Më 5 korrik kalendari kujton Shën Antonin Maria Zakaria, themelues i rregulltarëve Barnabitë
R. SH. - Vatikan
Antoni Zaccaria lindi në Kremonë të Italisë më 1502 në një familje me origjinë gjenoveze. E ëma, mbetur e vejë që në moshën 18 vjeçe, nuk deshi të martohej më. Iu kushtua e tëra edukimit të të birit. Frytet e mira nuk do të vononin. Një ditë të ftohtë dimri, Antoni u kthye në shtëpi pa mantelin prej leshi: ia kishte falur një të varfëri që dridhej nga e ftohta. Gjatë viteve që kaloi në Pavi, ku studionte mjekësinë, iu kushtua mësimit, larg jetës së zhurmshme studentore. Vishej si të varfrit, ndonëse i përkiste një familjeje të pasur.
Edhe profesionin e mjekut e ushtroi për e pranë të varfërve, duke ua mjekuar falas sëmundjet e trupit e të shpirtit e duke çuar kudo shkonte, paqen e Zotit. Më 1528 u shugurua meshtar. E la përsëri vetëm nënën, si në vitet e studimeve, e u vendos në Milano, ku së bashku me Giakomo Morigen dhe Bartolomeo Ferrarin themeloi Kongregatën e Klerikëve rregulltarë të Shën Palit, të njohur si barnabitë, nga emri i Kishës milaneze të Shën Barnabës, pranë së cilës lindi shtëpia nënë.
Qëllimi ishte nxitja e reformës së klerit e të shekullarëve. Shumë shpejt, pranë Kongregatës mashkullore lindi edhe dega e Motrave Engjëllore, për reformimin e kuvendeve femërore. Kongregata e Motrave Engjëllore, paralelisht me atë mashkullor të Barnabitëve, u themelua rreth vitit 1530 nga meshtar italian Antonio Maria Zaccaria dhe kontesha e Guastalla-s Ludovica Torelli, ku Zaccaria ishte kapelan. Fjala reformë asokohe ishte në rend të ditës. E Antoni, së bashku me shenjtorët e shumtë të kohës, dha një kontribut të shquar për përgatitjen e Koncilit të Trentit, që do të realizonte pikërisht reformën e madhe katolike. Adhurues i Eukaristisë, themeloi praktikën e 40 orëve të adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë.
Vdiq pa i mbushur ende 37 vjetët, më 5 korrik 1539, në shtëpinë ku kishte lindur e ku kishte shkuar, duke e ndjerë se po i soseshin forcat, gjatë njërit prej misioneve të shumta të lutjes e të predikimit që zhvillonte vazhdimisht në Italinë veriore. Dha shpirt me kryet mbështetur në prehrin e nënës guximtare, e cila kishte pranuar jetën vetmitare, vetëm për të mos e penguar të birin të kryente misionin e tij të madh, që vijon ndër qindra shtëpitë e dy degëve të Kongregatës së tij, përhapur në shumë vende të botës, si dhe në Shqipëri e në Kosovë, ku sot Barnabitët e Motrat Engjëllore janë në festë.
Shën Anton Maria Zakaria na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet që e tronditin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë, mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit”.