Kërko

San Benedetto San Benedetto

Shën Benedikti, Abat, lutu e puno

Shën Benedikti, Abat, ati i jetës murgare perëndimore, e përmblidhte stilin e jetës për murgjërit e tij, në dy fjalë të vetme: “ora et labora”- “lutu e puno!”. E nga kundrimi, nga lidhja e fortë e miqësisë me Zotin, lind në ne aftësia për ta jetuar e për t’ua çuar dashurinë e Zotit, mëshirën, dhembshurinë e Tij edhe të tjerëve. E edhe puna jonë me vëllain nevojtar, puna jonë bamirëse në veprat e mëshirës, na e sjell Zotin pranë, sepse ne shikojmë pikërisht Zotin në vëllain që ka nevojë

R.SH. / Vatikan

Për figurën e Shën Benediktit, vepra dhe në mënyrë të posaçme rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror i cili, në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës shumë përtej kufijve të Atdheut të tij, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e kontinentit të vjetër. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë’.

Shën Benedikti, Abat, është ati i jetës murgare perëndimore, e përmblidhte stilin e jetës, që dëshironte për murgjërit e tij, në dy fjalë të vetme: “ora et labora”- “lutu e puno!”. E nga kundrimi, nga lidhja e fortë e miqësisë me Zotin, lind në ne aftësia për ta jetuar e për t’ua çuar dashurinë e Zotit, mëshirën, dhembshurinë e Tij edhe të tjerëve. E edhe puna jonë me vëllain nevojtar, puna jonë bamirëse në veprat e mëshirës, na e sjell Zotin pranë, sepse ne shikojmë pikërisht Zotin në vëllain e motrën, që kanë nevojë.

Nevojat konkrete të njeriut përmblidhen në rregullën e famshme të Shën Benediktit, që bazohet mbi dy fjalë: “Lutu e puno!”, të shkruara pesëmbëdhejtë shekuj më parë, por që mbeten çuditërisht moderne edhe për sot. Benedikti e quan Rregullën ‘të vogël, të hartuar vetëm për fillimin’; në të vërtetë kjo rregull jep këshilla të urta jo vetëm për murgjërit, por edhe për të gjitha ata që kërkojnë një prijës në shtegtimin e tyre drejt Hyjit. Për masën, humanizmin e dallimin ndërmjet asaj që ka rëndësi të dorës së parë e asaj që është dytësore në jetën shpirtërore, ajo e ruajti forcën deri më sot.

Rregulla e tij, që përmbledh traditën murgare lindore, duke e përshtatur me botën latine, hap rrugën e re të qytetërimit evropian, pas rënies së qytetërimit romak. Në brazdën e hapur nga Benedikti në mbarë kontinentin e vjetër, u mbollën e mbinë manastire të shumtë, qendra përshpirtërie të thellë dhe fanarë kulture e qytetërimi që vijojnë të japin dritë edhe sot, kur shumë prej tyre janë materialisht s’janë, veçse rrënoja, po gjithsesi vazhdojnë tё jenё shenja e simbol tё njё qytetërimi autentik, themel, i Evropёs.

Shën Benedikti është personazh simbolik, me rëndësi të dorës së parë për historinë e Evropës, sepse është urë që lidh kulturën e lashtë, do të thotë kulturën klasike - kujtojmë se ai u lind në Norçia ndërmjet mureve të këtij qyteti romak - dhe traditën patriotike e monastike. Ai mundi t’i bashkonte këto elemente në një mënyrë shumë të arsyeshme, shumë të moderuar, me shumë gjallëri.

11 korrik 2024, 10:39