Kërko

Më 21 gusht kalendari kujton Shën Piun X, Papë

Shën Piut X, Papë reformator që, me katekizmin e tij, e bëri doktrinën e fesë të kuptueshme për të gjithë besimtarët. Jetoi në një periudhë të trazuar historike. Liria dhe e vërteta janë udhë që na çojnë deri te paqja, mësonte shën Piu X. Katekizmi i Piut X në gjuhën shqipe u përkthye nga prifti kosovar, Mons. Nikollë Mini me titullin “Katekizmi vogël” e "Besimi katolik"

R.SH. - Vatikan

Më 21 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Piun X, Papë i madhshembulli i të cilit mbetet aktual edhe për barinjtë dhe besimtarët e sotëm. Piu X qe një Papë që diti t’i kapte shumë mirë rreziqet që lidhen me modernitetin dhe brishtësinë e tij, por që deshi gjithashtu edhe të projektonte një Kishë më moderne: Shën Piu X ishte një bari dhe një mësues, shqetësimi i parë i të cilit ishte të mbronte profecinë e përmbajtur në Ungjill të paprekur. 

Ai mbahet mend për katekizmin e tij, i cili formoi shumë breza të krishterësh. Mori pjesë në organizimin e Kuries Romake, promovoi reformën liturgjike dhe hartimin e një Kodi të së Drejtës Kanonike të Kishës. Ai vdiq saktësisht një shekull më parë. Papnia e Shën Piut X la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kishës. U karakterizua nga përpjekja e dukshme për reformim, e përmbledhur në moton e tij: Instaurare omnia in Christo ; Ta përtërijmë gjithçka në Krishtin.

Shën Piu X, qe Papë reformator i cili, me katekizmin e tij, e bëri doktrinën e fesë së krishterë të kuptueshme për të gjithë besimtarët. Jetoi në një periudhë të trazuar historike. Liria dhe e vërteta janë udhë që na çojnë deri te paqja, mësonte shën Piu X. Qe Mbrojtës i fesë katolike e dëshmitar i shenjtërisë. Gjon Pali II, gjatë vizitës në vendlindjen e tij, e kujtoi kështu: ‘Luftoi e vuajti për lirinë e Kishës, e për këtë liri qe gati të flijojë privilegje e nderime, të përballojë keqkuptime e grindje, sepse këtë liri e vlerësonte si garanci të domosdoshme për tërësinë dhe koherencën në fe “ (Mësimet e Gjon Palit II, VIII, 1, 1985, pg.1818).

I lindur në provincën e Treviz-os, në vitin 1835, bir i një familjeje fshatare, Gjuzepe Sarto u shugurua meshtar në moshën 23 vjeçare, duke u bërë, shumë shpejt, shembull i dashurisë së thellë për Krishtin e Kishën e tij, i përvujtërisë e i thjeshtësisë e, sidomos, i dashurisë së pafundme për nevojtarët, karakteristika themelore, këto, të të gjithë jetës së tij. Në vitin 1884 u emërua ipeshkëv i Mantovës, ndërsa më 1893, Patrik i Venedikut.
Më 4 gusht 1903 u zgjodh Papë, detyrë të cilën e pranoi jo pa ngurrim, duke menduar se ishte i padenjë për një mision kaq të lartë. Por në të vërtetë nuk ishte kështu: papnia e Shën Piut X la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kishës. U karakterizua nga përpjekja e dukshme për reformim, e përmbledhur në moton e tij: “Instaurare omnia in Christo; Të përtërijmë gjithçka në Krishtin”.

