Kërko

Beata Vergine Maria del Carmelo Beata Vergine Maria del Carmelo

Më 16 korrik Kisha kremton Zojën së Bekuar të Karmelit

Kjo festë u themelua në shekullin XII, kur disa shtegtarë perëndimorë u vendosën në Malin e Karmelit, mbi qytetin e sotëm Haifa, ku pati banuar Elia profet (krh Mbr. 18,19-46). Këtu ngritën një manastir, në të cilin nisën të jetojnë si vetmitarë, duke parë në Marinë, rojtaren shembullore të Fjalës së Zotit e modelin e jetës kundruese.

R.SH. - Vatikan

Festa e së Lumes Mari Virgjër e Malit Karmelqë kremtohet më 16 korrik, ndër shqiptarë njihet si festa e Zojës Karmë. Ky emërtim me të cilin Zoja e Bekuar nderohet në Kishë lidhet me Malin Karmel në Palestinë. Emri Karmel vjen nga aramaishtja e do të thotë “kopsht”. Është një kopsht natyror i Galilesë, shumë i gjelbër me pyetje të bukura e një lartësi prej 546 metrash. Është “kopshti” i shpirtit që Elia profet kishte zgjedhur për vete, si vend e simbol i lartësimit drejt Zotit dhe beteje kundër meshtarëve të zotit Baal.

Mbi historinë e lashtë të rrëfyer nga Bibla në Librin e Dytë të Mbretërve, zhytën rrënjët shpirtërore të Malit Karmel. Mbi këtë mal në shekullin e XII pas Krishtit, ekzistonte një grup murgjish oshënarë e asketë, që i kushtoheshin lutjes e meditimit të Fjalës së Zotit, të cilëve Patriku latin i Jerusalemit në vitin 1208 u dha rregulloren e jetës murgare, e cila më vonë u miratua nga Papa Onorio II më 1226.

Prania e murgjve oshënarë mbi Malin Karmel, siç përmendem, lidhet me traditën e përshpirtërisë që ka zanafillën e vet në shekullin e IX para Krishtit, në epokën e Profetit Elia dhe Elizeut si dhe të “bijve të profetëve”. Në mënyrë të posaçme përshpirtëria e nderimi ndaj Zojës së Bekuar mbi Malin Karmel, kultivuar nga murgjit oshënarët e mistik të Karmelit dhe nga ata e përhapur, lidhet me vegimin e resë së vogël që Elia profet, pati në atë vend, si shenjë paralajmëruese të reve që do të sjellnin shiun kaq të dëshiruar e të frytshëm, pas tri vjet thatësie.

Ja si e përshkruan Libri i Parë i Mbretërve: “Elia u ngjit në majë të Karmelit, u ul për tokë dhe fshehu fytyrën ndërmjet gjunjëve, e i tha djaloshit të vet “ngjitu lart e shiko drejt detit”. Ky u ngjit, e hodhi shikimin e tha : “asgjë nuk hetoj”. Përsëri i tha: “kthehu shtatë herë!”. Të shtatën herë djaloshi tha: “Ja, një re e vogël, pothuaj sa dora e njeriut, po ngjitet nga deti”. Atëherë Elia i tha: “Ngjitu e thuaj Akabit: Mbërthe e zbrit që të mos zërë shiu!” Menjëherë u terratis qielli e prej resh ra një shi i rëndë. Dora e Zotit ishte mbi Elinë..( I Mbret 18,44).

Kjo re që solli shiun shpëtimprurës në kohën e Elisë profet, ishte simboli i Marisë që solli Jezusin e pritur dhe Shpëtimtarin e dëshiruar me gjithë shpirt. Karmeli nuk ishte larg nga Nazareti, ku Maria pati jetuar, duke e ruajtur në zemër, kujtimet e jetës të Jezusit, Djalit të saj Hyjnor, duke i mishëruar kujtimet në vepra e virtyte ungjillore: në lutje të pareshtur e të flaktë, në shërbim, përvujtëri, pastërti e flijim. 

Pas miratimit nga Papa Onori II dhe braktisjes përfundimtare të Palestinës, Urdhri murgar i oshënarëve, mes shumë vështirësish e problemeve, u përhap në vende të ndryshme të Evropës. I rrethuar me vështirësi e ngushtica të mëdha, më 1245 eprori i përgjithshëm i Urdhrin të Karmelitanëve, anglezi Simon Stock iu drejtua me dashuri e besim të posaçëm Virgjërës Mari, duke kërkuar ndihmë.

E Zoja e Bekuar, sipas të dhënave, më 16 korrik të vitin 1251 iu shfaq eprorit të përgjithshëm të murgjve të malit Karmel, Simon Stock. Gjatë këtij vegimi, Zoja e Bekuar kishte në dorë “skapolarin” e urdhrit të Karmelit e duka ia ofruar shenjtit i tha: ”Për ty e për të gjithë Karmelitanët ky do të jetë një privilegj: kushdo që do të vdes me këtë, nuk do ta vuajë dënimin e amshuar”.

Ishte premtimi i dhuratës së veçantë, ai i ruajtjes përfundimtare nga dënimi i përjetshëm, për ata që e bartnin skapolarin e Karmelit. Këtij premtimi të Virgjërës Mari, u shtua edhe një tjetër, i njohur me emrin “privilegji i së shtunës”, që do të thotë premtimi i shpëtimit nga ferri, për të gjithë ata besimtarë që do ta bartnin skapolarin dhe lirimi nga dënimi i Purgatorit, të shtunën pas vdekjes. Ky privilegj u shpall zyrtarisht nga Papa Gjoni XXII në Avinjon më 1322. E qenë pikërisht Papët ata, të cilët gjatë historisë, me ndërhyrjet e tyre vlerësuan privilegjin e hireve të Zotit, që besimtarët fitojnë përmes ndërmjetësimit të Zojës Karmelit, vlerë që askush nuk mund ta nënvlerësojë. 

