Kërko

Presidentët Joe Biden dhe Donald Trump gjatë debatitit televiziv në CNN Presidentët Joe Biden dhe Donald Trump gjatë debatitit televiziv në CNN  (AFP or licensors)

Zgjedhjet në SHBA 2024, Trump kundër Biden në debatin e parë televiziv

Ballë për ballë, dy kandidatët për presidencën e Shteteve të Bashkuara, gjatë natës në studiot e transmetueses amerikane Cnn. Inflacioni, imigrimi, Lindja e Mesme dhe Ukriana, ndër temat kryesore të debatit të rregullt, por edhe të tensionuar

R. SH. - Vatikan

Zëri i dobët dhe i ngjirur për shkak të të ftohtit iu kthjellua gjatë mbrëmjes, por ajo që i shqetësoi demokratët ishte pikërisht gjendja fizike e kandidatit të tyre. Pas debatit të parë televiziv ndërmjet Joe Biden dhe Donald Trump, transmetuar gjatë natës nga transmetuesi amerikan CNN, mediat dhe analistët amerikanë janë pothuajse një mendjeje: rezultati i debatit nuk është në favor të presidentit në largim. E tani Partia Demokratike ka frikë se pamja e Biden mund ta fundosë edhe atë në votime. Trump, përkundrazi, tregon energjinë dhe agresivitetin e tij të zakonshëm, duke e vijuar diskutimin në rrugët më të pëlqyeshme për të, shpesh edhe duke i anashkaluar temat për të cilat është pyetur.

Debati

Në studion e CNN, situata duket menjëherë e ftohtë: të dy nuk i shtrëngojnë duart dhe pothuajse nuk e shikojnë njëri-tjetrin në fytyrë, pohim ky, i distancës ideologjike që i ndan dhe i polarizimit të një vendi, që vihet re gjithnjë e më shumë. Biden pretendon se e ka nxjerrë kombin nga "kaosi" i lënë nga paraardhësi i tij, duke shtuar vendet e punës. Trump përgjigjet se gjatë administratës së tij ekonomia po funksiononte mirë, derisa erdhi Covid, një problem që, sipas kandidatit republikan, nuk u “pranua kurrë se e kishte zgjidhur”. Përsa i përket sigurimeve shoqërore, ekonomisë, energjisë dhe mjedisit, të dyja palët pretendojnë se kanë bërë më shumë se tjetra, megjithatë koha e televizionit është shumë e ngushtë dhe nuk i lejon të thellohen në thellësi të ngjarjeve.

Përplasjet për politikën e jashtme

Toni është veçanërisht i nxehtë në lidhje me politikën e jashtme. “Me mua, Putini nuk do të kishte pushtuar Ukrainën” - akuzon Trump - sipas të cilit lufta e Moskës me Kievin shpërtheu për shkak se Biden, me tërheqjen e SHBA-ve nga Afganistani - i përcaktuar nga Trump si “dita më e turpshme në historinë tonë” - tregoi dobësi dhe e shtyu Putinin të "mendonte se mund ta merrte Ukrainën". E menjëhershme përgjigja e Biden, që e quajti presidentin rus "kriminel lufte" i cili "nuk do të ndalet në Ukrainë" sepse "dëshiron të rivendosë perandorinë sovjetike". Kandidati republikan shpreh edhe mendimin e tij për luftën ndërmjet Izraelit dhe Palestinës: “Me mua as Hamasi nuk do ta kishte sulmuar Izraelin, sepse Irani ishte në gjunjë nën presidencën time”.

Reagimet pas konfrontimit

Pas monitorimit të mediave sociale dhe reagimeve të atyre të cilët ndoqën debatin, New York Times shkroi se "ndjekësit e presidentit u çmendën nga zëri i tij, që dridhej; nga përgjigjet e tij të zvarritura dhe nga konfuzioni i   dukshëm gjatë disa përgjigjeve”. “Shqetësimet për moshën e Biden". lexojmë - që kishin zier për muaj të tërë, shpërthyen në vëmendjen e publikut edhe para përfundimit të debatit".

"Ishte një fillim i ngadaltë - pranoi Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris - kjo është e qartë për të gjithë, por përfundoi fuqishëm". Vetë Biden, i pyetur nga disa gazetarë në periferi të diskutimit, deklaroi:

"Unë mendoj se e bëmë mirë".

28 qershor 2024, 14:34