Më 3 korrik kalendari kujton Shën Tomën, Apostull

Shën Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”. Toma mori nga Krishtit Gjallë e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të Ngjallur

R. SH. - Vatikan

Shën Toma, peshkatar si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që do të thotë ‘Binjak’. Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”. Me kërkesën e tij për të prekur me dorë Krishtin e Ngjallur, përmbledh në vetevete sjelljen e të gjithë atyre që ia nënshtrojnë fenë verifikimit me anë të eksperimentit. Por i lum është ai që beson, pa prekur.

Shën Toma peshkatar, si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo

Peshkatar, si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që në aramajke do të thotë “binjak”. Tomën e takojmë për herë të parë ndërmjet apostujve, por nuk dimë asgjë për jetën e tij të mëparshme. Nuk ia dimë as datën e lindjes, as mjeshtrinë që ushtronte. Ia dëgjojmë për herë të parë zërin, aspak entuziast, në Ungjillin e Shën Gjonit e pikërisht në Kapitullin I. Por duhet të theksojmë se ata të cilët e kujtojnë vetëm për çastin e famshëm të mosbesimit në ngjalljen e Krishtit, gabohen përsa i përket figurës së tij. Ai nuk ishte njeri me fe të paktë, siç mund të besohet, por njeri që e di mirë se nuk është aspak e lehtë të besosh. Prandaj nuk dëshiron të mbajë qëndrim hipokrit. Flet haptazi për vështirësitë e për dyshimet e tij. Shfaqet para syve tonë siç është, pa maskë. E ne na duket se na ngjet, se na ndihmon. Mosbesimi i tij, dyshimet dhe pyetjet që i bën Jezusit, na mësojnë ta thellojmë fenë. 

Tomën e takojmë edhe në Kapitullin XXII të Ungjillit të Shën Gjonit, në kohën kur Jezusi u duket apostujve në brigjet e liqenit të Tiberiades. Pastaj, për herë të fundit, për të flitet në Veprat e Apostujve (Kreu I), menjëherë mbas të Ngjiturit të Krishtit në qiell. E pastaj emrin e tij nuk e gjejmë më në asnjë shkrim. Ashtu si nuk e dimë kur e ku lindi, nuk e dimë as kur, ku e si vdiq. Disa shkrime, që mendohen si të tijat, madje edhe një Ungjill apokrif, nuk janë të besueshme. Në gjysmën e shekullit VI tregtari egjiptian Kozma Indikopleusti shkruante se kishte gjetur në Indinë jugore grupe të panjohura të krishterësh, të cilët i kishin pohuar se Ungjillin e kishte sjellë ndër viset e tyre Shën Toma Apostull. Prandaj edhe quhen “Tomokristianë”, bashkësi që vijon të jetojë edhe në kohët tona, por e përzier me besimtarë sa katolikë, aq edhe të kishave protestante e të riteve kristiano-lindore. 

Shën Toma figurë shumë e dashur për Kishën e besimtarët kudo në botë

Ja si na e përshkruan Benedikti XVI Shën Tomën në homelinë e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes më 16. 04.2007 duke komentuar fragmentin e Ungjillit nga Gjoni (Gv 20,24-29)“Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti Jezus i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’ siguri për mëshirën e tij e ç’ ngushëllim na japin! E si na sqarojnë e sigurojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi, të flijohemi për Të. Mëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. 

Ndërsa në homelinë e Meshës kremtuar për Pashkët e vitit 2007, Papa Ratzinger mes tjerash për shën Tomën theksoi: “Pas fjalëve të Krishtit të Ngjallur, feja gati e shuar në shpirtrat e Apostujve, u ndez përsëri. Ata ia treguan këtë ngjarje madhore Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm. Edhe njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit, një dëshmi për takimin me të Ngjallurin, sepse ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë”. 

Feja në Krishtin e Gjallë i davarit dyshimet e paqartësitë

“Në se përmes këtij Apostulli, Tomës mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues”.

Secili nga ne, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e vënë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?  “E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë, pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, i mori mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur”. 

Toma mori nga Krishtit Gjallë dhuratën e fesë

Toma mori nga Krishtit Gjallë e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të Ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare .Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar.

03 korrik 2024, 11:01