25 korrik kalendari kujton Shën Jakun e Madh, Apostull
R.SH. - Vatikan
Pranë Jezusit, dëshmitar i dashurisë. Jakobi i Madh është i pari nga Apostujt që vdiq si martir. Na mëson se vendi pranë Krishtit në Mbretërinë e tij të Qiellit “fitohet” vetëm me dhuratën e vetvetes. Ne nuk duhet të gënjejmë veten: nëse duam të ndjekim Jezusin, na takon edhe ne të "pimë kupën e tij", domethënë të ndajmë fatin e hidhur të refuzimit nga bota dhe anulimit të pretendimeve tona për madhështi. Ashtu siç ndodhi me Shën Jakobin e Madh, nëna e të cilit i kërkoi Jezusit një vend të veçantë për fëmijët e saj në Mbretërinë e tij, një vend që u sigurua, megjithatë, me martirizim.
Mbretëria e Zotit nuk ndërtohet mbi logjikën e fuqisë dhe autoritetit, por mbi aftësinë për të vënë veten në shërbim të nevojtarëve dhe për t'u bërë shoqërues udhëtimi veçanërisht me ata që nuk ia dalin dot. Një logjikë që mësohet me kalimin e kohës, ashtu siç ndodhi me Shën Jakobin e Madh, të cilin Jezusi e thirri në mesin e dymbëdhjetë apostujve së bashku me vëllain e tij Gjonin.
Shën Jaku a Jakobi u quajt "i madh" për ta dalluar nga apostulli tjetër i Jezu Krishtit, me të njëjtin emër. Jakobi ishte dishepull i Jezusit dhe mori pjesë me Pjetrin në ngjarjen e Shndërrimit të Jezusit, në ringjalljen e vajzës së Jairit dhe në natën e Gjetsemanit. Vdiq si martir në vitin 42 p.K.. Popullariteti i tij u rrit për shkak të trupit të tij të zhvendosur nga Jerusalemi në Spanjë, dhe pasi u rizbulua në kohën e Karlit të madh u bë cak i shtegtimeve të mëdha mesjetare. "Camino de Santiago" përshkohet ende nga miliona shtegtarë dhe është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-S.
Jaku ishte i biri i Zebedeut dhe vëllai i madh i Gjonit. Jaku ishte peshkatar i thjeshtë e, ashtu si Pjetri, iu përgjigj me gatishmëri thirrjes së Jezusit, duke lënë varkën e babain me shegertët. Ndoqi, kështu, gjurmët e Krishtit, duke braktisur skemat që të krijojnë siguri. Zelli i tij për të ecur pas Krishtit ishte aq i rrëmbyer, sa Jezusi i quajti atë e të vëllain “Boanerghes”, bijtë e bubullimës. E kjo ndoshta sepse të bijtë e Zebedeut janë protagonistë të ngjarjes që ndodhi në një fshat samaritanësh, banorët e të cilit nuk deshën ta mikpresin Jezusin. “Zot, a dëshiron të themi që të zbresë zjarr nga qielli e t’i bëjë hi e pluhur?” - pyesin dy nxënësit, në sa Zoti u përgjigjet me një qortim.
Në se kundërveprimi i Jakut e i Gjonit diktohet nga dashuria për Mesinë, Jezusi mëson mospërdorimin e dhunës, mësim që sot, kur vëmendja e gjithë popujve është përqendruar rreth Tokës ku u zhvilluan ngjarjet për të cilat po flasim, tingëllon më aktual se kurrë. Nxënësi mësoi ç’kishte ndër mend të bënte Mesia, kur e pa të shndërrohej mbi malin Tabor dhe pastaj në agoni, në Kopshtin e Ullinjve. Por përvoja e vërtetë, që e çoi drejt pjekurisë, qe ajo e Kryqit. Apostullit iu desh të parandiejë se Mesia, i pritur si ngadhënjimtar, në të vërtetë nuk ishte i rrethuar vetëm me nderime e lavdi, por edhe me vuajtje e ligështi, se lavdia e Krishtit realizohet pikërisht në Kryq, në pjesëmarrjen e Tij ndër vuajtjet tona.
Pasi kërkon një trajtim të posaçëm në mbarimin e kohës, mëson edhe se të ndjekësh Krishtin do të thotë të pish së bashku me të një kelk tepër të hidhur. E Jaku e piu me të vërtetë kelkun! Viktimë e persekutimit të parë judaik pas Rrëshajëve, gjatë të cilit qe burgosur e qe rrahur mizorisht, u martirizua në vitin 42 pas Krishtit nën Herodin Agripa. Ky është edhe lajmi i fundit që na jep Besëlidhja së Re për Jakun e Madh.
Nga përvoja e Shën Jakut Apostull mësojmë gatishmërinë për ta pranuar thirrjen e Jezusit edhe kur na kërkon ta lemë varkën e sigurive tona njerëzore, mësojmë se duhet ta ndjekim me entuziazëm në rrugët që na tregon, larg çdo mendjemadhësie; mësojmë se duhet ta dëshmojmë me guxim, e në se është e nevojshme, deri në flijimin më të lartë, deri në dhurimin jetës.
Sipas traditës, Shën Jaku ungjillëzoi Spanjën e trupi i tij pushon në paqe në Santiago të Kompostelës, ku sot festa e Apostullit u kremtua me madhështi. U paraqit, si çdo vit “ofrenda” apo lutja tradicionale drejtuar Apostullit. Në kremtimin, tashmë shumëshekullor, ndërthuren tradita shpirtërore e folklorike, që ndiqen nga shtegtarë të cilët nisen nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar në lutje pranë varrit të Apostullit.
Katër janë rrugët që çojnë në Santiago, të cilat në Puente la Reina takohen e bëhen një rrugë e vetme…” me këto fjalë nis “Doracaku i shtegtarit të Santiagos”. E shtegtarët evropianë që prej dhjetë shekujsh vijojnë të ecin në këmbë nëpër të katër rrugët, për t’u pastruar shpirtërisht tek Varri i Apostullit të madh, Pajtorit të Spanjës, të shtegtarëve, të kalorësve e të njerëzve që vuajnë nga reumatizmi. Prandaj simbolet e Shenjtit janë kapela e shtegtarit dhe guaska e detit.
Liturgjia e kësaj dite na kujton se synimi dhe dëshira për të zënë vendet e para, për të arritur në pushtet, i tundon edhe Apostujt si të gjithë njerëzit. E Shën Jaku e zë vërtetë një vend të parë: është i pari që jep jetën për Krishtin.