Kërko

Sant'Elia, sec. XIII-XIV Sant'Elia, sec. XIII-XIV

Me 20 korrik kalendari kujton Shën Elinë Profet

Profeti i madh, Elia, në shekullin IX para Krishtit mbrojti pastërtinë e fesë në një Zot të vetëm e të vërtetë nga rreziku i përlyerjes me kultet idhujtare. Në kohën kur Izraeli po i nënshtrohej joshjeve të idhujtarisë, Elia Profet e vuri popullin e vet përballë së vërtetës, duke e rikthyer, kështu, në rrugën e shpëtimit. E kjo na kujton se edhe sot, atje ku Zoti zhduket, njeriu bëhet skllav i ideologjive, rob i nihilizmit.

R.SH. / Vatikan

Elia Profet na kujton se logjika e Zotit provokon të fuqishmit, se Zoti nuk vepron sipas logjikës sonë njerëzore, projektet e tij kanë kohë të ndryshme nga pritshmëritë tona dhe nëpërmjet asaj që ndodh, ai na edukon të kuptojmë praninë e tij. Dëshmues i kësaj pedagogjie hyjnore është Shën Elia, një profet që jetoi midis shekujve 10 dhe 9 para Krishtit në Palestinë.

Profeti i madh, Elia, në shekullin IX para Krishtit mbrojti pastërtinë e fesë në një Zot të vetëm e të vërtetë nga rreziku i përlyerjes me kultet idhujtare. Elia, që do të thotë “Zoti im është Jahve”, lindi aty nga fundi i shekullit X para Krishtit dhe e zhvilloi pjesën kryesore të misionit të tij nën mbretërinë e Akabit (873-854), njeri i ligsht, që kishte imponuar kultin e Baalit. Elia u paraqit para mbretit dhe i kumtoi se vendi do të ndëshkohej me tri vjet thatësirë. Si ra kjo shuplakë mbi Palestinën, u kthye rishtas tek mbreti për ta bindur se Baali ishte idhull e jo Zot. Për këtë sfidoi 400 profetë të idhullit mbi Malin e Karmelit.

Kur mbi elterin e Elisë u ndez mrekullisht flaka e më pas nisi menjëherë shiu duke i dhënë fund thatësirës, populli i mbyti priftërinjtë idhujtarë. Por Elisë iu desh të ikte rishtas për shkak se Akabi ishte bërë vegël në duart e së shoqes, Jezabelës, me origjinë fenike. Ajo e kishte shtyrë të përkrahte më parë e pastaj edhe të impononte kultin e Baalit. Elia nuk vdiq: u rrëmbye nga një karrocë prej flakësh, prandaj hebrenjtë prisnin kthimin e tij për kohët mesianike.

Rrëmbimi i tij dëshmoi se fitorja e së mirës mbi të keqen arrihet me durim e se vetëm Zoti është sundimtari i kohës. Qe thënë për Shën Gjon Pagëzuesin e për vetë Krishtin se ishin Elia i ringjallur.

20 korrik 2024, 10:34