Kërko

Masakra në Golan. Ipeshkvijtë Katolikë: "Akt i urryer dhune, braktisni armët"

Ipeshkvijtë e Kishës Katolikë të Tokës së Shenjtë dënojnë masakrën që ndodhi të shtunën në fshatin Druzë të Majdal Shams, në lartësitë e Golanit, në veri të Izraelit. Dymbëdhjetë fëmijë u vranë duke luajtur. Dje u mbajt funerali.

R.SH. / Vatikan

“Një akt dhune të papërshkrueshme dhe të neveritshme” që ngjall “dhimbje dhe indinjatë” tek të gjithë “ata që e konsiderojnë jetën të shenjtë”. Ipeshkvijtë që përbëjnë Asamblenë e Konferencës Ipeshkvore të Kishës Katolikë të Tokës së Shenjtë (midis tyre Patriarku Latin i Jerusalemit, Kard. Pierbattista Pizzaballa dhe Rojtari i Tokës së Shenjtë, At Francesco Patton) e dënojnë në mënyrë të prerë sulmin e shtunës së kaluar, në fshatin Druzë të Majdal Shams, në Lartësitë e Golanit, në veri të Izraelit.

Dymbëdhjetë fëmijë u vranë nga një raketë, me peshë 53 kg. të eksplozivit, e cila ra në një vend lojërash. Ky është numri më i lartë i viktimave civile izraelite që nga 7 tetori. Më i vogli ishte 10 vjeç, quhej Milad Muadad Al-Sha'ar, të tjerët ishin pak më të mëdhenj. Varrimi u bë dje në fshatin Majdal Shams. Mijëra persona shoqëruan dymbëdhjetë arkivole të mbuluara me çarçafë të bardhë, sipas zakonit të Druzëve.

Ushtria izraelite akuzoi menjëherë Hezbollahun se kishte lëshuar raketën, një Falaq-1, sipas gjetjeve të bëra menjëherë pas masakrës. Hezbollahu, nga ana e tij, mohon çdo përfshirje. Rreziku i zgjerimit të konfliktit rritet gjithnjë e më shumë me diplomacinë e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Gaza, nga i cili varen drejtpërdrejt përleshjet, të cilat kanë vazhduar prej nëntë muajsh, midis Hezbollahut libanez dhe ushtrisë izraelite.

29 korrik 2024, 21:00