Kërko

Gërmime në Piazza Pia Gërmime në Piazza Pia 

Romë. Të papritura të reja arkeologjike në Piazza Pia, zbulohet portiku i Kaligulës

Vazhdon puna për çmontimin e fullonikeve - a lavanderive - të epokës perandorake, zbuluar kohët e fundit gjatë punimeve përgatitore të jubileut. Operacionet e kryera paralelisht me gërmimet stratigrafike, nxorën në dritë disa struktura të rëndësishme të lashta, me faza nga gjysma e parë e shekullit I pas Krishtit. Në veçanti, u zbuluan mbetjet e një portiku me pamje nga Tiberi dhe kopshte të mëdha, që i përkisnin perandorit Kaligula.

R. SH. - Vatikan

Një kopsht luksoz, me pamje nga bregu i Tiberit: këto, mbetjet e reja që dolën gjatë gërmimeve arkeologjike në Piazza Pia, në Romë, në zonën ku do të ndërtohet një nënkalim në funksion të Jubileut të ardhshëm. Kopshti kufizohej nga një mur i fuqishëm tarracimi në opus kuadratum prej travertini, paralel me rrjedhën e lumit, përgjatë të cilit janë vendosur themelet me tulla të një portiku me kolona.

Follonica në Piazza Pia, Romë
Follonica në Piazza Pia, Romë

Pas zbulimit të fullonikës - a lavanderisë - së madhe, datuar nga gjysma e dytë e shek. II pas Krishtit, të ruajtur shumë mirë, me të gjitha pjesët - nga dolia, a qypat e mëdhenj "pa kokë" që përdoreshin si vaska për larjen e rrobave, deri te tre vaskat për shpëlarje - tani gërmimi, i kryer nga Mbikëqyrja e Posaçme e Romës, drejtuar nga Daniela Porro e koordinuar në terren nga arkeologia Dora Cirone me drejtimin shkencor të Alessio De Cristofaro, dokumentoi tri faza të tjera ndërtimi, nga epoka e Augustit, tek ajo e Neronit.

Ndër gjetjet, me rëndësi të dukshme, kujtojmë pjesën tjetër të një akuariumi me fistulën, a një gyp uji prej plumbi, mbi të cilin mund të lexohet mbishkrimi, C(ai) Caesaris Aug (usti) Germanici, Gaius Caesar Augustus i biri i Germanicus: bëhet fjalë për Kaligulën, perandor nga viti 37 deri në vitin 41 pas Krishtit.

Fistula aquaria (tubi i ujit) me mbishkrimin e pronarit, perandorit Caligula (Foto Fabio Calicchia)
Fistula aquaria (tubi i ujit) me mbishkrimin e pronarit, perandorit Caligula (Foto Fabio Calicchia)

Mund t'i japim kështu një emër pronarit të ujësjellësit, pra të gjithë zonës dhe të datojmë ndërhyrjen e parë ndërtimore të këtij kompleksi. Mbishkrimi, shumë i rëndësishëm edhe për arsye të tjera, vë në dukje Alessio de Cristofaro, mbasi na bën të kuptojmë se si kjo zonë ishte pjesë e Hortit - a kopshtijeve - të Agrippinës së Madhe, nënës së Kaligulës. Në shekullin e kaluar, zbulimi në Piazza Pia i fistulave a tubave të tjerë prej plumbi me mbishkrimin e emrit të Iulia Augusta, që sipas të gjitha gjasave është Livia Drusilla, gruaja e dytë e Augustit dhe gjyshja e Germanicus, çon në përfundimin se vila ishte e trashëguar nga anëtarët e familjes Augusta, deri tek Kaligula.

Muri, vepër katrore prej travertini, domethënë, shkëmbi gëlqeror
Muri, vepër katrore prej travertini, domethënë, shkëmbi gëlqeror

Veçanërisht të rafinuara, ndërmjet gjetjeve, janë disa pllaka Campana të gjysmës së parë të shekullit I-rë, të ripërdorura për të mbuluar kanalizimet e mëvonshme. Këto janë relieve terrakote të bëra në matricë, të realizuara dhe të pikturuara me skena heraldike dhe mitologjike, të cilat fillimisht kishin për qëllim të dekoronin çatitë.

Zbulimet arkeologjike na shoqërojnë në shtegtimin historik drejt së të kaluarës, por ngjallin edhe emocione e sugjerime. Nuk është e vështirë të jetojmë ca çaste me fantazi në kopshtin luksoz perandorak me pamje nga Tiberi. E pamjet bëhen përherë më të qarta, nëse disa burime letrare bashkohen dhe forcojnë të dhënat e gjetjeve materiale. Burime, që duket se kanë të bëjnë me historinë e kësaj zone, në bregun e djathtë të Tiberit.

Mur në opus quadrata
Mur në opus quadrata

Burime letrare dhe gjetje materiale

Filoni i Aleksandrisë tregon, në De legione ad Gaium, se kur ishte ambasador në Romë për të kërkuar ndërprerjen e persekutimeve të hebrenjve të Aleksandrisë, u përpoq të takonte për herë të parë Kaligulën, i cili, siç thotë ai, "pasi na përshëndeti për herë të parë në fushën e Tiberit, duke dalë nga kopshtet që ia kishte lënë e ëma, përsëriti përshëndetjen dhe tundi dorën e djathtë në shenjë dashamirësie...". Më pas Filoni flet për një pjesë jashtë Hortit të Agrippinës, pranë një hyrjeje pranë Tiberit. Seneka, në dialogun De ira, ndryshe prej të tij, shkruan: “Kaligula, ndërsa shëtiste në atë rrugë të kopshteve të nënës së tij, që ndan portikun nga lumi, ua preu kokën disave nën dritën e pishtarit, i rrethuar nga matronat dhe senatorët e tjerë...”. Në këtë rast përshkrimi është edhe më i saktë dhe duket se u jep substancë gjetjeve në Piazza Pia, duke folur për kopshtet dhe portikun e vilës së tij degli Horti që i zotëronte e që dikur i përkiste nënës së tij.

Në fragmentet, shkruar menjëherë pas vdekjes së perandorit, Philo shkruan se Kaligula nuk i përfilli fare kërkesat e hebrenjve të Aleksandrisë dhe të Senekës me brutalitetin e tij të padobishëm ndaj vetë senatorëve, por në të dyja rastet duket shumë qartë lidhja e ngushtë topografike ndërmjet Hortit. dhe Tiberit, siç mund të shihet nga zbulimet e reja të Piazza Pia-s, në një  shteg mbi të cilin deri dje kalonin  radhë të gjata makinash e këmbësorësh, pa menduar ç’fshihej nën këmbët e rrotat e tyre….në botën e shuar, që  rifillon të flasë me gjuhën e blerimit të kopshtijeve të lashta buzë Teverit, tani, zbulime të reja nën Piazza Pia, në Romë…

05 korrik 2024, 13:24