Kërko

 Natività Basilica Santa Maria Maggiore  a Roma Natività Basilica Santa Maria Maggiore a Roma

Betlehemi i Romës

Porta e Shenjtë e Shën Marisë së Madhe do të hapet nga Papa më 1 janar 2025. Bazilika, e ndërtuar me urdhër të Papës Liberius në vendin ku, në gusht 359, nisi një reshje e mrekullueshme bore, ruan brenda saj reliket e Djepit a Grazhdit të Shenjtë. Prandaj njihet si Sancta Maria ad Praesepem, kryevepër e artit mesjetar. Është fjala për skenën e lindjes së Krishtit nga Arnolfo di Cambio, një nga veprat më të lashta artistike të Lindjes së Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Porta e Shenjtë e Shën Marisë së Madhe do të hapet nga Papa më 1 janar 2025. Bazilika, e ndërtuar me urdhër të Papës Liberius në vendin ku, në gusht 359, nisi një reshje e mrekullueshme bore, ruan brenda saj reliket e Djepit a Grazhdit të Shenjtë. Prandaj njihet si Sancta Maria ad Praesepem, kryevepër e artit mesjetar. Është fjala për skenën e lindjes së Krishtit nga Arnolfo di Cambio, një nga veprat më të lashta artistike të Lindjes së Krishtit.

Një ngjarje e mrekullueshme: një reshje bore në mes të verës në Romë. Ashtu si ia zbuloi Zoja në ëndërr Papës Liberius, Pasardhësit të 36-të të Pjetrit.

Papa Liberius shënon perimetrin e bazilikës së S. Maria Maggiore në dëborë, Cappella Paolina, Santa Maria Maggiore
Papa Liberius shënon perimetrin e bazilikës së S. Maria Maggiore në dëborë, Cappella Paolina, Santa Maria Maggiore

Perimetri i shënuar mbi borë

Është 5 gushti i vitit 359. Kodra Esquiline zbardhet nën flokët e dëborës. Flokët e rënë në tokë shënojnë perimetrin, mbi të cilin do të ndërtohet një tempull kushtuar Virgjërës. Është bazilika Santa Maria Maggiore, e njohur si “Liberiane”.

Ëndrra e Papës Liberius në mozaikët nga Filippo Rusuti (rreth 1300) në Loggia delle Benedizioni të Santa Maria Maggiore
Ëndrra e Papës Liberius në mozaikët nga Filippo Rusuti (rreth 1300) në Loggia delle Benedizioni të Santa Maria Maggiore

“Tempulli origjinal sigurisht që nuk ishte i tillë. Ishte një bazilikë shumë më modeste, me një navatë të vetme” - shpjegon për Vatican News Imzot Ivan Ricupero, Mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike të Bazilikës Papnore në Santa Maria Maggiore.

Mozaikët e absidës dhe harkut të triumfit të bazilikës së Shën Marisë Madhe
Mozaikët e absidës dhe harkut të triumfit të bazilikës së Shën Marisë Madhe

“Gjithçka tjetër është shtuar gjatë shekujve. Bazilika u rindërtua në 432 me Papën Sixtus III. Mozaikët e harkut të triumfit të kujtojnë pikërisht atë çast historik”.

Pjesa e brendshme e Bazilikës së shën Marisë së Madhe në Romë
Pjesa e brendshme e Bazilikës së shën Marisë së Madhe në Romë

Betlehemi i dytë

Me Papën Sixtus III, Bazilika mori menjëherë, simbolikisht, karakterin e "Betlehemit të dytë". Brenda saj u ndërtua një Orator i Lindjes, riprodhim besnik i shpellës në të cilën lindi Jezusi, i realizuar me gurë nga Toka Shenjte. Për më tepër, rreth mesit të shekullit të VII, pikërisht në vitin 644, këtu mbërriti dhurata e çmuar që Patriarku i atëhershëm i Jeruzalemit, Shën Sofroni, i bëri Papës Teodori I, me origjinë nga Jeruzalemi: reliken e Djepit Shenjt ose kunabulum.

Djepi i Shenjtë i Santa Maria Maggiore
Djepi i Shenjtë i Santa Maria Maggiore

Relikja e çmuar

Në atë kohë, sulme të shumta persiane kishin shkatërruar shumë vende të lidhura me kujtimin e jetës së Krishtit. Shenjtori, murgu dhe teologu i ardhshëm, mbrojtësi i flaktë i Ortodoksisë, i dhuroi Papës pesë shufra prej druri të fikut nga grazhdi i Betlehemit, së bashku me pelenat, mbi të cilat, sipas traditës, ruhet trupi i vogël i Jezusit në brendësi të relikuarit të çmuar prej kristali, të zbukuruar me basorelieve argjendi, krijuar nga Giuseppe Valadier në fillim të shekullit të tetëqindtë.

