Bashkimi Evropian: “më shumë hije se dritë mbi sundimin e ligjit në Shqipëri e Serbi”
R.SH. – Vatikan
Raporti i pestë mbi shtetin e së drejtës – pra, mbi sundimin e vërtetë të ligjit në vende të ndryshme – hartuar nga Komisioni Evropian përfshin për herë të parë katër kapituj mbi zhvillimet në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, katër vendet e Ballkanit Perëndimor në fazë më të avancuar integrimi në Bashkimin Evropian. Përfshirja e këtyre vendeve në raport “do të mbështesë përpjekjet e tyre për reforma, do të ndihmojë autoritetet që të bëjnë hapa të mëtejshme në procesin e integrimit dhe të përgatiten që të vazhdojnë punën për shtetin e së drejtës si vende anëtare të ardhshme”, vëren Brukseli.
Rruga për këto vende mbetet ende e gjatë, vërehet në raport. Kapitujt kushtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor vënë në dukje një kuadër problematik përsa i përket sundimit të ligjit, me një përjashtim të vetëm: Malin i Zi. Në rastin e tij, Komisioni thekson veçanërisht "fazën intensive të reformave" aktuale në sistemin gjyqësor, strategjinë e re për të luftuar korrupsionin, miratuar muajin e kaluar, si dhe “paketën legjislative të plotësuar për pluralizmin dhe lirinë e medias”, elemente që nxjerrin në pah udhën pozitive të ndërmarrë nga qeveria e re e Podgoricës.
Ndërkaq, më shumë hije se drita në raportin për Serbinë, në të cilin vihen në dukje "mangësitë" në luftën kundër korrupsionit, presioni "i lartë" politik mbi sistemin gjyqësor dhe prokurorët, pasiguria e gazetarëve, e cila mbetet “burim shqetësimi, ashtu si edhe presioni në rritje për çështje ligjore abuzive”. Pika kritike të shumta vihen në dukje në raport edhe për Shqipërinë, ndër të cilat, lufta kundër korrupsionit. "Masat parandaluese - shkruan Komisioni - preken nga një kuadër ligjor tepër i ndërlikuar dhe vazhdojnë të kenë ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët më të brishtë". Së fundi, Maqedonia e Veriut, ku “pavarësia e gjyqësorit dhe aftësia institucionale për ta mbrojtur atë nga ndikimi i interesave të jashtme mbeten shqetësim serioz". Ndër dyshimet e shprehura në raport, edhe "polarizimi politik", që shkaktoi “vonesa” në punën e Parlamentit dhe çoi në “një përdorim të tepruar e nganjëherë të pajustifikuar të procedurave legjislative të përshpejtuara”.