Shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare për Radio Vatikanin

Shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare, në mikrofonin e Radio Vatikanit, në gusht të vitit 2006, foli për rivendosjen e vlerave shpirtërore, rolin e fesë në shoqëri dhe vlerësimin e figurës së Skenderbeut. “Përmasa e fesë është e rëndësishme për pasurimin shpirtëror të njerëzimit dhe për sensin pozitiv të gjërave në këtë botë. Besimi fetar me atdheun nuk janë në kundërshtim", pati thënë mes të tjerash Kadare në bisedë me kryeredaktorin e programit shqip të Radio Vatikanit dom David Xhuxhën

R.SH. / Vatikan

Programi Shqip i Radio Vatikanit, sot Vatican News, pati zhvilluar në gusht të vitit 2006 një bisedë me shkrimtarin e shquar shqiptar Ismail Kadare. Temat e prekura, me atë rast, në bashkëbisedim shkojnë nga fusha shoqërore, politike tek ajo fetare, kulturore e historike. Pavarësisht nga diskutimet e polemikat, që mund të shkaktojë figura e tij dhe qëndrimi që mbajti gjatë jetës, intervista dëshmon se shkrimtari i pati bërë vetes disa pyetje të vështira edhe për gjithçka pati përshkruar negativisht në shkrimet e tij. Po jua propozojmë, duke ia lënë Atit Qiellor t'ia gjykojë përgjigjet...

"Përmasa e fesë është e rëndësishme për pasurimin shpirtëror të njerëzimit dhe për sensin pozitiv të ecjes së gjërave në këtë botë... Sigurisht ka shumë për të bërë për të rivendosur vlerat shoqërore të dëmtuara në këtë kohë shumë të vështirë, një nga kryesoret për këtë është rivendosja e atyre vlerave shpirtërore që janë marrë nëpër këmbë. Rivendosjen e pozitivitetit shpirtëror, si të thuash. Kësaj duhet shtuar vlerat njerëzore që nuk dalin kurrë nga moda, siç thuhet, përkundrazi, janë gjithmonë me vlerë të përjetshme.

Dhe një nga këto, për shembull, është besimi në të mirën, besimi në pozitivitetin, besimi në rëndësinë, që ka ajo që quhet shpirtërore te njeriu, të disa vlerave të epërme. Kjo lidhet gjithashtu për t’u bërë më e rrokshme, më reale siç thuhet, lidhet me rivendosjen e një dashurie, që shpesh gjithashtu është dëmtuar, ndaj Atdheut. Sepse besimi fetar me atdheun nuk janë në kundërshtim me njëri- tjetrin, siç ishte menduar... Kjo është një gjë shumë e madhe, kjo rivendosje e vlerave që ka të bëjë me fatet konkrete të çdo populli, të çdo vendi dhe të gjithë njerëzimit bashkarisht”, pati thënë mes të tjerash shkrimtari shqiptar Ismail Kadare në bisedë me kryeredaktorin e programit shqip të Radio Vatikanit dom David Xhuxhën. Intervista u transmetua më 31 gusht 2006.

Ismail Kadare në mikrofonin e dom David Xhuxha, gusht 2006
03 korrik 2024, 16:25