Të panumërta, nismat e Papës Piut X: riorganizimi i Kuries Romake, fillimi i punës për hartimin e Kodit të së Drejtës Kanonike kishtare; rishikimi i studimeve dhe i punës për përgatitjen e meshtarëve të ardhshëm përmes themelimit të një sërë seminaresh zonale. E pati shumë për zemër përgatitjen doktrinore të popullit të Zotit, prandaj, që në vitet kur ishte prift famullitar, Gjuzepe Sarto hartoi një katekizëm, ndërsa gjatë kohës kur ishte ipeshkëv në Mantovë, punoi që të arrihej në përgatitjen e një katekizmi të vetëm, në se jo universal, së paku italian. Si bari i vërtetë, e pati kuptuar se në situatën e kohës së tij, edhe për shkak të fenomenit të emigrimit, ishte tejet i nevojshëm një katekizëm mbi doktrinën e krishterë, të cilin mund ta përdorte çdo besimtar, pavarësisht nga vendi ku jetonte e nga rrethanat e jetës.

Kur u bë Papë, përgatiti një tekst të doktrinës së krishterë për dioqezën e Romës, që më pas u përhap në të gjithë Italinë e në mbarë botën. Katekizmi i tij, i njohur si i ‘Piut X’, qe shumë vjet me radhë udhëheqës i sigurt për të gjithë ata, që dëshironin të njihnin të vërtetat e fesë së krishterë. E kjo, edhe falë gjuhës së thjeshtë, të qartë e të saktë si dhe aftësisë për t’i shprehur kuptueshëm mësimet e mendimet . Në gjuhën shqipe Katekizmi i Papës Piut X u përkthye nga prifti kosovar, famullitar i Prizrenit, dom Nikollë Mini me titullin “Katekizmi vogël” e "Besimi katolik".

Vëmendje të veçantë i kushtoi edhe reformimit të liturgjisë, posaçërisht muzikës kishtare. U përpoq, kështu, t’u krijonte besimtarëve kushtet e përshtatshme për të marrë pjesë plot me devocion në lutje dhe në kremtimin e sakramenteve. Ai pohon se shpirti i vërtetë i krishterë e ka burimin e tij të parë e të domosdoshëm, në pjesëmarrjen aktive ndër misteret shenjte si dhe në lutjen publike e solemne të Kishës. Prandaj i porositi besimtarët t’u afrohen sa më shpesh sakramenteve, Kungimit shenjt të përditshëm, sidomos, pas një rrëfimi të mirë, si edhe t’i përgatisin bijtë për Kungimin e parë rreth moshës shtatë vjeçare, kur fëmija nis të arsyetojë.

Besnik ndaj detyrës për t’i përforcuar vëllezërit në fe, përballë disa prirjeve, që u shfaqen në fushën teologjike në fund të shekullit XIX e në fillim të të XX-it, Shën Piu X ndërhyri me vendosmëri, duke dënuar, pa mëdyshje, ‘modernizmin”, për t’i mbrojtur besimtarët nga konceptime të gabuara e për të nxitur thellimin shkencor të Zbulesës, në përkim të plotë me traditën e Kishës. Në vitin 1909 themeloi Institutin Papnor Biblik.

Në sa Papa reformator numëronte ditët e fundit të jetës, bota nisi të vringëllonte armët, duke i hapur rrugën shpërthimit të Luftës I Botërore. Thirrja drejtuar katolikëve të botës, më 2 gusht 1914, përplot me dhimbje të thellë për atë që po ndodhte, ishte britmë e thekshme e një ati, i cili i shikon bijtë duke ia kërcëlluar dhëmbët njëri-tjetrit. Vdiq pak ditë më vonë, më 20 gusht 1914, e fama e shenjtërisë së tij nisi të përhapej menjëherë në gjirin e popullit të krishterë.

Shën Piu X Papë na mëson të gjithëve se në bazë të veprimtarisë sonë apostolike, sipas fushave të ndryshme në të cilat veprojmë, duhet të jetë lidhja sa më e thellë personale me Krishtin, që duhet kujdesuar e duhet rritur ditë për ditë: kjo është bërthama e gjithë mësimit dhe impenjimit të tij baritor. Vetëm të dashuruar me Zotin, mund të bëhemi të aftë t’i çojmë njerëzit tek Hyji e t’i mësojmë t’ia hapin zemrat dashurisë së tij përdëllyese, duke ia hapur, kështu, mëshirës hyjnore, edhe dyert e botës.

21 gusht 2024, 10:18