Shenjtorët Joakimi dhe Ana, histori e pafundme dashurie
R.SH. - Vatikan
Më 26 korrik kujtojmë çdo vit shenjtorët Joakimin dhe Anën. Ishte Shën Pali VI ai që i bëri bashkë të dy, në të njëjtën festë, në vitin 1969, me rastin e reformimit të kalendarit të ri liturgjik të Kishës katolike romake. Më parë kujtoheshin në ditë të veçanta: për Anën përvjetori ishte njësoj si sot, ndërsa festa e Joakimit kremtohej më 16 gusht. Nuk ka dyshim që u shkonte më për shtat të kremtoheshin bashkë, ashtu si kishin jetuar së bashku, si prindër të Marisë dhe gjyshër të Jezusit.
Në Shkrimet e Shenjta të Biblës, Ana dhe Joakimi nuk duken kurrë, por, sipas Etërve Lindorë të Kishës, historia e tyre është e ngjashme me atë të Elkanah dhe Anës, në Librin e Parë të Samuelit (1-28), ku dëgjohen lutjet e gruas beronjë e Zoti i dhuron një djalë. Historitë e prindërve të Marisë tregohen gjerësisht në Ungjijtë apokrifë, për herë të parë në Protoevangelium-in e Jakobit, që daton nga mesi i shekullit II pas Krishtit e, për këtë arsye, edhe në Ungjillin e Pseudo-Mateut e në Evangelium de nativitate Mariae, duke depërtuar më pas në Legjendën e Artë mesjetare të Iacopo da Varazze. Gjatë tregimeve, ndalemi në rindërtimin e gjenealogjisë së tyre dhe gjendjes së tyre shoqërore, në mënyrë që të bëhet i qartë filli i kohës i cili, nga fisi i Levit për Anën dhe prejardhja nga Davidi për Joakimin, të çon në lindjen e Jezu Krishtit, Zotit që erdhi mbi tokë, por edhe Njeriut të historisë.
Origjina dhe devocioni në art
Në disa figura artistike shohim praninë e Joakimit dhe të Anës pranë Marisë, e cila mban në krahë Birin hyjnor, si në Madonna Baglioni, vepër e Andrea Previtalit, që datohet ndërmjet viteve 1512 dhe 1513 ose piktura e realizuar me vaj e Luca Giordano, e cila vendos ndërmjet prindërve Virgjërën e vogël (shek. XVII). Përballë këtyre veprave ndjejmë emocion dhe ëmbëlsi, si për moshën e shtyrë të dy bashkëshortëve, ashtu edhe për vogëlushen Mari, nën kujdesin e tyre plot dashuri.
Megjithatë, prania e Joakimit është më pak e shpeshtë se e Anës, përkushtimi i së cilës të bie më shumë në sy. Duke treguar, kështu, se amësia ka qenë gjithmonë themelore dhe e vlerësuar me respekt të lartë, edhe në kontekstet historike e sociale patriarkale.
Në shekullin e VI, Justiniani ndërtoi një kishë kushtuar nënës së Marisë, ndërsa në Romë gjejmë relike të saj dhe disa piktura në kishën e Santa Maria Antiqua, në Forumin Romak, që datojnë në shekullin e VI. Është afresku me Nënat e Shenjta: Virgjëra me Foshnjën, Shën Anna me Marinë dhe Elizabeta me Shën Gjonin e mitur. Më në fund, Papa Leoni III, në shekullin e 8-të, i dhuroi bazilikës së Shën Marisë së Madhe një pëlhurë altari, të qëndisur me skena nga Lajmërimi i shenjtorëve Joachim dhe Ana.
Gjyshja, Nëna, Djali
Ikonografia që duket më shpesh, është ajo e Marisë ulur pranë nënës dhe të birit. Ndonjëherë duket edhe Shën Gjoni, kushëriri i Jezusit: kujtohet kështu, pikërisht mjedisi i ëndërruar dhe i lumtur shtëpiak i fëmijërisë. Femrat janë protagoniste. Në lindjen e Marisë nuk mungon skena e zakonshme e banjës së parë të porsalindurit, siç duket në shumë piktura kushtuar lindjes së Krishtit. Mamitë janë simbol i qartë, që ndjekin zyrtarisht lindjen dhe veprojnë si dëshmitarë.
