Donald Trump i shoqëruar nga agjentët e sigurisë pas sulmit (ANSA) Donald Trump i shoqëruar nga agjentët e sigurisë pas sulmit (ANSA)  (ANSA)

Atentati Tramp: Selia e Shenjtë: plagoset demokracia, jo dhunës

Ish-presidenti amerikan ishte në Butler, Pensilvani, kur një i ri, Thomas Matthew, e vuri në shënjestër, duke shkrehur disa të shtëna me pushkë nga një ndërtesë, ku më pas mbeti i vrarë. Një i vdekur dhe dy të plagosur mes turmës. Biden dhe kryetari i ipeshkvijve amerikanë Broglio i kundërvihen dhunës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike.

R.SH. / Vatikan

Makthi i Amerikës, presidentët - në këtë rast ish, por rishtas në garë - që përfundojnë në grykë të pushkës së atyre që duan t'i zhdukin. Dje ishte radha e Donald Trump-it, dramë gati-gati e humbur, që përfundoi me një plagë në veshin e djathtë, por që  e lëndon pa masë ndërgjegjen e një vendi, i cili përgatitet për zgjedhjet presidenciale në nëntor, në një klimë tejet të polarizuar.

Selia e Shenjtë: nuk duhet të sundojnë arsyet e njerëzve të dhunshëm

Një skenar që shqetëson edhe Selinë e Shenjtë: në mëngjesin e vonë të 14 korrikut, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Salla e Shtypit e Vatikanit pohoi se episodi i kësaj dhune "lëndon njerëzit dhe demokracinë, duke shkaktuar vuajtje dhe vdekje". Së bashku me ipeshkvijtë amerikanë - përfundon shënimi i shkurtër - Selia e Shenjtë lutet "për Amerikën, për viktimat dhe për paqen në vend, që arsyet e të dhunshmëve të mos sundojnë kurrë mbi ato paqësore".

Kisha e SHBA: dhuna, e padobishme në politikë

Në këtë shtjellë zërash, nuk mungon as zëri i Kishës Amerikane “Së bashku me vëllezërit e mi ipeshkvij, dënojmë dhunën politike e lutemi  për Presidentin Trump, si dhe për ata që u vranë a plagosur”, shkruan në një deklaratë presidenti i Ipeshkvijve amerikanë, Kryeipeshkvi Timothy P. Broglio. “Lutemi për vendin tonë dhe për t'i dhënë fund dhunës politike, e cila nuk është kurrë zgjidhje për mosmarrëveshjet politike”. Edhe Imzot Broglio pati shprehur një reflektim të ngjashëm, në një deklaratë të gjatë qershorin e kaluar. “Amerika mund të ecë përpara shumë më mirë. Nuk ka asnjë arsye që të përdorë dhunën për të zgjidhur çështjet politike”- pohoi ai, duke i ftuar të gjithë t’i zgjidhim konfliktet me “alternativa jo të dhunshme dhe efektive: dialog, votim, protesta paqësore”. Dhuna, vuri në dukje ai, përfundon vetëm me "viktima të pafajshme", duke minuar "rendin dhe shtetin e së drejtës”.

Sulmi

Trump ishte në Butler në orën 18:00 me kohën e Pensilvanisë, për një tubim, i rrethuar nga turma brohoritëse. Rreth orës 18:20 ndjehen disa të shtëna të mprehta në ajër. Ish-presidenti vë dorën në vesh dhe më pas zbret poshtë podiumit, ndërsa njerëzit e shërbimit të sigurisë nxitojnë për ta mbrojtur e  nga turma shpërthejnë britma të tmerruara. Fatkeqësisht, pati një të vdekur dhe dy të plagosur në publik. Trumpin e ndihmojnë të ngrihet menjëherë pas plagosjes në njërën anë të fytyrës, që është e njollosur me gjak. Para se të përcillet, dëgjohet zëri i tij që brohoret "luftoni!", duke ngritur grushtin e djathtë.

Të shtënat erdhën nga çatia e një ndërtese, jo shumë larg, ku snajperi i ri, një 20-vjeçar, i quajtur Thomas Matthew Crooks, qe pozicionuar me pushkë, duke iu shmangur kontrolleve. Aty edhe u vra nga agjentët e sigurisë.

Biden: në Amerikë nuk ka vend për gjeste të tilla

Presidenti Biden, i cili më vonë i telefonoi Trumpit që ta pyeste për gjendjen e tij, dënoi pa rezerva sulmin me një postim në X: “Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë. Ne duhet të bashkohemi si komb, për ta dënuar atë”, shkruan, ndërsa vala e komenteve në SHBA dhe në bashkësinë ndërkombëtare është kor i bashkuar mosmiratimi çdo orë.

14 korrik 2024, 11:26