Trashëgimia e Shën Benediktit, dritë për Evropën

Kisha kujtoi sot, 11 korrik, Shën Benediktin, themelues i Urdhërit benediktin, Pajtor i Evropës. Jeta e tij, e pasqyruar tek “Rregulla”, përmblidhet në moton “ora et labora!” “lutu e puno!”. Dom Fabrizio Messina Cicchetti: “Kërkimi i vërtetë i paqes për Evropën, për Ukrainën, për Rusinë e për të gjitha vendet që përfshihen në këtë shfarosje të kotë, është ta gjejnë në Krishtin, burimin e dritës”.

R. SH. - Vatikan

“Njeri i Zotit, që shndriti mbi këtë tokë me një mori mrekullish, e jo më pak, edhe me gojtarinë, me të cilën diti ta paraqesë doktrinën e tij”. Me këto fjalë e përshkruan Shën Gregori i Madh, Shën Benediktin e Norçias, që jetoi në shekujt V dhe VI pas Krishtit dhe u shpall Pajtor i Evropës në vitin 1964, nga Papa Pali VI. Themelues i monakizimit perëndimor, Shën Benedikti pati ndikim themelor mbi kulturën evropiane. Rregulli i tij është shkrirje e përshpirtërisë lindore, me zellin perëndimor për punë. Prej këndej motoja “ora et labora” shkon krah për krah me Ungjillin e mishëruar. Evropa, e plagosur në shekullin e njëzetë nga dy luftëra botërore e tani e tronditur nga konflikti në Ukrainë, ka nevojë për punë dhe për lutje”. Këtë nënvizon Dom Fabrizio Messina Cicchetti, famullitari i Katedrales së Shën Skolastikës të Abacisë territoriale të Subiacos, duke shtuar se sot Shën Benedikti do të theksonte veçanërisht një fjalë: paqe!

Si është e mundur, në skenarin aktual evropian të shkatërruar nga lufta në Ukrainë, të përshkojmë shtigjet e paqes, mbi gjurmët e Shën Benediktit?

“Kur Shën Benedikti e nisi udhën e tij, nëpërmjet kërkimit shumë personal të Zotit, ai e bëri këtë duke u ngjitur në Subiako dhe duke e kërkuar Zotin. Kjo ishte përvoja e parë të tipit eremitik. Siç na kujton Shën Gregori i Madh, Benedikti jetoi vetëm me vetveten, nën sytë e Zotit, në kërkim të Zotit, domethënë, në kërkim të paqes. Kërkoi paqen për vete, po shumë shpejt, edhe për dishepujt e tij. Përuroi, a më mirë të themi vazhdoi kështu, ecjen në gjurmët e Ungjillit, duke krijuar një mënyrë të re jetese! Ndërsa lutej në mal, takoi Krishtin, të shndërruar, ashtu si e panë dishepujt. Dhe në atë dritë dëgjoi zërin e Atit, që  thoshte: “Ky është im Bir”. Kërkimi i vërtetë i paqes për Evropën, për Ukrainën, për Rusinë dhe për të gjitha vendet e përfshira në këtë masakër të kotë, është ta gjesh në Krishtin burimin e paqes, të dritës. Siç bëri Shën Benedikti. Paqe, që nuk është vetëm intime, personale. Por paqe që vërtet mund t’u dhurohet të tjerëve sepse është paqja e Krishtit. Ai vetë e ka thënë: “Po ju lë paqen time, jo siç e jep bota”.

Për të gjetur udhët e paqes, Evropa duhet të rizbulojë identitetin e saj, rrënjët e saj. Duhet të rindërtohet mbi dy shtyllat benediktine: lutjen dhe punën. A mund ta ndihmojnë këto gurë kilometrikë Evropën të dalë nga errësira, ku është zhytyr, në dritën e “lutjes e të punës”?

“Besoj se po, mbasi përvoja e Shën Benediktit, edhe pse disa shekuj larg nesh, mbetet gjithnjë aktuale: kush lidhet fort me Ungjillin, i cili njeh në Krishtin, Atë që duhet ndjekur dhe duhet imituar, mund të krijojë vetëm paqe, vetëm ndërgjegjësim për të jetuar në lutje e punë, që domethënë, në  takim me Zotin. Me lutje të përbashkët, që shndërrohet në takim me vëllezërit në rrugën e përditshme të jetës, së bashku me Krishtin. Lutja dhe puna janë gurët e themelit të Rregullit të Shën Benediktit, por janë edhe gurët e themelit të një shoqërie, të një vendi që me të vërtetë dëshiron të rizbulojë lirinë dhe identitetin, duke jetuar nën shikimin e Ungjillit, një epokë të re paqeje dhe qetësie”.

Manastiret e shumta, të ndërtuara në gjurmët e karizmës së Shën Benediktit janë një nga trashëgimitë e çmuara të Shenjtit Pajtor të Evropës. Këto hapësira lutjeje, të përhapura në mbarë botën, sot janë pishtarë, që shndrisin udhën e shpresave për pajtim...

“Gjatë shekujve, monakizmi benediktin u përhap fillimisht në kontinentin evropian, më pas, në të gjithë botën. Sot Urdhri, me manastiret e tij, është i pranishëm në të pesë kontinentet. Manastiret janë padyshim garancia e pranisë së burrave dhe grave, që i kushtohen krijimit të bashkimit. Janë vende lutjeje dhe pune, por mbi të gjitha, vende bashkimi. Benedikti përshkruan, në Rregull, edhe mikpritjen: manastiret janë shtëpia e Zotit dhe e mikut! Ku të gjithë mikpriten e kanë mundësinë të provojnë ngushëllimin dhe forcën e lutjes së përbashkët, të punës së përbashkët dhe të kërkimit të përbashkët të Zotit!”.

Cili do të ishte mesazhi i Shën Benediktit sot, në këto ditë të vështira? Çfarë do të na thoshte?

“Besoj se Shën Benedikti, i mbiquajtur “pacis nuntius” (lajmëtar i paqes) nga Papa Pali VI, kur u shpall Pajtor i Evropës, do të na drejtonte një fjalë të vetme, më aktualen: paqe! Nuk është fjalë e vjetëruar, as koncept abstrakt, por e vërtetë, që duhet ndjekur e duhet jetuar. Paqja, të cilën vijon të na e propozojë Benedikti, është paqja e Krishtit. Është paqja për të cilën Krishti dha jetën. Nëse nuk ia hapim dyert Krishtit, nuk do të kemi kurrë paqe!”.

 

11 korrik 2024, 10:43