Demokracia e kompjuterit: çfarë ndryshon në epokën e Inteligjencës Artificiale
R.SH. – Vatikan
Kompjuterët e parë në histori u zhvilluan gjatë Luftës II Botërore, për qëllime ushtarake: Colossus, i krijuar në Bletchley Park në Mbretërinë e Bashkuar dhe, në SHBA, Atanasoff-Berry Computer dhe Eniac. Menjëherë pas Luftës, duke filluar nga vitet ‘50, shpikja e transistorëve me silic lejoi krijimin e kompjuterëve më të vegjël, më të shpejtë dhe më të besueshëm, ndërsa qarqet e integruara, të cilat u dukën rreth viteve ‘60, reduktuan më tej përmasat dhe kostot, duke rritur funksionalitetin e kompjuterëve. Fillon një epokë, në të cilën aftësia e përdorimit të kompjuterit bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për gjithë shoqërinë. Në vitet e para, kjo aftësi ishte ngushtësisht e lidhur me specialistët e fushës, por tashmë, është kthyer në rrymë kulturore, që, duke marrë hua fjalët nga rryma letrare amerikane e pas Luftës II Botërore e duke luajtur pak me to, mund ta quajmë “Bit generation”. Revolucioni teknologjik u ushqye nga fara e kundërkulturës kaliforniane të viteve ‘60. Qendra e këtij këndvështrimi për kompjuterët dhe për informatikën ka qenë dhe mbetet Silicon Valley, zona ndërmjet San Franciskos dhe San José.
Shtylla kurrizore për themelet filozofike dhe etike të internetit dhe të gjithë revolucionit të kompjuterave personale ishin idealet e të ashtuquajturve “bij të luleve”, natyra e tyre liridashëse deri në tepri, dëshira për të zgjeruar horizontet dhe përbuzja për autoritetin e centralizuar. Fundi i këtij procesi demokratizimi regjistrohet rreth dhjetëvjeçarit të parë të këtij shekulli, me ardhjen e “smartphone”. Në çastin kur pushteti informatik filloi të banojë edhe në xhepat e secilit, nis të grabisë pak nga pak autonominë tonë. Kjo ndodh, sepse smartphone ka nevojë për rrjetin, që i garanton funksionimin, por edhe ushqen atë pushtet informatik që mbajmë në xhep dhe shndërron në të dhëna statistikore përvojën tonë personale. Edhe demokracia e shfrytëzon këtë mundësi, siç tregon përvoja e “Pranverave arabe”, kur njerëzit u thirrën në protestë përmes rrjeteve sociale, duke na bërë të shpresojmë për mirë për pushtetin tonë informatik, por pastaj, ndodhën revoltat në Capitol Hill të Uashingtonit, edhe ato thirrur përmes rrjeteve sociale, gjë që e bëri njerëzimin të ketë frikë për të ardhmen e demokracisë në hapësirën dixhitale.
Në ditët e sotme, Inteligjenca Artificiale po e ndryshon sërish horizontin. Mundësitë e saj e mjegullojnë kufirin ndërmjet pushtetit kompjuterik personal dhe pushtetit të centralizuar në një “cloud”, që s’është tjetër veçse vendi ku mblidhet e ruhet i gjithë informacioni, i cili kalon nëpër telefonat tonë të dorës. Ku i përdorim, gati nuk e dimë më se çfarë funksionon në nivel lokal dhe çfarë në “cloud”, që, e përkthyer në shqip, do të thotë “re”. Kjo formë e re e centralizimit në “renë” kompjuterike ka të bëjë me demokracinë. Pyetja që shtrohet është di të bëhet demokratik pushteti i centralizuar në “cloud” dhe në Inteligjencën Artificiale, duke mos lejuar krijimin e një oligarkie të kësaj reje dixhitale.
Përvoja e përdorimit të kompjuterëve është e destinuar të pësojë një transformim të ri rrënjësor. Që nga fillimi i historisë së kompjuterit, njeriu ka qenë çështja kryesore në marrëdhëniet me makinën. Në vitin 1975, me paraqitjen e sistemit operativ DOS, marrëdhëniet e tij me makinën u përshpejtuan falë tastierave. Në vitin 1985, sistemet si Windows na lejuan të fitonim shpejtësi, duke përdorur “mouse”-in.
Nga fundi i viteve nëntëdhjetë, mjafton të prekim me gisht ekranin e kompjuterit për ta komanduar atë. Sot, ndërfaqja me kompjuterin është gjuha e njeriut, që e komandon atë duke folur. E ndokush, ëndërron edhe shpejtësi më të mëdha ndërveprimi, përmes implanteve në tru. Kurrë më parë nuk kemi qenë në gjendje aq sa sot t'i tregojmë makinës se çfarë të bëjë, njëlloj siç do të bënim me një nga kolegët tanë. Duke qenë se aftësia e bashkëveprimit ndërmjet anëtarëve të species sonë është baza e afirmimit planetar të njeriut si specie dominuese, jo pak kanë filluar të ëndërrojnë për një të ardhme, ndoshta utopike, ndoshta jo, në kufirin e hibridizimit ndërmjet njeriut dhe makinës.
Një nga aspektet më shqetësuese të këtij kufiri të ri janë sulmet kibernetike. Një robot, që njeriu e komandon me fjalët që i thotë, mund të bëhet i aftë të kryejë operacione në kompjuter. Nëse deri tani hakerët mund të na hynin në sistem, duke vjedhur të dhëna, duke i fshehur, ose duke i koduar për të kërkuar para, ose mund të nisnin sulme kundër kompjuterëve të tjerë nga i yni, ç’mund të bëjnë tani, me Inteligjencën Artificiale? Me të njëjtin zell me të cilin na ndihmon, roboti ynë mund t’ia komunikojë një armiku potencial të gjitha informacionet tona komprometuese. Demokracia, a thua do t’i rezistojë kësaj forme të re pushteti kompjuterik?