Kërko

Më 12 korrik kalendari kujton shën Gjon Gualbertin, abat

Deshi të kthehej tek mësimet e Apostujve, të Etërve të Kishës, të Shën Bazilit e të Shën Benediktit, duke vënë theksin posaçërisht mbi varfërinë dhe punën e dorës dhe duke u impenjuar drejtpërdrejtë në veprimtarinë për reformimin e kuvendeve. I pastroi të gjitha kuvendet nga simoniakët, duke i zëvendësuar me njerëz të rinj, të mbrujtur me shpirtin e Valombrozës, murgjër që nuk predikonin me fjalë boshe, por me forcën e shembullit.

R.SH. - Vatikan

Më 12 korrik kalendari kishtar përkujton shën Gjon Gualbertin, abat. 

Pak të dhëna kemi për jetën e Shën Gjon Gualbertit, për të cilin po tregojmë së pari një nga ngjarjet kulmore, atë që i shkaktoi kthesën e jashtëzakonshme. Një të Premte të Madhe Gjon Visdomini hasi në një vend të vetmuar, jashtë Portës së Shën Miniatit, vrasësin e të vëllait. Pa menduar dy herë, nxori shpatën nga milli.  Kundërshtari, i pa armatosur, ra në gjunjë dhe hapi krahët, duke kërkuar, në heshtje, mëshirë. Hija e trupit të tij, me krahët hapur, në trajtë kryqi, e preku thellë Gjonin. E ngriti nga toka vrasësin dhe e mori ngrykë.

Që nga ky çast vendosi të largohej nga zhurma dhe inatet e botës e të ndiqte jetën rregulltare. Por nuk e pati aspak të lehtë të gjente paqen e ëndërruar. Hyri ndër Benediktinë. Murg në Shën Miniato, si pati paditur abatin e vet dhe ipeshkvin i Firencës për simoní, siç quhet në gjuhën kishtare tregtimi i gjërave që mbahen si të shenjta, iku nga kuvendi në kërkim të një strehe të re murgare.  Kështu arriti në Valombroza, një vend i shkretë ndër Apenine ku, me ndihmën e Abatit Setimo, themeloi, së bashku me murgjër të tjerë të ikur nga Shën Miniato, një bashkësi që vijoi të zgjerohej edhe me laikë të ardhur nga Firenca. Si pranoi detyrën e abatit, Gjoni themeloi Urdhrin e Valombrozanëve.

Deshi të kthehej tek mësimet e Apostujve, të Etërve të Kishës, të Shën Bazilit e të Shën Benediktit, duke vënë theksin posaçërisht mbi varfërinë dhe punën e dorës dhe duke u impenjuar drejtpërdrejtë në veprimtarinë për reformimin e kuvendeve. I pastroi të gjitha kuvendet nga simoniakët, duke i zëvendësuar me njerëz të rinj, të mbrujtur me shpirtin e Valombrozës, murgjër që nuk predikonin me fjalë boshe, por me forcën e shembullit. Gjithë jetën e mbrojti Kishën nga barinjtë e rremë. Më 1073, pak para se të vdiste, u la murgjërve të tij këtë porosi: “Kur dëshironi të zgjidhni një abat, zgjidhni ndërmjet fretërve më të thjeshtin, më të ëmblin, më të përulurin”.

12 korrik 2024, 10:22