Shenjtorët e javës 28 korrik - 4 gusht
R.SH. - Vatikan
E diel 28 korrik, Kisha katolike kremton tё Dielёn e 17-tё gjatё vitit kishtar, ciklit tё dytё. Gjithnjё mё 28 korrik, kalendari kishtar pёrkujton shёn Urbanin II papë, shën Nazarin e Çelsin, martirë milanezë dhe shën Vitorin papë.
Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni (Gjn 6,1-5) rrëfen episodin e famshëm të shumëzimit të bukëve dhe tё peshqve, me të cilin Jezusi ushqen rreth pesë mijë njerëz që kishin ardhur për ta dëgjuar atë (krh. Gjn 6: 1-15). Është interesante të shohim se si ndodh kjo mrekulli: Jezusi nuk i krijon bukët dhe peshqit nga asgjëja, por vepron duke u nisur nga ato që i sjellin dishepujt. Njëri prej tyre thotë: "Këtu është një djalë që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq; por çfarë është kjo për kaq shumë njerëz? " (rr. 9). Është pak, nuk është asgjë, por është e mjaftueshme për Jezusin. Ja mrekullia: më shumë se shumëzim, është ndarje e përbashkët, e frymëzuar nga feja e nga lutja. Hëngrën të gjithë e edhe teproi: është simboli i Jezusit, bukë e Zotit për njerëzimin.
Tё hёnёn më 29 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Martën, shën Lazrin, shën Olafin, shenjtorët Simpliçin, Faustinin, Beatriçjën, Feliçin e Rufin, martirë.
Tё martёn mё 30 korrik, kalendari kishtar përkujtohen shën Pjetër Krizologu, ipeshkëv i Ravenës e Dijetar i Kishës, shën Leopoldo Mandiç e shën Donatela me shoqe.
Të mërkurën më 31 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Injacin e Lojolës, meshtar, themelues i Shoqërisë së Jezusit. Protagonisti i madh i reformës katolike të shekullit XVI u lind në Azpeitia (zona bake e Spanjës), më 1491. Filloi karrierën kalorsiake, por përjetoi kthimin rrënjësor në fe, duke lexuar jetët e shenjtorëve. Kaloi më se një vit në lutje në qytezën e Manrezës, ku vendosi të themelonte Shoqërinë e rregulltarëve. Priftërinjtë shtegtarë, që iu bashkuan misionit të tij, u quajtën që në fillim jezuitë dhe u përhapën në mbarë botën.
Tё enjten mё 1 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Alfonsin Maria de’ Liguori, ipeshkëv e Dijetar i Kishës, autori i muzikës së këngës së famshme të Krishtlindjes, “Ti ulesh prej Parrizit”.
Tё premten më 2 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Euzebin nga Verçeli dhe shën Pjetrin Gjuliano Einard, meshtar, themelues i Sakramentinëve.
Të shtunёn, më 3 gusht, kalendari kishtar pёrkujton shën Lidien, dishepulle e shën Palit Apostull, shën Eufronin e shën Asprenaton. Është e premtja e parë e muajit, rast për t’u pajtuar me Zemrën e Krishtit.
Tё dielёn e ardhshme me 4 gusht, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielёn e 18-tё gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. Po mё 4 gusht kalendari kishtar përkujton shën Gjonin Maria Vianej, pajtor qiellor i klerit, që kujdeset për shpirtrat e besimtarëve.