Shenjtorët e javës 30 qershor - 7 korrik
R.SH. / Vatikan
E diel 30 qershor, Kisha katolike romake kremton të dielën 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendari liturgjik të Kishës. Gjithnjë sot më 30 qershor kalendari përkujton edhe martirët e parë të Kishës romake.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku (Mk 5, 21-43) na tregon për dy mrekulli. Jezusi e shëron gruan që vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe ringjall vajzën e kryetarit të singagogës. Kështu Ai na dëftohet se është Zotëria i jetës e se fati i jetës sonë njerëzore është pikërisht në dorën e tij Hyjnore. Të dy mrekullitë kanë një element të përbashkët që vlen edhe për ne: fenë në Krishtin Zot.
Të hënën më 1 korrik, kalendari përkujton shenjtorët Juli e Aroni, martirë të Britanisë dhe shën Aronin, vëllain e Moisiut, kryeprift i Besëlidhjes së Vjetër.
Të martën më 2 korrik, kalendari përkujton shenjtorët martirë Procesi, Martiniani e Eutiki, dishepuj të Jezu Krishtit.
Të mërkurën më 3 korrik, kalendari përkujton shën Tomën Apostull e shën Leonin II, papë. Kujtojmë se shën Tomës Apostull iu dhurua falas feja nga Krishti i Gjallë, që fitoi kështu mbi të gjitha dyshimet e mbi mosbesimet e nxënësit të vet. Me shën Tomën apostull e si ai, jemi të ftuar edhe ne të shpallim: “Zoti im e Hyji im!” me bindjen se kush beson në Zotin, do të shohë shëlbimin e tij.
Të enjten më 4 korrik kalendari përkujton shën Izabelën e Portugalisë.
Të premten më 5 korrik kalendari përkujton shën Antonin Maria Zakaria, rregulltar. Shën Antoni Zakaria themelues i rregulltarëve Barnabitë dhe i Motrave Engjëllore të shën Palit. Kujtojmë edhe se këtë ditë Bijtë dhe bijat e shëna Antonin Maria Zakarisë do të jenë në festë. Prej kohe me mision në Shqipëri e në Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre në Shkodër, Fushë Milot, Prizren e Prishtinë.
Të shtunën më 6 korrik kalendari përkujton shën Maria Goretit, virgjër e martire, Papët e Shenjtë të Romës që pushojnë në paqe në Bazilikën e Vatikanit e të lumen Maria Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave misionare të shën Pjetrit Klaver.
Të dielën që vjen më 7 korrik Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 14-të gjatë vitit, e gjithnjë më 7 korrik kalendari përkujton edhe shën Astin ipeshkëv të Durrësit e shën Benediktin XI, papë.