Kërko

Varrezat e palestinezëve të shpërngulur Varrezat e palestinezëve të shpërngulur

OKB: Fëmijët viktima në Cisjordani janë shtuar me 250% që nga tetori

UNICEF-i vë në dukje "dhunën e tmerrshme" kundër fëmijëve në Bregun Perëndimor të Palestinës, ku janë vrarë 143 prej tyre që nga shpërthimi i luftës në Gaza

R.SH. – Vatikan

Në një notë për gazetarët, UNICEF-i, organizata e OKB-së për fëmijët, thekson se viktimat në moshë të njomë në Cisjordani të Palestinës janë shtuar me 250% që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas, në tetor të vitit të kaluar. Edhe pse lufta po zhvillohet vetëm në Rripin e Gazës, komunikata e OKB-së tregon se ajo ka pasoja vdekjeprurëse për gjithë civilët palestinezë, pavarësisht nga zona e tyre e banimit.

Rripi i Gazës dhe Cisjordania janë dy gjysmat e atij, që Vatikani – së bashku me shumicën e vendeve të botës – e njeh si shtet i Palestinës.

Dhuna “e tmerrshme” kundër fëmijëve

Nota e OKB-së vë në dukje se në Cisjordani – përfshirë Jerusalemin Lindor – që nga tetori 2023, janë vrarë 143 fëmijë, një rritje prej gati 250 për qind krahasuar me nëntë muajt e mëparshëm, gjatë të cilëve u vranë 41 fëmijë palestinezë.

Në të njëjtën periudhë, shton OKB-ja, në Bregun Perëndimor janë vrarë dy fëmijë izraelitë. Gjithashtu, gjatë këtyre nëntë muajve të fundit, më se 440 fëmijë palestinezë janë plagosur me armë zjarri. Drejtoresha e UNICEF-it, Catherine Russell, deklaron se fëmijët, që jetojnë në Cisjordani, kanë qenë nën “dhunë të tmerrshme" që prej shumë vitesh, por situata kohët e fundit është "keqësuar ndjeshëm".

 “Kemi njoftime të shpeshta për fëmijë palestinezë, që ndalohen rrugës nga shtëpia për në shkollë” pohon drejtoresha, “ose qëllohen, ndërsa ecin normalisht në rrugë. Dhuna duhet të ndalet menjëherë”. Pavarësisht se numri i fëmijëve viktima në Cisjordani është i lartë, ai s’ka të krahasuar me Gazën. Në maj, një raport i OKB-së deklaronte se në ato territore kanë vdekur së paku 7.797 fëmijë dhe se, nga vdekjet e përgjithshme në Rripin e Gazës, 52% janë gra dhe fëmijë.

Papa: civilët në Gaza "në limit"

Papa Françesku ka bërë gjithnjë  thirrje për armëpushim në Gaza, që nga 27 tetori 2023, më shumë se pothuajse çdo lider tjetër evropian. Në mesazhin e tij të Pashkëve për këtë vit, vuri në dukje se popullsia civile e Gazës është "në limitin e duresës".

“Shoh shumë vuajtje në sytë e fëmijëve: fëmijët në ato troje kanë harruar si buzëqeshet! Me ata sy - pati thënë Papa Françesku - ata na pyesin: ‘Pse? Pse gjithë kjo vdekje? Pse gjithë ky shkatërrim?’ Lufta është absurditet, lufta është gjithnjë humbje!"

23 korrik 2024, 15:15