Përurohet në Romë Parku Kosova

Në përkim me 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, u përura sot paradite, në orën 10.00, Parku Kosova në Fshatin Olimpik të kryeqytetit italian, nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, zonja Lendita Haxhitasim dhe nga përgjegjësi për kulturën në komunën e Romës, Miguel Gotor, në praninë e autoriteteve të tjera dhe të miqve e dashamirëve të Kosovës: shqiptarë, italianë, arbëreshë. "Parku të jetë vend takimi e marrëdhëniesh më të ngushta me Italinë", nënvizoi ambasadorja

R.SH. – Vatikan

         Jo vetëm Sheshi Shqipëria me Skënderbeun, që u kujton banorëve të kryeqytetit të Italisë bëmat e atij populli të vogël fqinjë, i cili ndali otomanët, për 25 vite me radhë, në portat e Evropës. Që sot, Roma ka edhe një park kushtuar Kosovës, vendit ku jeton gjysma e popullsisë shqiptare. Përurimi i tij u bë paradite, në orën 10.00, nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, zonja Lendita Haxhitasim dhe nga përgjegjësi për kulturën në komunën e Romës, Miguel Gotor, në praninë e autoriteteve të tjera dhe të miqve e dashamirëve të Kosovës: shqiptarë, italianë, arbëreshë.

Ambasadorja, zonja Lendita Haxhitasim, gjatë himnit të flamurit të Kosovës
Ambasadorja, zonja Lendita Haxhitasim, gjatë himnit të flamurit të Kosovës

         “Në Itali jetojnë e punojnë 38 mijë kosovarë – vërejti gjatë fjalës përshëndetëse, zonja Haxhitasim. – Jo të gjithë kanë pasur mundësinë të vijnë sot këtu, por shumë më kanë shkruar, duke falënderuar komunën e Romës për këtë dhuratë”. Në fund të mandatit të saj aktual, si ambasadore e Kosovës në Itali, zonja Haxhitasim uroi:

Dëgjo zonjën Haxhitasim...

Dëgjo zonjën Haxhitasim...

Përurimi i Parkut Kosova në Romë
Përurimi i Parkut Kosova në Romë

         Përurimi i sotëm përkoi bukur edhe me 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, vënë në dukje nga ambasadorja, e cila, së bashku me përgjegjësin për kulturën të komunës së Romës vunë një targë në pemën e kamfurit, mbjellë në park, me këtë rast. Zonja Haxhitasim nënvizoi dëshirën që kjo pemë të jetë simbol bashkëpunimi më të ngushtë me Italinë, e cila prej kohësh është e pranishme në Kosovë me misionin e ndihmën e saj, siç dëshmonte prania e shumë ushtarakëve në përurim.

Përurimi i Parkut Kosova përkoi me 25-vjetorin e çlirimit
Përurimi i Parkut Kosova përkoi me 25-vjetorin e çlirimit

         Parku Kosova përurohet menjëherë pas sheshit kushtuar këtij vendi në Frascineto të Kalabrisë, në prill të këtij viti. Ambasadorja theksoi kontibutin e shquar të arbëreshëve, disa prej të cilëve të pranishëm sot në parkun, i cili është pjesë e të ashtuquajturit Fshat Olimpik, ndërtuar me rastin e Olimpiadës së Romës, në vitin 1960. Zonja Haxhitasim nuk harroi të përmendë pjesëmarrjen e Kosovës në Olimpiada e fitoren e medaljeve të arta nga tri vajza kosovare. Tashmë parku do të mund të mbledhë kosovarë e shqiptarë gjatë festave, ose përkujtimeve të ndryshme, ashtu siç ndodh edhe me Sheshin Albania, sidomos për festën kombëtare të Shqipërisë. Vendi është e njerëzit nuk do të mungojnë, në mos tjetër, për t’u treguar italianëve pjesë nga kultura e tyre, siç ndodhi sot me vallet kosovare, kërcyer nga një grup folkloristik, me entuziazmin që i përfshiu gjithë të pranishmit, të cilët nuk mund të mos bashkoheshin me valltaret e të kërcenin bashkë me to, duke filluar nga vetë ambasadorja. Ose edhe me ekspozimin e fotografive, që u tregojnë njerëzve si është vendi ku jetojnë 2 milion shqiptarë.

Në valle me të pranishmit
Në valle me të pranishmit

 

Në valle me të pranishmit

27 qershor 2024, 11:09