Kërko

Beato Alfons Tracki, sacerdote e martire in Albania Beato Alfons Tracki, sacerdote e martire in Albania

Më 18 korrik kalendari kujton të Lumin dom Alfons Trackin, martir

I Lumi dom Alfons Tracki u burgos, pësoi torturat më çnjerëzore nga regjimi komunist, por kurrë nuk e humbi dinjitetin e vet meshtarak. U dënua me vdekje pse ishte meshtar dhe gjerman. U pushkatua më 18 korrik të vitit 1946 nga regjimi komunist. U shpall i Lum më 5 nëntor 2016 në Shkodër. “Që prej ditës së në të cilën kam pasur rastin të njoh popullin shqiptar, popull bujar, por të shtypur e të shkelmuar nga dhuna e mjerimi, dhe kam vendosur t’ia kushtoj forcat e mia dhe jetën time si misionar"

R.SH. - Vatikan

Më 18 korrik përkujtojmë të Lumin dom Alfons Trackin, meshtar e martir i Krishtit në periudhën e regjimit komunist në Shqipëri, në përvjetorin e pushkatimit e të festës liturgjike

I Lumi dom Alfons Tracki (Bliszczyce, Poloni, 2 dhjetor 1896 - Shkodër, Shqipëri, 18 korrik 1946), me prejardhje nga Slesia (në atë kohë në territorin gjerman), zgjodhi rrugën e jetës rregulltare e atë meshtarake, edhe pse babai i tij dëshironte që ai të ndërmerrte karrierën ushtarake. Pasi hyri pranë Vëllezërive Maristë të Shkollave të Krishtera, pati mundësinë të udhëtojë dhe të mësojë rreth situatës në Shqipëri: edhe për këtë arsye, u shugurua meshtarak në Shkodër në vitin 1925, ku kërkoi të inkradinohej në këtë dioqezë. Veprimtaria e tij ungjillëzuese kishte për qëllim veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë.

Ishte shumë i zellshëm në ushtrimin e veprimtarisë së tij meshtarake e shumë i ndjeshëm kundrejt problemeve shoqërore, gjithmonë me një shpirt të krishterë. Organizoi grupin “Viribus Unitis”, duke mbledhur kështu shumë të rinj, të cilët i formonte me vlera të krishtera e njerëzore, shpirtërore e kombëtare. Hapi një shkollë për fëmijët më të mëdhenj se dhjetë vjeç.

Luftoi me ngulm traditat e këqija si hakmarrja dhe marrja e gjakut. Gjithmonë, për këto probleme, ofronte një zgjidhje të krishterë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, dom Alfons Tracki, disa herë u bë ndërmjetësues tek oficerët gjermanë për të liruar shumë shqiptarë, ndër të cilët kishte edhe të rinj komunist, edhe pse e dinte mirë rrezikun që mund të sillte teoria ateiste e komuniste për popullin e besimet fetare në përgjithësi.

Kontribuoi shumë edhe në krijimin e një ekuilibri më të mirë të bashkëjetesës e të dashurisë reciproke ndër bashkësitë fetare të pranishme në vend. Ia kushtoi vetveten formimit të klerikëve: ishin 14, gjashtë u masakruan dhe u pushkatuan nga komunistët, kurse pesë vdiqën pas një burgimi të gjatë. Gjatë gjyqit, sipas At Konradit o.f.m., bëri këtë deklaratë: “… nuk më vjen keq aspak se po vdes bashkë me vëllezërit e mi, sepse, për sa kam mundur, kam kontribuar edhe unë me ju, për të mirën tuaj dhe të fesë së Krishtit”.

Në vitin 1944, pasi regjimi komunist e mori pushtetin menjëherë nisi një gjueti të dhunshme ndaj çdo gjermani, e dom Tracki u arratis në mal, andej nga zona e Shllakut, me luftëtarët për liri, që ishin vendosur atje. Kjo pasi ishte vendosur në Shkodër pranë disa miqve, që i thoshin se atje nuk kishte asnjë siguri për të që, përveçse kishte prejardhje gjermane, për më tepër ishte edhe meshtar. Por dom Alsoni nuk deshi ta linte Shqipërinë dhe popullin e saj, që e donte demokracinë, të mbështetur në bindje të forta të krishtera, dhe i bindur, bashkë me të tjerë, se stuhia do të zgjaste pak.

Atëherë vijoi periudha e gjatë e aventurës së tmerrshme, dhe thirrja për t’u bërë rregulltar françeskan i mbeti në zemër, pa mundur të realizohej, prandaj mund të konsiderohet, me titull të plot, Frat Minor me dëshirë, pasi u shkëput mizorisht prej kujdesit të pasionuar ndaj besimtarëve. Pa reshtur kurrë së qeni dhe së ndieri meshtar, i ndjekur nga çdo anë, u ushqye me shpresë e me lutje për më shumë se një vit. Qe arrestuar derisa po shkonte për të vizituar një të sëmurë  të ri të famullisë së tij dhe për ta vajuar me Sakramentin e Vajimit të Shenjtë.

Gjyqi kundër dom Trackit dhe 19 të tjerëve, pas një faze hetimore të gjatë e poshtëruese, filloi më 1 korrik 1946. Akuzat e regjimit komunist ishin ato të zakonshmet: kriminel lufte, armik i popullit, sabotator i regjimit, tradhtar, spiune, agjent i Gestapos. Dhe dom Alfonsi, i qetë e me dinjitet, u përgjigj e shpjegoi se nuk kishte ardhur në Shqipëri me gjermanët, por gjendej atje qysh prej vitit 1913 e se atëherë, 17 vjeç, nuk kishte dërguar për të përgatitur terrenin për pushtimin austriak të Shqipërisë, “kjo detyrë, tha ia, nuk mund t’i jepej një 17-vjeçari, siç isha unë në atë kohë”; se nuk e dinte nëse Papa i kishte bekuar apo jo armët e ushtarëve italianë dhe se qysh prej fundit të vitit 1943 ndodhej në Shkodër, si zëvendës-famullitar i Katedrales, së bashku me dom Zef Shestanin". Pranoi se, sapo ishte arratisur, ishte takuar në Sheldi me ata që tashmë ishin martirizuar para tij: të Lumët Dom Lazër Shantoja e Dom Ndre Zadeja. Sjellja e tij para Trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake qe shumë korrekte e dinjitoze, duke e ditur mirë se çfarë e priste.

U burgos, pësoi torturat më çnjerëzore dhe poshtërimet më të turpshme, por kurrë nuk e humbi dinjitetin  e vet meshtarak. Ishte i vetëdijshëm se gjendej në ato kushte 'in odium fidei'. Nga Gjykata komuniste e Shkodrës u dënua me vdekje, vetëm pse ishte meshtar dhe gjerman. U pushkatua në Shkodër më 18 korrik të vitit 1946. U shpall i Lum, së bashku 38 martirët shqiptarë të kryesuar nga Imzot Vinçenc Prenushi, në Shkodër më 5 nëntor 2016.

18 korrik 2024, 11:09