Shenjtorët e javës 7 - 14 korrik
R.SH. / Vatikan
E diel 7 korrik Kisha katolike romake kremton të dielën e 14-të gjatë vitit, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. E gjithnjë më 7 korrik kalendari përkujton edhe shën Astin ipeshkëv të Durrësit e martir dhe shën Benediktin XI, papë.
Ungjilli i kësaj së diele nga Marku (Mk 6,1-6) ndalet te mosbesimi i banorëve të Nazaretit në shërimet që Jezu bëri para syve të tyre. Fragmenti shkëputur nga Marku, na tregon se Jezusi, si u kthye në Nazaret, qyteti i tij, hyri në sinagogë dhe nisi të japë mësim. Mund të duket sukses, ndërsa shndërrohet në refuzim të bujshëm. Për banorët e Nazaretit, Zoti është tepër i madh. Nuk mund të ulet e të flasë përmes një njeriu kaq të thjeshtë! Jemi përballë një shkandulli! Shkandullit të mishërimit: ngjarje tronditëse! Një Zot, që bëhet njeri, që mendon me mendje njeriu, punon e vepron me duar njeriu, do me zemër njeriu. Kjo sepse nuk hapen para mirësisë së Zotit, që ka dashur të ndajë bashkë me ne njerëzimin tonë. Në realitet Jezusi i Narazetit është transparenca e Hyjit, në Të Hyji banon plotësisht.
Të hënën më 8 korrik. kalendari kishtar përkujton shenjtorët Eugjeni III papë dhe Aquila e Prishila, nxënës të shën Palit.
Të martën më 9 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Agostin Zhao Rong, meshtar e shokët e tij, martirë kinezë, shën Adrianit III papë dhe shën Veronika Gjulianin, abateshë, klarise kapuçine.
Të mërkurën më 10 korrik, kalendari kishtar përkujton shenjtoret Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire.
Të enjten më 11 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Benediktin Abat, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi - e të Shën Piut I papë.
Të premten më 12 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Gjon Gualbertin, abat, themlues i Valombrozanëve dhe shenjtorët Naborin e Feliçin, martirë milanezë.
Të shtunën më 13 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Enrikun II perandor, shën Esdrën, skribë e shën Silën, nxënës i shën Palit.
Të dielën e ardhshme më 14 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik, e gjithnjë më 14 korrik kalendari përkujton edh shën Kamilin de Lelis, meshtar, themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve.