Kërko

Më 16 gusht kalendari kujton Shën Rrokun, shtegtar

Shën Rroku është një nga shenjtërit më popullorë të Kishës katolike. Kulti i nderimit të tij nisi të përhapej në mënyrë të jashtëzakonshme në Evropë në fillim të shekullit XV.

R.SH. - Vatikan

Më 16 gusht kalendari kishtar përkujton Shëna Rrokun, shtegtar e mrekullibërës. Shën Rroku është një nga shenjtërit më popullorë të Kishës katolike. Kulti i nderimit të tij nisi të përhapej në mënyrë të jashtëzakonshme në Evropë në fillim të shekullit XV.

Në këtë kohë Kontinenti i Vjetër rënkonte nën peshën e tmerrshme të sëmundjes së murtajës. E te shën Rroku, ndërmjetësues pranë Zotit për ata njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje e në përgjithësi nga plagët e ndryshme, Evropa e asaj kohe gjeti shpëtimtarin e vet,

Jetëshkrimi i shën Rroku, shtegtar, është plot me ngjarje legjendare. Lindi në Montpellier të Francës, ndërmjet viteve 1345 e 1350 e vdiq shumë i ri jo mase 32 vjeç në Voghera ndërmjet vitit 1376 e 1379. Pasi shpërndau të gjitha pasuritë ndërmjet të varfërve të qytetit (Montpellier), u nis për shtegtim drejt Romës. Gjatë rrugës mbeti i tronditur nga shkretimi që kishte shkaktuar murtaja.

Urtia njerëzore i thërriste që të largohej me vrap nga ajri i molepsur i Italisë. Po samaritani i mirë nuk u frikësua nga sëmundja vdekjeprurëse. Kështu shën Rroku vendosi t’u shërbente të sëmurëve në lazaretet vendase. E aty me ndihmën e Hirit të Zotit kreu shërimet e para të mrekullueshme.

U nis për Romë, duke u ndalur vazhdimisht kudo që ndizej një vatër e re e sëmundjes. Veproi kështu në Cezena e pastaj në Romë. Këti shëroi një kardinal, i cili pastaj e paraqiti te Papa. Edhe në Romë, shën Rroku u bë i përmendur për vepra të dashurisë së krishterë. Nga Roma u nis për në Italinë veriore, duke kaluar nga Rimini, Novara e Piacenza.

Në Piacenza u prek nga sëmundja. Lunga e tmerrshme plot qelb që iu hap në njërën këmbë, e pengoi të vazhdonte veprimtarinë e vet në ndihmë të të sëmurëve nga murtaja. U largua nga qyteti, në drejtim të brigjeve të Lumit Po, në kërkim të një vendi të shkretë, për të vdekur në vetmi, pa iu bërë barrë askujt.

Në ikonografi, Shën Rroku paraqitet shpesh i veshur si shtegtar, me një qen që i rri pranë. Qeni mban në gojë një bukë...Paraqitet kështu, sepse në kohën e sëmundjes, shën Rroku jetoi i izoluar në një kasollë në brigje të lumit. U ushqye me bukën që i sillte çdo ditë një qen rrugësh e shoi etjen me ujin e një gurre që shpërtheu mrekullisht nga toka pranë vendit ku ngrihej kasollja vetmitare.

Në këtë strehim e gjeti patrici Gottardo Pallastrelli, i cili e mori në shtëpinë e vet, ku u kujdes për të deri sa u shërua plotësisht.

Shën Rroku i shëruar u largua nga Piacenza. Vazhdoi shtegtimin drejt veriut, por, si arriti pranë “Liqenit të Madh (Il Lago Maggiore), e ngatërruan bagimisht me një spiun i cili kërkohej nga policia dhe e flakën në burg, ku vuajti për pesë vjet rresht e ku edhe vdiq i harruar nga të gjithë. U shpall shenjt ndërmjet viteve 1414-1418- Reliket e tij ruhen në Venedik.

Për nder të tij ngrihen kudo nëpër botë spitale, kuvende, kapela e Kisha. Shën Rroku është posaçërisht i nderuar në Shqipërinë e Veriut e në Kosovë, ku shumë besimtarë mbajnë emrin e tij. Është pajtori qiellor i fshatit të peshkatarëve, Shirokës, buzë Liqenit të Shkodrës, ku organizohet procesioni tradicional me këngë të përshpirtshme rreth e qark Kishës së re. Një Kishë tjetër kushtuar Shëna Rrokut ndodhet në Kosovë, në fshatin Novoselë të Gjakovës, ku gjithashtu sot kremtohet solemnisht e me përshpirtëri festa e Pajtorit Qiellor të këtij fshati të bukur.

Kanga e Shëna Rrokut

Leu në Francë për mrekulli
Rroku mbushë me hir t’Tenzot
ta ndigiojmë kët rixhaxhi
që pajtuer na doli sot.

Refreni
Amanet Shenjti Shna Rrok
lutju ti të Madhit Zot
që t’dikojë mëshirë mbi ne
e t’na mbajë me shejten Fé.

S’kje ipeshkëv as meshtár
por me zell e fort e fort,
ai që kje veç shekullár,
desht mbi tana të madhin Zot.

Refreni...

E pat fisin ai zotëni,
por me kenun me Tenzonë
s’deshti plang as deshti shpi
kushtoi vedin përgjithmonë.

Refreni...

Duel prej Francet fukara
e u nis për me shkue në Romë
Bani rrugën veç tuej kja
tuej menduemun për Tenzonë

Refreni...

I Madhi Zot gjuejti me rrëfé,
çoi murtajën në dhé të vet
Rroku, mbushë me shejtën Fé
gjithkend mbushte me gajret

Refreni...

Bani vedin krejt kurban
për me dekun për vllazní
i kërkoi Tenzot derman,
që ta hiqte këtë mëni.

Refreni...

E çoi dorën me virtyt
për me hjekë at kastigim,
e me forcë të Shêjtes Krygjë
e libroi gjith’ at’ kshtenim…

Refreni...

Kush ta ndjekë me devocion
ta ndigiojë njiket’ premtim
Shejti doret nuk e l’shon
në lëngatë as në lëngim.

Kanga këndohet në fshatin e Shirokës, pranë Shkodrës, gjatë procesionit të festës së Pajtorit

 

16 gusht 2024, 11:25