Kërko

Olimpiada e Parisit 2024 Olimpiada e Parisit 2024

Fillon Olimpiada e Parisit 2024, leksioni i sportit për botën në konflikt

Nesër, e mërkurë 24 korrik, do të zhvillohen garat e para olimpike, por ceremonia e hapjes së Lojërave të Parisit 2024 do të mbahet në Senë të premten mbrëma. Mbi 10 mijë atletë nga 205 vende të botës do të marrin pjesë në këtë Olimpiadë, në një kontekst gjeopolitik të kushtëzuar nga luftërat e vazhdueshme

R.SH. – Vatikan

Reflektorët e gjithë botës janë kthyer nga Parisi, ku të premten më 26 korrik, në orën 19.30, do të mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave XXXIII Olimpike, por garat e para do të fillojnë që nesër, e mërkurë 24 korrik. Rreth 10.500 atletë nga 205 vende pjesëmarrëse do të parakalojnë fillimisht me varka përgjatë lumit Senë dhe më pas, në një ceremoni më tradicionale në Trocaderò, përballë Kullës Eifel.

Tema e refugjatëve

Nën “flamurin” e ekipit të Atletëve Refugjatë marrin pjesë 36 sportistë, nga 11 vende të ndryshme, të cilët konkurojnë në 12 sporte. Ata vijnë nga Republika Demokratike e Kongos, Eritrea, Etiopia, Sudani, Sudani i Jugut, Siria, Irani, Kameruni, Afganistani, Kuba dhe Venezuela. Përbërja e ekipit u miratua nga Këshilli Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe bazohet në një sërë kriteresh, nga rezultatet sportive tek statusi i refugjatit, verifikuar nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Ndërkaq, ka ngjallur diskutime vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të ndaluar pjesëmarrjen e Rusisë dhe të Bjellorusisë, përjashtuar zyrtarisht nga Lojërat, për shkak të sulmit të Moskës kundër Ukrainës. Megjithatë, sportistët nga të dyja vendet mund të marrin pjesë individualisht, edhe pse pa flamurin e himnin e tyre kombëtar.

Shpresa për një armëpushim olimpik

Edhe këto Lojëra Olimpike do të ndikohen nga situata gjeopolitike globale, nga konfliktet dhe nga ngjarjet kryesore, që trondisin shoqëritë dhe opinionin publik. Shpresohet që kjo festë e sportit ta nxisë diplomacinë ndërkombëtare për të arritur një "armëpushim olimpik" dhe për të ndalur luftërat e vazhdueshme, siç uroi Papa Françesku, në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 21 korrik: "Uroj që kjo ngjarje të jetë shenjë e botës gjithëpërfshirëse, që duam të ndërtojmë dhe që atletët, me dëshminë e tyre sportive, të jenë lajmëtarë të paqes... Lojërat Olimpike të bëhen rast për të vendosur armëpushimin në luftëra, duke dëshmuar dëshirën e sinqertë për paqen”, nënvizoi Ati i Shenjtë.

23 korrik 2024, 16:26