Papa i nderit Benedikti XVI, pikërisht në Lë Kombë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot më 16 korrik të vitit 2006 me tjerash nënvizoi vlerën e kundrimit që buron nga feja e pastër në Zotin dhe përmendi figurat e njohura që ka dhënë Urdhri i Karmelitanëve e Karmelitaneve: “Më i famshmi ndër këta njerëz të Zotit qe profeti i madh Elia, që në shekullin e IX para Krishtit, mbrojti trimërisht e në mënyrë të paepur nga kontaminimi ( ndotja e infektimi) i kultit të idhujve, pastërtinë e fesë në një Zot të vetëm e të vërtetë. Pikërisht duke u frymëzuar nga figura e Elisë, lindi Urdhri kundrues i ‘Karmelitanëve’, familja rregulltare që pati ndër anëtarët e vet shenjtorë të mëdhenj si Tereza e Aviles, Gjoni i Kryqit, Tereza e Jezusit Fëmijë e Tereza Benedikta e Kryqit ( në shekull, Edith Stein)”.

E duke nënvizuar lidhjen e ngushtë të Karmelitanëve me Zojën e Bekuar, Papa Benedikti XVI theksoi: “Karmelitanët e kanë përhapur në popullin e krishterë devocionin ndaj së Lumes Mari Virgjëra të Malit Karmel, duke e paraqitur atë si shembull të lutjes, të kundrimit e të përkushtimit ndaj Hyjit. Maria, vërtet, e para e në mënyrë të pakalueshme, pati besuar e përjetuar se Jezusi, Fjala e Zotit e mishëruar, është kulmi, maja e takimit të njeriut me Zotin. Duke e pranuar plotësisht Fjalën, që i ‘mbërrini hareshëm nga bjeshka e shenjtë’, jetoi përgjithmonë, në shpirt e në trup, me Zotin”.

Kujtojmë se Skapolari, ashtu si Rruzarja, është një ndër devocionet më të lashta e më universale të Kishës. Vet Zoja e Bekuar në Fatima të Portugalisë, gjatë vegimit përfundimtar të 13 tetorit të vitit 1917, u paraqit si Zoja e Karmelit me ‘Skapolarin’ e Shenjtë. E motra Luçie, vegimtarja e Zojës Bekuar në Fatima, pati thënë: “Veshja, shenjë dalluese e bijve të Marisë, është shenjë e mbrojtjes së Nënës Qiellore, e Nënës së Mëshirshme, është qortim e thirrje për një jetë të denjë e të shenjtë, në përkim me mësimet Ungjillore. Zoja e Bekuar donë që të gjithë ta bartin Skapolarin e Karmelit”, që të gjithë njerëzit të shpëtohen në Jezu Krishtin Shëlbues.

E tani dy fjalë mbi domethënien e "skapolarit". Fjala skapolar vjen nga latinishtja e do të thotë shpatull. Skapolari është pjesë e petkut të disa Urdhrave rregulltarë e është një lloj shalli: përbëhet nga dy copa stofi, që varen përgjatë trupit, para e mbrapa, me një të çarë në mes për të përshkuar kokën. Ngjyra e tyre, varet nga urdhri fetar të cilit i përket rregulltari. Për Karmelitanët, skapolari është ngjyrë gështenjë. 

Ky petk ka edhe formën e vet simbolike: dy copa të vogla stofi, lidhur me dy shirita, gjithnjë me ngjyrën e urdhrit, që varen në qafë poshtë veshjeve të zakonshme. Petku ka një rëndësi të madhe në lindje. Është shenjë e ndryshimit të gjendjes, të kushteve shoqërore e fetare. Atëherë kuptohet pse Virgjëra Mari, sipas traditës karmelitane - ia pati dhënë skapolarin Shën Simon Stokut, duke i premtuar se kush do ta vishte këtë petk, do të kishte ndihmën e saj në jetë e në vdekje. Por, të mos harrojmë, të vishesh me skapolarin do të thotë të vishesh me Krishtin, të hysh, siç thotë Shën Pali Apostull, në gjallërinë e jetës së Krishtit, në stilin marian të përshpirtërisë, të kesh një zemër, e cila kundron misterin e Krishtit.

O Virgjër Mari, Nënë e Mbretëreshë e Karmelit, po të bekoj e po të falënderoj, sepse më do e më deshe në të gjitha ditët e jetës sime; e më veshe me Skapolarin tënd, me petkun, që më siguron gjithnjë se jam nën mbrojtjen Tënde!

O Zëmbaku i Bardhë i Karmelit! Më merr për dore në shtigjet e përpjeta të jetës. Do të ec mbas teje gjithnjë, si shërbëtor besnik! Ma jep, të lutem, çdo hir, që më ndihmon ta jetoj thirrjen time të krishterë e jetën time, ashtu si e do Zoti.

Sidomos, o Virgjëra Mari, ndërmjetëso për mua pranë Atit qiellor, që të jem gjithnjë plot me mëshirën e Tij, për ta përfunduar një ditë shtegtimin e jetës tokësore, në  viset e jetës së pasosur! Ku më pret Ti, Nënë e Mbretëreshë e Karmelit!

16 korrik 2024, 09:04