Kërko

anta Macrina sul colonnato di Piazza San Pietro anta Macrina sul colonnato di Piazza San Pietro

Më 19 korrik kalendari kujton Shën Makrinën, murgeshë

Shën Makrina u rrit në një familje plot me shpirtra të bekuar, dy eksponentët më të njohur të së cilës ishin Basili i Madh dhe Gregori i Nisës, të dy Etër të Kishës, ngritja e së cilës drejt shenjtërisë u favorizua pikërisht nga virtytet e motrës së saj më të madhe.

R.SH. / Vatikan

 Shën Makrina e "re" qe dëshmitare e radikalitetit të Ungjillit. Ajo e Shën Makrinës (327-380) është në të vërtetë historia e një familjeje shenjtorësh, të cilët jetuan në vitet kur feja e krishterë u përball me sfidën magjepsëse të rimendimit të rolit të saj publik. Pas persekutimeve, në fakt, në mbarë Perandorinë Romake ishte e nevojshme të çmohej gjaku i martirëve duke vazhduar në dëshminë e radikalitetit të Ungjillit.

Në Lindje ky radikalitet shpesh merrte rrugën e jetës murgare a monastike, e zgjedhur gjithashtu nga Makrina së bashku me nënën e saj. Por jo para se të kujdesej dhe të shoqëronte nëntë vëllezërit e tjerë, ndër të cilët ishin tre shenjtorë: Basili i Cezarisë, Gregori i Nisës dhe Pjetri.

Makrina ishte e parëlindura prej dhjetë fëmijëve të Bazilit e të Emelies, familje nga Ponti i Greqisë dhe familje e bekuar prej Zotit, që ndër bijtë e vet pati përveç shën Makrinës edhe shën Bazilin e Madh, ipeshkëv i Cezaresë, shën Gregorin, ipeshkëv i Nisës, e Pjetrin, meshtar e murg.

Shenjta njihet me emrin Shën Makrina “e re”, për t’u dalluar nga e gjyshja, që kishte të njëjtin emër e që ishte ndjekëse e Shën Gregorit mrekullibërës. Gjyshi i saj, nga ana e nënës, qe martirizuar në epokën e Dioklecianit.

Makrina qe edukuar nga gjyshja në njohuritë e Shkrimit të Shenjtë, Biblës dhe që në moshë të re e ndihmonte të ëmën e saj në punët e shtëpisë e në edukimin e të gjithë vëllezërve, aq më tepër kur e ëma mbeti vejush, pas lindjes së fëmijës të dhjetë. Kur të gjithë bijtë qenë sistemuar në mënyrë të përshtatshme, nënë dhe bijë mbetën vetëm, e Makrina e bindi të ëmën për t’u tërhequr së bashku në vetmi në Anezi pranë Horës në Ponti, pranë lumit Iris, për të themeluar një manastir për t’iu kushtuar Zotit e meditimit të Fjalës së Tij jetëdhënëse e ku do të ndiqeshin edhe nga shërbëtoret e shtëpisë së tyre në jetën murgare.

Makrina pati ndikim të madh tek i vëllai Bazili, i cili e braktisi jetën shekullare prej eruditi për të përqafuar, rreth vitit 356 jetën murgare, pastaj bëhet ipeshkëv i Cezaresë në vitin 370, duke u kthyer tek e motra për vizitë në manastire në vitin 376; e shuguroi meshtar të vëllain e vogël Pjetrin, që jetoi në një manastir afër atij ku jetonte e motra; Bazili vdiq më 1 janar 379.

Me vdekjen e nënës së saj më 373, Makrina bëhet eprore e manastirit; në vitin 380 i vëllai, Gregori që qe bërë ipeshkëv i Nisës, duke u kthyer nga Koncili Kishtar i Antiokisë, deshi të kalonte për vizitë tek e motra në Anezi, por e gjeti në shtratin e vdekjes e pati me të një bisedë të paharrueshme që u pavdekësua në faqet e dialogut “Mbi shpirtin dhe ringjalljen”. Vetë Gregori, duke i shkruar një letër murgut oshënar Olimpit mbi doktrinën asketike e shpirtërore, tregon jetën e Shën Makrinës si shembull të një jete kushtuar krejtësisht Zotit. Makrina vdiq më 380.

19 korrik 2024, 12:41