Më 9 korrik, kalendari kujton shën Augustinin Zhao Rong, meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë
R.SH. / Vatikan
Më 9 korrik, kalendari përkujton shën Augustinin Zhao Rong, meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë. Kthimi i tij te Ungjilli i Krishtit ndodhi falë shembullit të disa të krishterëve të persekutuar. Nga rojtar i burgut të të krishterëve u bë prifti i parë kinez, martirizimi i të cilit për Krishtin e Ungjillin është dëshmuar: kjo është historia e Shën Agustin Zhao Rong, të cilin sot Kisha katolike e përkujton së bashku me 119 martirë të tjerë kinezë.
I lindur në Kweichou në vitin 1746, në moshën 26-vjeçare punonte si rojtar i të burgosurve të krishterët që u arrestuan gjatë persekutimit të vitit 1772. Në mesin e grupit të të burgosurve ishte një meshtar që vazhdoi të shpallte Ungjillin edhe në atë situatë. Dëshmia e tij e ktheu në fenë e krishterë rojën e burgut që u pagëzua, duke marrë emrin Agustin. Më pas ai u vu në shërbim të misionarëve dhe filloi të studionte për t'u bërë prift: u shugurua meshtar në vitin 1781. Një predikatar i vlerësuar, Augustini u dërgua në një zonë malore ku u njoh dhe u arrestua gjatë persekutimit të vitit 1815. Vdiq në burg në pranverën e po atij viti.