Më 17 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Aleksin, lypës
R. SH. - Vatikan
Shën Aleksi, lypës, shembull kur varfëria bëhet një mënyrë jetese. Të kërkosh lëmoshë për lypësit, duke u dhënë gjithçka që u është marrë atyre që kanë nevojë: zgjedhja të jesh me të varfërit dhe të jetosh për të varfërit është një përvojë që ndryshon thellë, aq shumë sa që do t'i bëjë të panjohshëm edhe para prindërve. Ky është me pak fjalë mesazhi i Shën Aleksit, lypës i shekullit të pestë.
Jeta e Shën Aleksit mund të përshkruhet me pak fjalë. E pasurojnë vetëm tregimet e kohëve të lashta me tingëllim legjendar. Për figurën e Aleksit kanë ardhur deri në kohët tona tri variante gojëdhënash: gojëdhëna siriake, gojëdhëna greke e gojëdhëna latine, që e kanë shndërruar jetën e thjeshtë e të përvujtë të një njeriu të Zotit, lypës e asket i shekullit V, në një tregim të pasur me ngjarje, që shërbeu më pas si burim për krijimin e shumë veprave artistike të frymëzuara, duke filluar nga bazilika romake me emrin e tij, tek shtatoret, afresket, veprat teatrore e poetike, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.
Gojëdhëna siriake, që u krijua e para, rreth viteve 450 - 475, dorëshkrimi më i lashtë i së cilës i takon shekullit V, flet për një djalosh të ri, banues në Romën e Re, dmth në Kostandinopojë, i cili natën e dasmës së tij iku papritmas, hipi mbi një anije e u zhduk përtej horizonteve, drejt viseve të largëta e të panjohura të Lindjes. Si arriti në Edesë, qytet i Sirisë së sotme, i cili në shekullin IV-V ishte qendër e njohur e kulturës së krishterë, (kujtojmë shkollën e Edesës) e kështu edhe vijoi deri në shekullin VII kur kaloi në duart e myslimanëve, nisi të lypte lëmoshë bashkë me lypës të tjerë, që shtrinin duart te dera e Kishës.
Atë që mblidhte gjatë ditës, në mbrëmje ua shpërndante të varfërve të qytetit. Jeta e tij ishte aq asketike, sa nisi të thirrej “Njeriu i Zotit”. Njerëzit që i ati i kishte çuar disa herë në Edesë për ta gjetur e për ta kthyer në shtëpi, si djalin plangprishës, nuk munden të njihnin, në figurën e lypsarit të rreckosur, trashëgimtarin e njërës nga familjet më të pasura të botës lindore.
Pas 17 vjet jete të tillë, kur e ndjeu se po i afrohej vdekja, lypësi i ri i tregoi se kush ishte sakrestanit të Kishës, i cili të nesërmën e gjeti të vdekur në prag, aty ku ulej çdo ditë për të lypur.
Sakrestani vrapoi tek ipeshkvi i Rabulës (412-435) dhe iu lut të mos e varroste në varrin e përbashkët të të varfërve trupin e këtij njeriu të jashtzakonshëm. Gojëdhëna tregon se ipeshkvi shkoi menjëherë në varrezë për ta marrë trupin e lypësit, por gjet vetëm leckat. Trupi ishte zhdukur.
Sipas gojëdhënës latine, Aleksi, pasi braktisi familjen e vet patrice në Romë, i kalonte netët nën një shkallë në kodrën romake të Aventinit. Në këtë vend, në vitin 1217, Papa Onori III i kushtoi një Kishë, e cila edhe sot e kësaj dite zgjidhet në mënyrë të posaçme për të kremtuar martesa. Varianti greko–romak tregon për kthimin e tij në Romë ( kthim që paraqitet ndër piktuart e Kishës së poshtme pranë bazilikës së Shën Klementit). Këtu Aleksi jetoi deri në vdekje si lypsar e nuk mundi ta njihte askush.
Qe Papa Inoçenci ai që u tregoi prindërve ku ndodhej i biri. E ata vrapuan ta takonin, por e gjetën në fill të mortjes. E pikërisht kjo skenë pasqyrohet më shumë se të gjitha të tjerat ndër artet figurative e jo më pak, në letërsi. E gjithnjë sipas gojëdhënës, bazilika me emrin tij s’është tjetër, veçse Kisha ku Aleksi do të martohej e ku ruhet edhe një fragment i madh i shkallës nën të cilën vendosi të jetonte, larg rehatisë së shtëpisë patrice, pranë atyre që kishin nevojë për shembull ungjillor!