Kërko

Proiezione risultati delle elezioni europee

Zgjedhjet evropiane, përparon e djathta, por reziston 'shumica e Ursulës'

Në orën 23.00 të ditës së djeshme u mbyllën qendrat e votimit për zgjedhjen e përfaqësuesve të rinj të Parlamentit Europian, ndërsa numërimi i fletëve të votimit vijon ende. Aktualisht të dhënat konfirmojnë avancimin e së djathtës, e cila, megjithatë, nuk fiton shumicën e mandateve

R.SH. – Vatikan

Përfundoi mbrëmë në orën 23.00, në 27 vendet e Bashkimit Evropian, votimi për zgjedhjen e 720 anëtarëve të Parlamentit të Strasburgut. Në pritje të të dhënave përfundimtare zyrtare, sipas rezultateve të para, rikonfirmohet mazhoranca, që mbështet Ursula Von der Leyen në postin e presidentes së Komisionit Europian, e përbërë nga Partia Popullore, Socialistët dhe Renew, që mbajnë 404 vende.

Tërmet politik në Francë dhe Belgjikë

Rezultati, që shkaktoi më shumë bujë ishte padyshim ai francez, ku kreu i shtetit Emmanuel Macron e humbi konsensusin popullor në favor të partisë së të djathtës ekstreme të Marine Le Pen. Vetë presidenti u detyrua të shpallë zgjedhje të parakohshme, që do të mbahen më 30 qershor. “Jemi gati të udhëheqim vendin, nëse francezët kanë besim tek ne”, nisi sfidën Marine Le Pen, tri herë kandidate për Elysée. Tërmet politik edhe në Belgjikë ku dha dorëheqjen kryeministri i së majtës qendrore Alexander de Croo. Në Belgjikë është zakon që kryeministri të japë dorëheqjen pas çdo konsultimi, në mënyrë që mbreti të fillojë bisedimet për formimin e një qeverie të re. De Croo do të luajë rolin e kryeministrit të përkohshëm gjatë ditëve në vijim.

Italia, Spanja dhe Gjermania

Në Itali, partia e kryeministres Giorgia Meloni konfirmon epërsinë e saj, por Partia Demokratike shkurton distancën me të. Në Gjermani, partia më e votuar ishte Bashkimi Kristian Demokrat i së djathtës qendrore, i ndjekur nga e djathta ekstreme, e dyta me mbështetje popullore më të madhe. Ndërkaq, koalicioni i kancelarit Olaf Scholz humbi një përqindje të konsiderueshme votash. Në Spanjë, kryeministri socialist Pedro Sanchez mbeti pas vetëm me 2 vende në krahasim me Partinë Popullore të së djathtës qendrore. E djathta ekstreme Vox mori 9,6 për qind të votave dhe gjashtë vende në Parlament: tre më shumë se në vitin 2019, por në linjë me rezultatet e saj të fundit.

Evropa duhet të kujdeset për nevojat e qytetarëve të saj

Struktura aktuale politike e institucioneve evropiane nuk shpërfytyrohet nga këto zgjedhje të fundit. Duhet parë nëse formacionet politike do të konfirmojnë aleancat aktuale apo do të formojnë koalicione të reja. Rezultati francez është pasojë i një situate të ndërlikuar, por tregon qartë se lidershipit të Macron i ka ardhur fundi. Votimi u bë pas një fushate elektorale, që në shumë vende, u përqendrua në problemet e brendshme dhe jo në ato komunitare, gjë që dëshmon distancimin ndërmjet bazës dhe krerëve politikë. Me dy luftëra në portat e Bashkimit Evropian, popujt shpresojnë që ai të gjejë forcën për të folur me një zë të vetëm.

10 qershor 2024, 13:07