky është mandati që të dy, Azizi dhe Maoz, morën përsipër: "Të tregojnë se ka shpresë dhe të ritheksojnë se mund të jetojnë së bashku", të veprojnë në mënyrë që flijimi i tyre të jetë për paqen, jo për luftën!
Ky çast historik është, për të dy, themelor që të mund të flasin për paqen: çast në të cilin humben jetët dhe shtëpitë, çast në të cilin fiton shkatërrimi. Azizi dhe Maoz janë tmerr i vërtetë për ekstremistët, sepse përfaqësojnë "një rrugë alternative", e edhe sepse - pohon Azizi - "asgjë nuk i tremb ata që duan luftë, si dy njerëz nga të dyja palët që bashkohen dhe thonë se duan paqen për t'u treguar të gjithëve se nuk ka rrugë tjetër, veç asaj të vëllazërisë”.
Të shpëtosh jetë nga lumi, në det
Mendimet e të dyve shkojnë tek fëmijët, tek ata që janë viktima, tek ata që duhet të edukohen për të respektuar jetën. “Shpresa jonë - pohon Azizi - është se duke parë se ne, që i humbëm familjarët, flasim kundër hakmarrjes, edhe njerëzit e tjerë do të fillojnë ta bëjnë këtë”. Për Maoz, është themelore "të mos jesh skllav i së kaluarës, por të përvijosh një të ardhme të re", e cila mund të mbrojë jetë, mund të shohë marrëveshje të arritur, ndoshta sot, ndoshta në dekada, që do të varet nga ata të cilët, ashtu si Azizi dhe Maozi, nga ana tjetër, do të arrijnë të bëhen simbol i rrugës së vetme të mundshme, asaj të paqëtimit. Të dyja palët e dinë se po zgjodhën rrugën e hakmarrjes, disa mund të duken "heronj", por ky nuk është lloji i heroizmit që kërkojnë të dy miqtë. Heroizëm është të ndalosh luftën dhe vrasjet, e ky duhet të jetë i vetmi argument në qendër të vëmendjes për të pranishmit në G7, përfundojnë Aziz dhe Maoz, domethënë “si të shpëtojnë mbi një milion njerëz nga lumi në det".
Kujtojmë se "Nga lumi në det" është një slogan i përdorur nga disa palestinezë për të kujtuar se ata nuk do të pranojnë asnjë kompromis me Izraelin. I gjithë rajoni do të bëhet Palestinë, Izraeli do të shkatërrohet dhe ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që duhet bërë për ta arritur këtë fitore”.