Fetë dhe Big Tech në Hiroshima për një etikë të inteligjencës artificiale
R.SH. - Vatikan
“Në Hiroshima, një vend me vlerë shumë të lartë simbolike, ne kërkojmë fuqimisht paqen dhe kërkojmë që teknologjia të jetë motori i paqes dhe pajtimit mes popujve. Jemi këtu për të thënë me zë të lartë se të qenit bashkë dhe të vepruarit së bashku është e vetmja zgjidhje e mundshme”. Me këto fjalë, Kryeipeshkvi Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për Jetën, hapi sot të parën nga dy ditët e AI Ethics for Peace, ngjarje përmes së cilës përkushtimi për një etike të inteligjencës artificiale – që është çuar përpara nga Selia e Shenjtë, që nga viti 2020, së bashku me eksponentë të botës hebraike dhe myslimane, FAO-s dhe disa kompani të mëdha informatike - është zgjeruar, duke përfshirë edhe përfaqësues të feve të Lindjes.
Takimi do të ketë momentin qendror nesër me ceremoninë e nënshkrimit të dokumentit, nga përfaqësuesit e rajoneve të Rome Call for AI Ethics, që tregon një sërë parimesh për algoritminë, pra një etikë që mban personin në qendër dhe drejtësinë në marrëdhëniet ndërmjet popujve në zhvillimin dhe zbatimin e inteligjencës artificiale. Nënshkrimi do të bëhet në Parkun e Memorialit në Hiroshima, që kujton viktimat e bombardimeve atomike amerikane të vitit 1945, pas dëgjimit të fjalëve të një të mbijetuari të asaj tragjedie, rezultat i një forme çnjerëzore të zhvillimit të teknologjisë.
“Misioni ynë si Religions for Peace Japan – deklaroi presidenti i saj, murgu budist Yoshiharu Tomatsu, në seancën e inaugurimit të takimit – është të ofrojmë mbështetje dhe udhëzim për përpjekjet që kanë si qëllim përmirësimin e barazisë dhe respektin e ndërsjellë për individët dhe institucionet në mbarë shoqërinë, bazuar në qëllimet e përbashkëta shpirtërore. Përparimet e fundit në inteligjencën artificiale kanë çuar në shfaqjen e mjeteve të reja të fuqishme që mund të ndihmojnë potencialisht përpjekje të tilla ose, nëse përdoren për qëllime të tjera, t'i minojnë ato në mënyrë të konsiderueshme. Duke i njohur këto sfida, ne jemi të përkushtuar të mbajmë angazhimet tona për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe respektin reciprok për të gjithë”.
"Bashkëpunimi, solidariteti dhe puna e përbashkët janë të nevojshme për të orientuar zhvillimet në inteligjencën artificiale, në të cilat interesat, dëmet dhe përfitimet janë të përziera, për të siguruar që sistemet dhe produktet e saj nuk janë vetëm teknikisht të avancuara, por edhe moralisht të vlefshme," shtoi nga ana e tij mauritani Muslim Abdallah Bin Bayyah, president i Forumit të Paqes në Abu Dabi dhe i Këshillit të Fatwa–së në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Si njerëz të feve, ne kemi një përgjegjësi unike për të mbushur kërkimin tonë të AI me qartësi morale dhe integritet etik. Ne përdorim AI jo vetëm si një mjet për përparim, por edhe si një mjet për të thelluar lidhjen tonë me hyjnoren dhe për të forcuar rrugën tonë shpirtërore,” tha Rabini Eliezer Simha Weisz, anëtar i Komisionit të Rabinatit Kryesor të Izraelit për marrëdhëniet ndërfetare.
Veçanërisht domethënëse ishte ndërhyrja e At Paolo Benanti, rregulltar i njohur italian, ndër pionierët e studimit të implikimeve etike të këtyre kufijve të rinj të teknologjisë, i cili prezantoi Shtojcën (Addendum) e Hiroshimës mbi inteligjencën artificiale gjeneruese, një tekst i ri që do të integrojë Rome Call for AI Ethics (përpiluar më 2020 ), duke thelluar këtë dimension që sot përfaqëson kufirin e ri të këtij zhvillimi teknologjik.