Kërko

Joaquin Navarro Valls Joaquin Navarro Valls

Kthehet Çmimi Navarro-Valls, vlerësim për kë zgjedh solidaritetin

Më 8 korrik, në Romë, kemtohet edicioni i dytë i aktivitetit të organizuar nga Fondacioni i Universitetit Biomjekësor për të vënë në pah lidershipin dhe dashamirësinë. Ai do të ketë një profil "Senior" e një "Junior", me synimin për të promovuar e për të vlerësuar studentët me merita, nga kontekste shoqëroro-ekonomike të pafavorizuara

R.SH. – Vatikan

Çmimi Ndërkombëtar Joaquín Navarro-Valls për Lidershipin dhe Dashamirësinë, në edicionin e tij të dytë, kthehet të hënën, më 8 korrik, në Sallën e Protomotekës së muzeumeve të komunës së Romës dhe dyfishon numrin e protagonistëve, që janë dalluar në fushat e tyre përkatëse, për aftësitë e tyre drejtuese dhe për kontributin e rëndësishëm në shoqëri, në kërkim të "Së mirës së njeriut”. Do të zgjidhen fitimtarë nga një profil "Senior" dhe një "Junior".

Anëtarët e jurisë

Komiteti Shkencor i Çmimit, përgjegjës për zgjedhjen e kandidatëve (tre për secilën kategori), kryesohet nga Federico Eichberg dhe përfshin anëtarë të tjerë si Matteo Colaninno, Giuseppe Cornetto Bourlot, Stefano Lucchini dhe Luisa Todini. Juria përbëhet nga presidenti i Fondacionit të Universitetit Biomjekësor, Alessandro Pernigo dhe nga Paolo Arullani, Ferruccio De Bortoli, Bianca Maria Farina, Gianni Letta dhe Lucia Vedani.

Mbështetja e talentit në vështirësi

Përveç ceremonisë së ndarjes së çmimeve, veprimtaria do të jetë edhe mundësi për të mbledhur fonde, që do të shërbejnë për bursat e dhëna nga Universiteti Campus Bio-Medico i Romës, me qëllim garantimin e së drejtës për të studiuar, promovimin e përfshirjes dhe mbështetjen e zhvillimit të studentëve të talentuar me vështirësi ekonomike. Fondacioni i Universitetit Biomjekësor - organizatë jofitimprurëse, që mbështet zhvillimin e Universitetit dhe të Fondacionit Poliklinik Universitar “Campus Bio-Medico” - e organizon këtë ngjarje në kujtim të bashkëthemeluesit të tij, Joaquín Navarro-Valls, mjek dhe gazetar, zëdhënës i Papës Gjon Pali II dhe drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë për 22 vjet, nga viti 1984 deri në vitin 2006.

Lidershipi dhe dashamirësia

Objektivi i Çmimit - i cili vitin e kaluar iu dha sipërmarrësit Brunello Cucinelli - është të identifikojë dhe të vlerësojë personalitete me rëndësi, që mishërojnë vlerat e lidershipit dhe të dashamirësisë në impenjimin e tyre social, kulturor, sportiv, shkencor, ekonomik dhe institucional. Promovohen kështu modele, që kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë, përmes solidaritetit dhe dashamirësisë për një botë më të përgjegjshme, më të qëndrueshme, më gjithëpërfshirëse dhe më të vëmendshme ndaj dinjitetit të njeriut.

03 korrik 2024, 15:35