Me 11 korrik kalendari kujton Shën Benediktin, Abat, pajtor qiellor i Evropës
R. SH. - Vatikan
Me 11 korrik kalendari kishtar përkujton festën e Shën Benediktit, themelues i Urdhrit benediktin e abat, Pajtor Qiellor i Evropës, Unifikuesi i parë i vërtetë i kontinentit tonë të vjetër, që na mëson lutja dhe puna janë “mjetet” e ndërtimit të qytetërimit të dashurisë. Trashëgimia e tij, një shpirt për të ndërtuar Evropën.
Lajmëtar i paqes, realizues i bashkimit, mjeshtër i qytetërimit dhe mbi të gjitha kumtues i fesë së Krishtit dhe themelues i jetës monastike në Perëndim: këta janë titujt e duhur të lartësimit të Shën Benediktit Abat.
Benedikti, Shenjti i Norçies jetoi e veproi në shekullin VI, në një periudhë, kur Evropa ishte e zhytur në krizë të thellë vlerash e institucionesh, pas shembjes së Perandorisë romake, dyndjes së popujve të rinj e zvetënimit të zakoneve. Në të vërtetë, vepra e Shenjtit e, në mënyrë të posaçme, Regulla e tij, mbartnin një tharm të mirëfilltë shpirtëror, që ia ndryshoi krejtësisht faqen Evropës, shumë përtej kufijve të Atdheut e të kohës së tij, duke ngjallur një bashkim të ri shpirtëror e kulturor, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga Perandoria romake. Krijoi bashkimin e fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e Kontinentit tё Vjetёr. Pikërisht kështu lindi realiteti, që ne e quajmë Evropë.
Shën Benedikti i Norçes, atë e ligjvënës i monakizmit perëndimor, shpallur nga Pali VI më 1964 Mbrojtës qiellor i Evropës, për kontributin e tij të mrekullueshëm në formimin e qytetërimit evropian. … siç tregon Shën Gregori i Madh, “ishte njeri shenjt… shenjt me emër e me hir. Shkroi për murgjërit një rregull … pasyrë e magjisterit, që e mishëronte në vetveten e tij: e kjo, sepse Shenjti nuk mund të jepte absolutisht mësime, të cilat nuk përkonin me mënyrën si jetonte”. "Që për njerëzit e sotëm të jetë i pacenueshëm e i shenjtë ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli për ta realizuar në praktikë, e shpallëm Shën Benediktin - Pajtor të Evropës".
Me këto fjalë Papa Shën Pali VI, më 24 tetor 1964, nga Montecasino, ku kishte shkuar për të shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht në vendin ku Shën Benedikti kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar në të gjithë Kontinentin Evropian mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit perëndimor, si Pajtor qiellor i Evropës.
Ndonëse dita e vdekjes së Shenjtit është 21 marsi, festa e Pajtorit të Evropës kremtohet sot, sepse marsi përkon me Kreshmët. Gjithsesi murgjërit Benediktinë ia kremtojnë të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë të shpalljes Pajtor i Evropës. Në letrën apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24 tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte edhe arsyet e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm nga hierarkia dhe nga mbarë populli i Zotit, pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën Benediktin si "Ati i Evropës" dhe vetë Gjoni XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër këtë ditë.
Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës Montini:
"Ndërsa shembej Perandoria Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur zhyteshin në errësirë, ndërsa të tjerat jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore, ai, me impenjimin e tij të palodhshëm, bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin e krishterë ndërmjet popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda e deri në rrafshinat e Polonisë".
Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit, siguruan qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar atë unitet shpirtëror evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme, ndjenë se po formonin një popull të vetëm. Popullin e Zotit.
Me libër, pastaj, domethënë me kulturë, vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire morën emër e forcë, shpëtoi me guxim providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte të zhdukej, traditën klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive të ardhshme, kultin e diturisë.
Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin e arave e nisma të tjera me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia doli mbanesh t'i shndërronte tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara; e duke bashkuar lutjen me punën materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora" - "lutu e puno!" fisnikëroi e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm.
Shën Benedikti ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinentit të Vjetër. Me urdhrin e tij murgar, “Patriarku i monakizmit perëndimor” ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj Shën Benedikti përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj.
Pra, Shën Benedikti, Abat mbetet tepër aktual. Si dikur me dritën e qytetërimit të krishterë ia mbërriti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë dhuratën e paqes, kështu edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që Evropa të zhvillohet, të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt që i përkasin e që dëshirojnë të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me pendë e parmendë!
Duhet të mësojmë vazhdimisht nga Patriarku i madh i monakizmit perëndimor, Shën Benedikti për t’i dhënë Zotit vendin që i përket nё jetёn tonё, vendin e parë, duke ia kushtuar Atij, me uratët e mëngjesit e të mbrëmjes, lutjet e veprat, vuajtjet e gëzimet e ditës. T'i lutem Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qendërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona/