Më 19 gusht kalendari kujton Shën Gjonin Eudes

Shën Gjoni Eudes, meshtar, themelues i Eudistëve, është apostulli më i zjarrtë i kultit liturgjik të Zemrës së Krishtit e të Zojës së Bekuar.. Për të kulti i Zemrave të Shenjta është kulti i njeriut, duke pasur parasysh se që aty buron dinjiteti e shenjtëria njerëzore.

R.SH. - Vatikan

Më 19 gusht kalendari kujton Shën Gjonin Eudes, meshtar dëshmitar i Zotit që bëhet i afërt pranë çdo personi.

I lindur në Normandi në vitin 1601, Gjon Eudes de Mezerej, bir i një familjeje fisnike normane, vdiq në vitin 1680. Si u bë veprimtar e i devoçëm i Virgjërës Mari, hyri në Kongregatën e oratorit, krijuar në vitin 1611 nga meshtari e kardinali i ardhshëm Pjetër de Beryl , për të përgatitur predikatarë të mirë. Në vitin 1625 u shugurua meshtar e u dërgua në Kolegjin e Jezuitëve në Kaen, në Normandi. Sapo arriti, këtu u përhap epidemia e kolerës e ai u vu në shërbim të të sëmurëve aq, sa deri të vetët e izoluan nga frika se mund t’u ngjiste sëmundjen e tmerrshme vdekjeprurëse.

Krejt i vetmuar në veprimtarinë e tij, flinte në një kullë sane, derisa e mori edhe ai vetë sëmundjen. Shpëtoi gjallë e, pas zhdukjes së epidemisë, rifilloi misionin në gjirin e popullit, duke iu kushtuar krejtësisht misioneve famullitare. I bindur se figura e meshtarit ka rëndësi të jashtëzakonshme për jetën e njerëzve, ia doli mbanësh të themelonte një seminar, hap i parë drejt krijimit të ‘Kongregatës së Krishtit e të Zojës’.

Shën Gjon Eudes është apostulli më i zjarrtë i kultit liturgjik të Zemrës së Krishtit e të Zojës së Bekuar. Në vitin 1641 themeloi dy kongregata rregulltare, një mashkullore e një femërore, kushtuar Zemrave të Shenjta të Krishtit e të Zojës. Për të kulti i Zemrave të Shenjta është kulti i njeriut, duke pasur parasysh se që aty buron dinjiteti e shenjtëria njerëzore. Themeloi, më pas, edhe një strehë për t’i hequr vajzat nga rruga e një Kongregatë rregulltare, për t’i ndihmuar të rikthehen në jetë, urdhrin e “Zojës Përdëllyese të Strehimit’.
Shkroi shumë vepra, ndërmjet të cilave më e njohura e më e lexuara është “Zemra e admirueshme e Nënës së Hyjit”.

Shën Gjoni Eudes: Të falem, Mari!

Të falem , Mari, bij e Hyjit Atë.
Të falemi, Mari, Nënë e Hyjit Bir.
Të falem, Mari, e fejuara e Hyjit Shpirt Shenjt.
Të falem, Mari, tempulli i tejet Shenjtenueshmës Trini.
Të falem, Mari, zambak i pastër I Trinisë shkëlqimtare.
Të falem, Mari, lule qiellore e dashurisë së patregueshme të Hyjit.
Të falem , Mari, virgjër e çiltër dhe e përkorë, prej të cilës
deshi të lindej dhe të rritej përgjimi Mbreti qiellor.
Të falem, Mari, Virgjër e virgjërave.
Të falem, Mari, Mbretëresha e martirëve, zemra e të cilës
qe shporuar me shpatë.
Të falem, Mari, zonjë e bekuar, kujt iu dha çdo pushtet
në qiell e në tokë.
Të falem, Mari, mbretëresha dhe nëna ime, jeta ime, ëmbëlsia ime
dhe shpresa ime.
Të falem, Mari, Nënë e denjë e dashurisë.
Të falem, Mari, Nëne admiruese.
Të falem, Mari, Nënë e dashurisë hyjnore.
Të falem, Mari, e papërlyer, e lindur e pamëkatë.
Të falem, Mari, përplot hir, Zoti është me ty.
Ti je e bekuar mbi të gjitha gratë e I bekuar është fryti I
kraharorit tënd, Jezusi.
Qoftë bekuar fati yt, Shën Jozefi.
Qoftë bekuar ati yt, Shën Joakim.
Qoftë bekuar nëna jote, Shën Ana.
Qoftë bekuar roja jote, Shën Gjoni.
Qoftë bekuar engjëlli yt, Shën Gabrieli.
Lavdi Hyjit At që të zgjodhi.
Lavdi Hyjit Bir që të deshi.
Lavdi Hyjit Shpirt Shenjt që të mbulojë.
Virgjëra lavdishme Mari, mund të të duam
Dhe të lavdërojmë të gjithë popujt.
Mari Nënë e Hyjit, lutu për ne dhe na jep bekimin tënd, tash e
Në fill të vdekjes sonë, në emër të Jezusit, Birit tënd hyjnor.

Kjo këngë lavdërimi, e ngjashme me litanitë, nga Shën Gjoni Eudes (+1640) Është një numër titujsh më shkëlqimdhënës të Virgjërës Mari. (15.08.2011)

 

19 gusht 2024, 09:49