Shtatorja e Piut IX në Confessio-n e Bazilikës së Santa Maria Maggiore

Është e vendosur në Confessio, e zbukuruar me mbi 70 mermere të ndryshme nga Piu IX, që përkujtohet nga një shtatore vigane, e gjunjëzuar, që shikon drejt mozaikut të absidës, ku soditet Kurorëzimi i Virgjërës.

Shtatorja e Piut IX në Confessio të Bazilikës Santa Maria Maggiore
Shtatorja e Piut IX në Confessio të Bazilikës Santa Maria Maggiore

Mesha e parë e Krishtlindjes

Prandaj nuk është rastësi që Bazilika Liberiane, e quajtur Sancta Maria ad Praesepem për shekuj me radhë u bë cak lutjesh për shtegtarët "romakë" gjatë kremtimit të Krishtlindjeve, si dhe objekt përkushtimi e bujarie të madhe nga ana e papëve dhe sovranëve. “Që atëherë, Mesha e Krishtlindjes u kremtua në këtë Bazilikë - vazhdon Imzot Ricupero - Pak e dinë se Nata e parë e Krishtlindjes u kremtua këtu. Më pas ky zakon u transmetua dhe u bë traditë liturgjike e Kishës Katolike në mbarë botën.

Një hollësi e Djepit  a Grazhdit të Shenjtë
Një hollësi e Djepit a Grazhdit të Shenjtë

Për shekuj me radhë, natën e 24 dhjetorit, Papa vinte këtu për të kryesuar meshën e mesnatës dhe deri para urgjencës së pandemisë, relikja u mbart me procesion përgjatë navatave për të kënduar Glorian “Lumni i qoftë Zotit në qiell – e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë!”. “Që nga viti i kaluar”, saktëson prifti, “vendosëm ta nxjerrim sërish jashtë tekës së tij, të ngritur lart, në mënyrë që të nderohet natën e Krishtlindjes e deri në ditën e  Epifanisë – a të Ujit të Bekuar”.

Ekspozimi i relikes në kohën e Krishtlindjes
Ekspozimi i relikes në kohën e Krishtlindjes

 Zhvendosja e  Oratorit të skenës së Lindjes

Oratori i lashtë i Skenës së Lindjes, që fillimisht ishte vendosur në navatën e djathtë të Bazilikës, falë një sistemi të sofistikuar rrotullash dhe çikrikësh të projektuar nga arkitekti Domenico Fontana, u zhvendos nën tabernakullin madhështor prej bronzi të praruar të Kapelës monumentale të të Shenjtnueshmit Sakrament, ndërtuar në vitin 1590 nga Papa Sixtus V Peretti, në përputhje me normat e Koncilit të Trentit.

Kapela e të Shejtnueshmit Sakrament
Kapela e të Shejtnueshmit Sakrament

Mesha e parë e Shën Injacit dhe vizioni i Shën Gajtanit të Thiene-s

I rrethuar nga afreske kushtuar paraardhësve të Krishtit dhe tregimeve të Virgjërës, Papa i Rilindjes paraqitet në murin e majtë të kapelës në monumentin funebër që i kushtohet: në lutje, me sytë drejtuar kah altari mesjetar i Oratorit të Shpellës së Betlehemit ku, në netët e Krishtlindjeve të 1517 dhe 1538, Shën Gajtani i Thienës pati vegimin mistik të  Krishtit Fëmijë e Shën Injaci i Lojolës kremtoi meshën e tij të parë. "Themeluesi i Shoqërisë së Jezusit", shpjegon imzot Ivan Ricupero, "do të kishte dashur ta festonte në Betlehem, por nuk mundi ta bënte këtë për shkak të një sërë situatash të paparashikuara. Ai e realizoi ndjetin këtu, në Santa Maria Maggiore, në këtë vend që konsiderohet si Betlehemi i Romës”.

Shën Gaetani nga Thiene, Bazilika e Shën Marisë Madhe.
Shën Gaetani nga Thiene, Bazilika e Shën Marisë Madhe.

Betlehemi i Arnolfos

Në këtë mjedis u vendos ajo, që konsiderohet si skena më e vjetër e lindjes në historinë e skulpturës, e krijuar nga Arnolfo Di Cambio më 1289, porositur nga Papa i parë françeskan, Nikolla IV, më pak se shtatëdhjetë vjet pas paraqitjes së gjallë të Lindjes së Krishtit, realizuar nga Shën Françesku në Greccio.

