Më 14 gusht kalendari kujton Shën Maksimilianin Kolbe, meshtar e martir
R.SH. - Vatikan
Me 14 gusht Kisha katolike përkujton festën e Shën Maksilimianit Kolbe, meshtar heroik e martir. Më 10 tetor 1982, kur po e shpallte Maksimilian Kolben Shenjt, Papa Gjon Pali II skaliti, me pak fjalë, një portret të paharrueshëm të Fratit të thjeshtë. “E flijoi jetën për dashurinë, duke ngadhënjyer, kështu, mbi gjithë sistemin e përbuzjes dhe të urrejtjes për njeriun”.
Maksimilian Maria Kolb na kujton se forca e dashurisë mposht çdo dhunë. Nuk ka errësirë që shpresa e krishterë nuk mund ta ndriçojë, madje as humnerën e gërmuar nga një ideologji e bazuar në urrejtje, racizëm dhe shfarosje si metodë. Shën Maksimilian Maria Kolbe na kujton sot se Ungjilli e mposht çdo dhunë me fuqinë e dashurisë. Për këtë ai u sakrifikua për të shpëtuar një babai krye familjar. Fjalët e fundit të Shën Maksimilian Maria Kolbe, "Të falemi Mari", shpallin një të vërtetë që asnjë i krishterë nuk duhet ta harrojë: Zoti ia ofroi veten e Tij njerëzimit dhe mundi vdekjen duke na ftuar të jetojmë jetën tonë si një dhuratë të vetme të madhe.
Shën Maksilimian Kolbe mes tjerash pati shkruar: “Vetëm dashuria krijon e ndërton”: një sfidë e një trashëgimi për të ardhmen e botës. Maksimiliani Kolbe lindi më 7 janar të vitit 1894 në Zdunksa-Wola në Poloni; emri i tij që mori në pagëzim ishte Raimond. Më 1939, kur gjermanët e pushtuan Poloninë, Kolbe vijonte të jetonte në kuvendin e vet të Fretërve të Vegjël Konventual.
Mbajti menjëherë qëndrim të prerë e të hapur kundra nacionalsocialistëve. Kështu, Maksilimilani u bë njeri i padëshirueshëm, prandaj nazistët e internuan në kampin e tmerrshëm të shfarosjes në Aushvic. Ishte muaji shkurt i vitit 1941. Që nga kjo ditë ai nuk ishte më as Raimondi e as Atë Maksimiliani, por numri 16.670.
Aty nga fundi i korrikut të vitit 1941, derisa njëri nga të internuarit dënohej me vdekje, Atë Maksimiliani Kolbe u tregua u gatshëm të zinte vendin e të dënuarit për vdekje. Fali jetën e vet, për të shpëtuar një tjetër jetë. Pas dy javë vuajtjesh të tmerrshme, ai shtrinte krahun për gjilpërën me acid fenik, derisa buzët shqiptonin për herë të fundit mbi tokë: “Të falem Mari!”. Ishte Nata e Zojës së Bekuar të Ngjitur në Qiell e ai nuk i kishte mbushur ende 47 vjet. Vdiste me bindjen: “Vetë, dashuria krijon e ndërton”, që e shoqëroi gjithë jetën.
I mbyllur në paradhomën e vdekjes natën e festës së të Ngjiturit të Zojës në Qiell, i inkurajoi nëntë të dënuarit e tjerë ta prisnin fundin duke u lutur e duke kënduar këngë kushtuar Zojës. Pas dy javë agonie, u mbyt pikërisht natën e Festës së Marisë së Ngjitur në Qiell, me një injeksion acidi fenik. Para se të vdiste, i rrethuar nga xhelatët e tij që zgërdhiheshin përqark, atë Kolbe pëshpëriti, me frymën e fundit, fjalët: “Urrejtja nuk i duhet askujt! Mbyt! Vetëm dashuria krijon!”. Shoqëruar me një Të falemi Mari, e fundmja e shtegtimit të tij mbi këtë tokë që, ndërmjet shumë krimesh të llahtarshme, e pa edhe atë të vdekur, krejt pa faj, duke dhuruar, si Krishti, jetën, për një njeri tjetër.
Themelues i Ushtrisë së Zojës së Papërlyer, lëvizje kishtare e apostullimit marian, Atë Maksimiliani Kolbe qe shpallur i lum nga Papa Pali XVI më 17 tetor të vitit 1979, ndërsa 11 vjet më vonë, më 10 tetor 1982, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Gjon Pali II e shpalli Shenjt e Martir të Kishës. Me martirizimin e vet, Ai ka sjell “fitoren përmes dashurisë e fesë, në një vend ndërtuar për mohimin e fesë në Zotin e në njeriun” – pati thënë Papa Wojtila për këtë dëshmitar që me dritën e pashkëve e shndriti botën e tmerrshme të kampeve të përqendrimit.