Kërko

Presidenti amerikan Joe Biden Presidenti amerikan Joe Biden

Kur di të bësh një hap prapa

Në gazetën vatikanase “L'Osservatore Romano”, editoriali i zv.drejtorit të mediave të Vatikanit, Alessandro Gisotti, rreth gjestit të Joe Biden dhe vlerës së dorëheqjes së tij. Një vendim, ai i presidentit amerikan, që kujton vendimin e marrë nga Nelson Mandela në vitin 1999, kur hoqi dorë nga kandidatura për një mandat të dytë si president i Afrikës së Jugut

R.SH. – Vatikan

Të heqësh dorë nga çdo lloj gjëje ka çmimin e vet. E mund të jetë shumë i lartë. Nuk është e domosdoshme të kesh ndonjë pozitë pushteti, ose me rëndësi të madhe. Nganjëherë edhe dorëheqja nga një punë e caktuar, nga një zakon i konsoliduar, ose nga një pozitë e fituar me vështirësi mund të jetë shumë e vështirë. Kjo është arsyeja që kur një personazh i shquar publik zgjedh të bëjë një hap prapa, të largohet nga skena, fiton menjëherë simpatinë dhe vlerësimin e opinionit publik. E përjetuam këtë qartas më 11 shkurt 2013 me dorëheqjen historike të Benediktit XVI nga shërbimi pjetrin. E pamë po aq dukshëm, në këto 24 orët e fundit - megjithëse në një kontekst tjetër - pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi se do të tërheqë kandidaturën për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, duke e lënë partinë e tij të zgjedhë një kandidat të ri për të sfiduar Donald Trump (megjithëse, Biden e ka vënë në dukje tashmë preferencën e tij për zv.presidenten Kamala Harris).

Siç dihet, për këtë vendim kishte kohë që përflitej dhe shumë, ndër eksponentët kryesorë të Partisë Demokratike, i patën kërkuar me këmbëngulje Biden-it të hiqte dorë nga kandidatura për rizgjedhje. Gjithsesi, zgjedhja përfundimtare i takonte banorit të Shtëpisë së Bardhë, për këtë arsye, vendimi tejet personal dhe sigurisht jo i lehtë për të mos u kandiduar për katër vite të tjera si president, duhet t'i atribuohet atij. Një zgjedhje fisnike, e cila - siç kanë vënë re disa analistë - e vendos të mirën e vendit mbi interesat personale. Kjo shkon përtej vlerësimeve politike për presidencën e tij, së cilës, për rrjedhojë, po i vjen fundi. Në vitin 1999, Nelson Mandela bëri një zgjedhje të ngjashme - dhe në disa aspekte edhe më të fuqishme - kur hoqi dorë nga kandidatura për një mandat të dytë presidencial dhe u tërhoq nga jeta publike. Ai ishte protagonisti i mposhtjes së aparteidit, i pajtimit të Afrikës së tij të dashur të Jugut. Tani ishte koha t'ua linte të tjerëve korrjen e bimëve, që kishte mbjellë vetë e që i kishin kushtuar 27 vjet burg.

Në fund të fundit, koha e politikës mund të jetë shumë e frytshme edhe në periudha të shkurtra: Joe Biden i kanë mbetur “vetëm” 6 muaj para dorëzimit të postit, më 20 janar 2025. Duke mos pasur më nevojë të marrë vendime vetëm në funksion të fushatës zgjedhore, duhet shpresuar se presidenti amerikan do të ndërmarrë nisma të reja, të guximshme dhe krijuese për të arritur ato objektiva, që do të përcaktojnë trashëgiminë e tij në histori, veçanërisht në politikën e jashtme, duke filluar nga fundi i konflikteve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

(nga Alessandro Gisotti në L’Osservatore Romano, 24 korrik 2024)

22 korrik 2024, 15:26