Kërko

Më 6 korrik kalendari kujton Shën Marinë Goretti, virgjër e martire

Shembulli i shenjtërisë së Shën Marisë Goretti në jetën e përditshme të jetuar me besnikëri koherente, është simboli i pastërtisë që mbrohet me çmimin e jetës, edhe para një tentative përdhunimi. Rojtare e pafajshme e dhuratës më të çmuar, parapëlqeu më mirë të vdiste, sesa të pranonte joshjet e një njeriu që deshi t’ia turbullonte jetën. Historia e Shën Marisë Gorettit, është një nderim për shumë gra që ende sot janë viktima të burrave të dhunshëm dhe prepotentë.

R. SH. - Vatikan

Më 6 korrik bie përkujtimi liturgjik i shën Marisë Gorettit, virgjër e martire, shembull  shenjtërie në jetën e përditshme të jetuar me besnikëri koherente.

Historia e Shën Marisë Gorettit, si dhe devocioni i thellë që besimtarët kanë për të, është një nderim për shumë gra që ende sot janë viktima të burrave të dhunshëm dhe prepotentë. Pastërtia e shpirtit, e rrënjosur në një fe të fortë dhe të frytshme, me të cilin Maria Goretti përballej me botën, ishte për të thesari më i çmuar për t'u mbrojtur, sepse kjo ishte mënyra e saj për ta bërë Zotin të pranishëm në jetën e saj.

Maria Tereza Goretti, ose Marieta, siç e thërrisnin të afërmit, nuk është e vetmja vajzë që parapëlqeu më mirë të vdiste, sesa të pranonte joshjet e një njeriu që deshi t’ia turbullonte jetën. Pothuajse çdo ditë kronika flet për ushtrimin e dhunës mbi vajza të reja, të pambrojtura.

Po prindërit e Marietës nuk mundën ta mbronin.... Shkaku për të cilin Kisha e paraqet si shembull këtë shenjte 12 vjeçare, nuk është vetëm sepse u shqua për pastërti morale, por pse gjithë jeta e saj ishte shembullore, pse zgjodhi vdekjen jo vetëm për të mbrojtur nderin, por kryesisht për t’iu bindur urdhrit hyjnor: “Jo, jo, Zoti nuk do; është mëkat!” - i bërtiti djaloshit Aleksandër Sereneli, kur ai deshi të përdorte dhunën.

Familja Goretti, me origjinë nga Korinaldo, në provincën e Ankonës, e shtyrë nga nevoja, pati emigruar në Agro Pontino, dhjetë kilometra larg Netunos, aty nga fundi i shekullit të kaluar. Njerëzit e saj, të mësuar me punë të rëndë ndër ara, u strehuan në një shtëpi të vjetër. E ndërsa nëna e babai punonin tokën, Maria kujdesej për katër vëllezërit, më të vegjël se ajo.

Ishte vetëm dhjetë vjeçe, kur i vdiq i ati, i sëmurë nga malarja. Kështu s ‘ëmës, Asuntës, iu desh të punonte gjithë ditën për të siguruar jetesën.  E Maria, që nuk kishte mundur të vijonte rregullisht shkollën, tani hoqi dorë nga gjithçka, për t’iu kushtuar plotësisht shtëpisë e vëllezërve. Kur kishte sadopak kohë të lirë, vraponte te Kisha e largët për të ndjekur katekizmin. E kështu mundi të merrte kungimin e parë.

Ishte tepër e zhvilluar për moshën, prandaj tërhoqi vëmendjen e djaloshit të shqetë Aleksandër Serenelli. Ajo i kundërshtoi vazhdimisht. Por Aleksandri nuk hoqi dorë. Një ditë, kur nëna u nis për në arë, duke e lënë Marietën vetëm me motrën e vogël (e cila më vonë do të bëhej murgeshë ndër Françeskanet Misionare të Zojës së Papërlyer), pas refuzimit të zakonshëm të vajzës, e theri disa herë me thikë.  E mbartur në spitalin e Nettunos, vdiq një ditë më pas, duke e falur vrasësin me fjalët: “Për dashuri të Krishtit e fal dhe dëshiroj të vijë me mua në Parajsë!”. Ishte data 6 korrik e vitit 1902.

I dënuar me burgim të përjetshëm, Aleksandër Sereneli u lirua pas 27 vjetësh për sjellje të mirë. Më 1910 tha se kishte parë në vegim Martiren e vogël e që atë çast jeta e tij ndryshoi. Më 1950 e ëma e Marietës dhe të vëllezërit ishin të pranishëm në shenjtërimin e vashës që nuk pranoi të përlyhej me mëkat.

 

06 korrik 2024, 12:49