Vritet Haniyeh, lideri politik i Hamasit në Iran. Nga Izraeli, rezervë zyrtare

Sipas një lajmi komunikuar nga Hamasi, thuhet se lideri i grupit islamik, Ismail Haniyeh u vra nga një sulm ajror në Teheran, që mendohet se ishte i Izraelit, i cili deri tani nuk e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin. I ashpër, dënimi i presidentit palestinez Abu Mazen, që e quan ngjarjen: "Akt burracakësh e zhvillim i rrezikshëm". Iranianët flasin për hakmarrje!

R.SH. / Vatikan

Thuhet se ishte sulm izraelit, ai që e goditi shtëpinë në Teheran, ku strehohej lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili kishte mbërritur në Iran për të marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të detyrës së Presidentit iranian Massoud Pezeshkian - sipas një deklarate të grupit islamik palestinez. Thuhet se me të duhet të jetë vrarë edhe një nga shoqëruesit e truprojës. Varrimi është caktuar për nesër, 1 gusht, në kryeqytetin iranian.

Heshtja e Izraelit

Heshtje zyrtare dhe asnjë marrje përgjegjësie tani për tani nga ana e Izraelit - sipas deklaratave të Radios Ushtarake izraelite. Ndërsa reagimi nga Hamasi ishte i menjëhershëm. Për Hamasin "vrasja e Haniyeh është shkallëzim serioz, por që nuk do t’i arrijë objektivat" e krahut ushtarak, i cili tashmë ka kërcënuar "pasoja të mëdha". I ashpër, dënimi  i presidentit Abu Mazen, që e quajti vrasjen "akt frikacak e zhvillim i rrezikshëm", dhe i bëri thirrje "popullit palestinez për unitet, durim e qëndrueshmëri përballë pushtimit izraelit".

Reagimet

Vrasja e liderit të Hamasit vijon të ngjallë komente dhe qëndrime në frontin ndërkombëtar. Irani shpalli tri ditë zije kombëtare, ndërsa udhëheqësi suprem i vendit zotohet për hakmarrje. Ajatollah Ali Khamenei kujtoi se Izraeli “përgatiti një dënim të ashpër për vetveten”. I fortë, edhe dënimi i Turqisë për atë që Ankaraja e quan "vrasje të turpshme", “ që synon ta shtrijë luftën e Gazës në një përmasë rajonale". Rusia denoncoi "vrasjen e papranueshme politike, që do të çojë në shkallëzim të mëtejshëm të tensioneve". Edhe rebelët jemenas Houthifolën për vrasjen e liderit të Hamasit. Sipas tyre "vënia në shënjestër e Ismail Haniyeh është krim mizor terrorist dhe shkelje flagrante e ligjeve dhe vlerave ideale". Ndërkohë politika e Izraelit nuk do të ketë asnjë ndryshim në terren për sa i përket strategjisë së tij të mbrojtjes së brendshme. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, i cili foli për “vlerësimin e situatës” nga komanda ushtarake.

31 korrik 2024, 12:55