San Bonaventura da Bagnoregio, Vittore Crivelli San Bonaventura da Bagnoregio, Vittore Crivelli

Më 15 korrik kalendari kishtar kujton Shën Bonaventurën

Françeskan, mistik, filozof dhe teolog. Shën Bonaventura hyri në Urdhrin e Fretërve të Vegjël, ku u bë ministër (erpor) i përgjithshëm për 17 vjet, duke lënë gjurmë të thella deri në atë pikë sa u përcaktua si themeluesi i dytë, pas “Varfaniakut” të Asizit. Bonaventura dha mësim në Paris dhe formoi një shkollë me reputacion të lartë rreth tij. Ishte një mik i ngushtë i Shën Tomës Aquinas

R.SH. - Vatikan

Më 15 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Bonaventurën, teolog e mistik i madh françeskan, i cili na mëson se vetëm në dashurinë e pamasë të Zotit ne gjejmë kuptimin e asaj që bëjmë. Ajo që zemra kërkon gjatë gjithë jetës është një dashuri e pafund në të cilën të gjejë kuptimin e shqetësimit të saj, pohonte shën Bonaventura.

Shkencat njerëzore që kërkojnë të vërtetën mund të arrijnë kulmin në njohjen e Zotit, në zemrën e të cilit qëndron kuptimi përfundimtar i çdo gjëje. Kështu pohonte Shën Bonaventura, françeskan, ipeshkëv dhe doktor i Kishës, i konsideruar thuajse "themeluesi i dytë" i urdhrit të Fretërve të Vegjël, na mëson të shikojmë botën e dijes.

Bonaventura lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhrit Françeskan e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike.

Teologjia e tij

Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në Parajsë.

Shën Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca - pa dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”.  U shpreh kështu me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është dhuratë që vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit. Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin e tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore.

Të mësojnë nga Shën Bonaventura

Shën Bonaventura, qe dishepull i denjë i Shën Françeskut, reliket e tij ruhen në qytetin Banjorexho, ku ekziston edhe një Qendër Studimesh Bonaventuriane, ndërsa personalitetin e këtij shenjti të madh mund ta përshkruajmë me tri cilësi kryesor.  Shën Bonaventura ishte, në radhë të parë, një kërkues i palodhur i Zotit, që kur kryente studimet në Paris, e vazhdoi të jetë deri në vdekje.

Në shkrimet e tij tregon rrugën që duhet përshkuar: “Meqë Zoti është lart – shkruan Bonaventuar – është e nevojshme që mendja të lartohet deri te Ai me të gjitha forcat”. Shën Bonaventura qe edhe këngëtar serafik i krijimit, që pas gjurmëve të Shën Françeskut, mësoi si “të lëvdojë Zotin në të gjitha krijesat e përmes tyre". Sa do të ishte e nevojshme, që edhe sot të rizbulohej bukuria e vlera e universit të krijuar, në dritën e mirësisë e të bukurive hyjnore!. Shën Bonaventura, së treti, ishte lajmëtar i shpresës. Kush shpreson – pohon ai - “duhet të ngrejë kryet, duke i drejtuar lart mendimet, drejt lartësive të qenies sonë, pra, drejt Zotit. Prandaj duket të mësojnë nga ky Doktor i madh i Kishës për të thelluar dijen e rrënjosur në Krishtin.

Ta bëjmë tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton domethënien e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin e Hyjit". Këtë na kujton teologu i madh françeskan në ditën e festës së tij.  E Kisha ndjek idealin e Shën Bonaventurës të pastërtisë, të varfërisë e të bindjes, duke harmonizuar fenë me kulturën.

15 korrik 2024, 11:45