Historitë e dy bashkëshortëve
Në mesjetë, ngjarjet e çiftit të martuar të transmetuara nga apokrifët u përhapën gjerësisht: dëbimi i Joakimit nga tempulli sepse ishte pa fëmijë, rikthimi i tij në kullosat e barinjve, flijimi i një qengji, ëndrra dhe vegimi i engjëllit, që paralajmëron lindjen e Marisë. E përsëri engjëlli, që i duket Anës na çon në Lajmërimin e Marisë. Çasti i fundit, kulmor i rrëfimit është takimi i dy bashkëshortëve në Portën e Artë të Jeruzalemit: bashkëshortët e moshuar ribashkohen në gëzim, sepse do t'u lindë një vajzë. Cikli i Tregimeve të Joakimit dhe Anës, i afreskuar nga Giotto ndërmjet viteve 1303 dhe 1305 në kapelën Scrovegni në Padova, është më i famshmi. Figuracione “të sakta”, që duket se u japin jetë fjalëve të Legjendës së Artë, duke i përkthyer përsosurisht, çast pas çastit, fjalë për fjalë. Sigurisht që artisti është frymëzuar nga ikonografitë e mëparshme bizantine, por me ndikime novatore, duke i përzjerë në mënyrë harmonike simbolet dhe synimet, ndjenjën dhe përshpirtërinë.
Është gjithashtu e habitshme se si disa nga paraqitjet e Joakimit dhe Annës janë pasqyrë e rrëfimeve të Jozefit e Marisë, gjithmonë bashkë - kurrë vetëm - në Scrovegni. Joakimi, i cili mirëpret vizionin e engjëllit në ëndrrën e tij, përshkruhet në pozicionin identik të përkulur të Jozefit, i cili nga ana e tij ëndërron; e Shën Anna duket e ngjashme me Marinë në njoftimin e engjëllit, e zhytur në një mjedis të ngjashëm, në një dhomë.
Të admirueshme janë edhe afresket e Ghirlandaio-s, në kapelën Tornabuoni të Bazilikës së Santa Maria Novella, në Firence, me dëbimin e Joachimit nga tempulli dhe Lindjen e Marisë, që datojnë nga 1485 deri në 1490.
Takimi i Joakim dhe Annës në Portën e Artë
Ikonografia më e përsëritur, megjithatë, është takimi i Joakimit e Annës në Golden Gate. E çasti, sipas të cilit, në përqafimin e tyre, nisi shtatzania e Marisë. Pas një periudhe ndarjeje, kur edhe Anna mendonte se ishte tashmë e vejë, gëzimi shpërthen me sigurinë se lutjet e tyre janë dëgjuar. Artistët e përfaqësojnë këtë çast teksa janë kapur për dore, përballë njëri-tjetrit. Ka shumë shembuj si p.sh. në kanavacë nga Filippino Lippi, që daton midis 1440 dhe 1445 dhe ruhet në Muzeun Ashmolean në Oksford. Modelja duket si pozimi klasik i “bashkëshortëve” në sarkofagët e epokës perandorake romake.
Puthja e bashkëshortëve
Një variant i ikonografisë, i gjetur në disa artistë të shekullit të 14-të si Turone, propozon një zgjidhje tjetër, por ende është Giotto ai që prin rrugës. Puthja që Joakimi dhe Anna shkëmbejnë është edhe puthja e parë e dashurisë e pikturuar në botën e krishterë. Sy për sy, me duart e saj rreth qafës, ashtu siç përshkruhet në apokrife, duke e përqafuar butësisht bashkëshortin. E kjo të kujton një puthje tjetër, të pikturuar nga Giotto, në të njëjtën kishëz Scrovegni: është ajo e Judës që nuk e përqafon, por e shtrëngon Krishtin si me një morsë. Ndërsa Gioacchino dhe Anna me qëndrimin e tyre, përfaqësojnë plotësisht qëllimin e martesës si sakrament.
Frytet e begata të pleqërisë
Duket edhe emblematike sesi kjo paraqitje e parë e puthjes së dashurisë nuk ka të bëjë me dy të porsamartuar, por me dy bashkëshortë të moshuar. Nëse ndalemi së reflektuari, forca e kësaj puthjeje na sjell në mendje sakaq fjalët e Papës Françesku, i cili vazhdimisht na kujton bukurinë, vitalitetin dhe butësinë e pleqërisë, veçanërisht në mesazhin për Ditën II Botërore të Gjysheve dhe të Gjyshërve. Të moshuarit, citon duke u nisur nga vargu i një psalmi: “Në pleqëri do të japin akoma fryte” (92,15).