Betlehemi i Arnolfo di Cambio
Betlehemi i Arnolfo di Cambio

Betlehemi i Arnolfo di Cambio

Nga kjo kryevepër unike e artit plastik mesjetar, e përmendur edhe nga Vasari, të paktën pesë statuja origjinale prej mermeri kanë mbijetuar: Shën Jozefi, dy Mbretër Dijetarë në këmbë, i treti që lutet në gjunjë, kokat e kaut dhe gomarit. Gjithë këtyre u shtohet Zoja me Foshnjën e ulur në një shkëmb dhe me përmasa më të mëdha: rreth një metër lartësi. Atribuimi i këtij të fundit Arnolfos është i diskutueshëm pasi, sipas disa studiuesve, u ripunua shumë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Gjurmët e pigmentit të pranishëm në gur tregojnë se si Betlehemi origjinal prej guri, për të cilën nuk dihet numri i saktë i shtatoreve, duhet të ketë qenë i ngjyrosur.

Shpella e Betlehemit e Arnolfo di Cambio
Shpella e Betlehemit e Arnolfo di Cambio

Santa Maria Maggiore drejt jubileut

Ashtu si barinjtë e thirrur nga engjëlli për lindjen e Shëlbuesit, në Vitin Shenjt 2025 shumë shtegtarë do të mbërrijnë në Bazilikën Liberiane, Betlehem i Perëndimit.

Mjetet për hapjen dhe mbylljen e Derës së Shenjtë në Santa Maria Maggiore
Mjetet për hapjen dhe mbylljen e Derës së Shenjtë në Santa Maria Maggiore

Duke ecur nëpër hapësirën e madhe liturgjike, sytë e tyre do të tërhiqen nga mozaikë, piktura dhe skulptura të panumërta me vlerë të madhe; duke nisur nga reliket e çmuara të mantelit të Virgjërës, kashtës dhe pannikulumit - pelenave - që mbështjellin trupin e Krishtit Fëmijë.

Relikuaret që përmbajnë kashtën dhe pannikulumin
Relikuaret që përmbajnë kashtën dhe pannikulumin

Salus Populi Romani dhe Matteo Ricci

Së fundi, nuk mund të humbasë një ndalesë para Salus Populi Romani, ikona që tradita ia atribuon dorës së Shën Lukës, pajtor i piktorëve, por që studimet më të fundit besojnë se i përket një periudhe ndërmjet shekujve 9 dhe 11. “Është një figure tejet  e dashur për Papët e, në veçanti, për Françeskun, i cili gjinjëzohet këtu në fillim dhe në fund të shtegtimeve të tij apostolike”, komenton imzot Ricupero. “Përkushtimi është shumë i përhapur ndër jezuitët: pakekush e di se Matteo Ricci, kur filloi misionin e tij në Kinë, mori një kopje të vogël të  figures së Zojës nga Papa, të cilën  e mbajti gjithnjë me vete”.

Zoja Mari Salus Populi Romani
Zoja Mari Salus Populi Romani

Studimet mbi reliken

Kryesore në vizitën jubilare në Santa Maria Maggiore do të jenë çastet e kaluara në lutje, nën altarin e lartë, mbi reliket e Djepit të Shenjtë, vlera historike dhe devocionale e të cilit mbështetet nga studimet e fundit shkencore.

Druri i fikut i Djepit të Shenjtë
Druri i fikut i Djepit të Shenjtë

Poleni i mbledhur brenda shkopinjve të fikut u mor në zonën gjeografike të Betlehemit, në kohën e Jezusit, gjë që u vërtetua në shekuj, ndërmjet të tjerëve, edhe nga Shën Jeronimi, mbetjet mortore të të cilit ruhen në Santa Maria Maggiore.

Inspektimi i relikteve të Djepit të Shenjtë
Inspektimi i relikteve të Djepit të Shenjtë

"Relievet - kujton Mjeshtri i Festimeve Liturgjike të Santa Maria Maggiore - u kryen në vitin 2018. Rasti ishte ai i vendimit të Papës Françesku për t'i dhuruar një fragment të shufrave të nderuara Kujdestarisë së Tokës Shenjte, në nëntor 2019".

Porta Shenjte e Shën Marisë së Madhe
Porta Shenjte e Shën Marisë së Madhe

 Porta, që të çon në misterin e Mishërimit

Papa do të hapë Derën e Shenjtë të Shën Marisë së Madhe më 1 janar 2025, në solemnitetin e Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit “Që në vitin 1390 - përfundon Imzot Ivan Ricupero - ka të dhëna që vërtetojnë se këtu ka pasur një derë shenjte, që besimtarët mund ta kalonin për të marrë dhuratën e faljes së mëkateve. Të vizitosh këtë Bazilikë të lidhur me Lindjen e Krishtit për shtegtarët dhe turistët është mundësi për t'iu afruar misterit të madh të Mishërimit”.

17 korrik 2024, 13:40