Më 18 gusht kalendari kujton Shën Florin e Laurin, martirë nga Ulpiana e Dardanisë
R.SH. - Vatikan
Më 18 gusht, Kisha katolike romake përkujton dy shenjtorë, që derdhën gjakun për Jezu Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin dhe Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës, në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme, në afërsi të Prishtinës.
Dy vëllezërit, Flori e Lauri, ishin gurgdhendës të njohur e të vlerësuar nga autoritetet e kohës së perandorit romak Adrianit (117-138). Qenë nxënës të Prokolit e të Maksimos, martirë. Pas vdekjes së këtyre për shkak të fesë në Krishtin, Flori e Lauri nga Bizanti u transferuan në Iliri, në qytetin Ulpiana, në krahinën e Dardanisë, ku punuan në minierën gurore Pretoriane të Perandorisë Romake, për llogari të Likonit guvernator. Krahas punës së tyre e përkujdesimit për të varfrit, i luteshin pandërprerje Jezusit Zot, duke mohuar e refuzuar kultin e idhujve që obligonin perandorët romakë.
Për shkak të dëshmisë së fesë së tyre në Krishtin, predikimit të ungjillit e përhapjes së fesë së krishterë, Flori e Lauri u arrestuan, u burgosen, u torturuan e më vonë, me urdhër të guvernatorit të krahinës së Dardanisë, prokonsullit Likone, i groposën për së gjalli.
Menjëherë pas martirizimit të tyre, besimtarët e krishterë, të kohës shkonin tek vendi i varrit të tyre për t’iu lutur Zotit dhe me ndërmjetësimin e shën Florit e Laurit kërkonin hire e bekime Hyjnore. Kulti në nderim të tyre u përhapë shumë shpjet në të gjitha Kishat lindore, e jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, u përhapën ndër besimtarë, aq sa u bënë shembuj të jetës së përsosur të krishterë.
Shën Flori e Lauri jetuan në një botë pagane, e janë shembull për ne, pse ata nuk e flijuan fenë e tyre për të arritur suksese materiale e poste të rëndësishme në shoqëri. Flijuan gjithçka e përballuan gjithfarë persekutimesh, shpifjesh, torturash, deri në flijimin e jetës, për të arritur të mirën e vetme që është Jezu Krishti. Prandaj, shembulli i tyre është mësim e nxitje edhe për ne sot, që t’i përmbahemi vlerave të vërteta, njerëzore e shpirtërore.
Në jetën e tyre të përditshme, Shën Flor e Lauri ditën ta mishëronin e ta dëshmonin idealin e drejtësisë e të lirisë, të solidaritetit e të mirëkuptimit, të besimit e të bindjes ndaj Zotit, të shërbimit e të vëllazërimit ndaj të afërmit. Që shembulli i këtyre dy martirëve të mos humbet, madje që jeta dhe dëshmia e tyre të ringjallen e të kthehen në kujtesën e besimtarëve të krishterë e të vëllezërve të tyre në gjak, në vitin 1989-1990 në fshatin Grazhdanik, afër Prizrenit, është ndërtuar një Kishë e vogël, kushtuar pikërisht këtyre dy martirëve të Ulpianës, Florit e Laurit. Kjo nismë e vepër u ideua e realizua nga prifti famullitar i Kishës Katedrale të Prizrenit, mons. Nikollë Mini. I përjetshëm qoftë kujtimi tij.