Më 1 gusht kalendari kujton shën Alfonsin Maria de’ Liguori

Shën Alfons Maria de’Liguori, mësues i madh i teologjisë morale e model virtytesh kristiane e baritore, gjithnjë i gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave fetare të popullit. Shën Alfons Maria de’ Liguori, na thërret ta shikojmë jetën me optimizëm. Qe një dëshmitar i ndritshëm ti dashurisë së krishterë. Shenjti, themelues i Redentoristëve, që jetoi në Napoli, në shekullin XVIII

R.SH. - Vatikan 

Shën Alfonsi Maria de’ Liguori figurë madhore e shumë popullor, qe një dëshmitar i ndritshëm ti dashurisë së krishterë. 

Shën Alfons Maria de’Liguori, mësues i madh i teologjisë morale e model virtytesh kristiane e baritore, gjithnjë i gashtën për t’iu përgjigjur nevojave fetare të popullit. Shenjti, themelues i Redentoristëve, që jetoi në Napoli, në shekullin XVIII, na kujton se jeta duhet parë me sy optimistë, duke besuar në burimet e së mirës, që Zoti nuk ia kursen asnjë njeriu. Kisha e nënvizon rëndësinë e mësimit të doktrinës morale e cila, sipas Shën Alfonsit de’ Liguori, duhet shoqëruar gjithnjë me mëshirë e mirëkuptim.

“Kush lutet, shëlbohet”, na kujton mes tjerash edhe këtë moto Shën Alfonso Maria de’ Liguorit, Shenjti i dashurisë së krishterë dhe dijetari i Kishës. Ndonëse ishte avokati më i shkëlqyer i Napolit të kohës së vet dhe bir i një prej familjeve më të kamura, Alfonsi e kuptoi se Zoti po e thërriste për një detyrë të re: detyrën e meshtarit ndërmjet të varfërve. Duke iu përgjigjur zërit të Zotit, ai u largua përgjithnjë nga gjykata e u bë avokat i mëshirës dhe i dashurisë hyjnore në gjirin e shoqërisë napolitane të fillimit të ‘700-ës. E, për ta vijuar, edhe pas tij, ungjillëzimin ndërmjet njerëzve më tëpërvuajtur të kësaj shoqërie, themeloi Redentoristët. 

Alfonsi arriti rezultate shumë të mira: në lagjet më të mjera të qytetit shumëfishoheshin grupet e njerëzve, që mblidheshin mbrëmjeve në shtëpi private e në dyqane, për t’u lutur e për të medituar Fjalën e Zotit, kryesuar nga disa katekistë të formuar nga don Alfonsi dhe nga meshtarë të tjerë, që i vizitonin rregullisht grupet e besimtarëve.

Këto takime, që nisën të njiheshin me emrin “kapelat serotine”, u bënë burim i edukimit moral, duke i shëruar plagët shoqërore deri në atë masë, sa falë impenjimit të Shenjtit, në Napoli, krimet pothuajse u zhdukën fare. Kapelat serontine janë model veprimtarie misionare, burim frymëzimi edhe për ungjillëzimin e ri të kohëve tona, posaçërisht ndërmjet njerëzve më të varfër, si dhe për edukimin me frymën e bashkëjetesës më të drejtë, më vëllazërore e më solidare.

Shën Alfonsi nuk u kufizua vetëm me veprimtarinë në rrugët e në skutat më të errëta të qytetit. Nisi të njihej nga afër edhe me fshatarët, duke shkelur në zonat më të braktisura të Mbretërisë së Napolit e duke iu kushtuar i tëri këtyre njerëzve, të varfër materialisht e shpirtërisht. Për vijimin e kësaj veprimtarie, themeloi Kongregatën e meshtarëve redentoristë që, u bënë meshtarë endacakë. Endeshin shtëpi më shtëpi e fshat më fshat, duke u bërë njerëzve thirrje për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për të jetuar si të krishterë, posaçërisht përmes lutjes. Përveç kësaj, Shenjti iu kundërvu vizionit të zhansenistëve, sipas të cilëve Zoti është gjykatës i rreptë, që nuk të fal. Kisha kujton edhe mësimin e pasur të teologjisë morale, që na la trashëgim Shenjti i mëshirës e i ëmbëlsisë.

Barinjtë e shpirtrave dhe rrëfyesit, Alfonsi i këshillonte të ishin besnikë ndaj doktrinës morale katolike, por pa harruar t’i trajtonin pendestarët me dashuri, mirëkuptim, ëmbëlsi, në mënyrë që ata ta ndjenin se kishin pranë bariun, që do t’i shoqëronte, do t’i mbështeste, do t’i inkurajonte në rrugën e fesë e të jetës së krishterë.

Shën Alfonsi nuk lodhej kurrë duke përsëritur se meshtarët janë shenjë e dukshme e mëshirës së pakufishme të Zotit, që fal, që e ndriçon mendjen e zemrën e mëkatarit, duke i krijuar mundësinë të bëjë kthesë e të nisë udhën e një jete të re. Në epokën tonë, në të cilën shikojmë shenja të qarta të humbjes së vetëdijes morale e, duhet pranuar, edhe të mungesës së vlerësimit për Sakramentin e Rrëfimit, mësimi i Shën Liguorit mbetet thellësisht aktual.

Mos të harrojmë se Shenjti napolitan pati gjithnjë në qendër të vëmendjes lutjen, adhurimin eukaristik dhe devocionin për Zojën e Bekuar. E nuk duhet harruar edhe se është autor i fjalëve dhe i muzikës së himnit të Krishtlindjes “Ti ulesh prej Parrizit”, himn qё u pёrthye aq bukur nga dom Ndré Mjedja, që sot ka përvjetorin e vdekjes. Shenjti rregultar redentorist mbetet një shembull edhe për besimtarët e kohëve tona.

Shën Alfons Maria de’ Liguori është shembull i bariut të zellshëm. Fitoi shumë shpirtra, duke predikuar Ungjillin e duke mbarështuar Sakramentet, përplot me mirësi, butësi, ëmbëlsi, që buronte nga lidhja e tij e thellë me Zotin, Mirësinë e pambaruar. E pa realitetin me sy optimist, i bindur se burimet e mirësisë, që Zoti i dhuron çdo njeriu, nuk shterojnë kurrë e duke e dashur Zotin me gjithë mend e me gjithë zemër.

01 gusht 2024, 12:40