Donne afghane  (ANSA) Donne afghane (ANSA)

Afganistan, ngreje zërin për ata që nuk kanë më zë!

Talebanët i ndalojnë gratë të flasin dhe të këndojnë në publik. Ky është një tjetër vendim i qeverisë së Kabulit, që shkel të drejtat themelore të grave afgane, pikërisht tre vjet pas tërheqjes së trupave amerikane nga vendi aziatik.

R.SH. / Vatikan

Përfytyroni të dilni nga shtëpia në mëngjes dhe, duke shkuar për në punë, të dëgjoni vetëm tingujt e zërave mashkullorë në rrugë. Përvoja është edhe më unike sepse takon femra, siç ka ndodhur një ditë më parë, por asnjëra prej tyre nuk flet. Shumë-shumë pëshpërit. Më pas përfytyrojeni veten duke kaluar nëpër një park, ku një nënë tund fëmijën e saj për ta vënë në gjumë. E tund në heshtje, pa i kënduar një ninullë, si mëngjesin e mëparshëm. Dhe si do të ndodhte kudo në botë.

Ky skenar i denjë për një film distopian apo një histori orwelliane, po ndodh me të vërtetë në Afganistan ku, përmes një ligji, talebanët kanë vendosur, brenda natës, që jo vetëm fytyrat dhe trupat e grave të mos kenë më "të drejtën e nënshtetësisë" në shoqëri, por as zëri i tyre. Gra pa zë. Gra pa fytyrë. Gra pa këngë djepi. Gra të zhdukura nën veshjet e zeza, që i mbështjellin si të ishin thasë, jo njerëz…

Lajmi u mor nga mediat ndërkombëtare, por fatkeqësisht nuk pati pasqyrimin e merituar dhe - deri më sot - nuk shkatoi protesta e lëvizje masive të bujshme siç ndodh, me të drejtë, për shumë çështje të tjera, edhe për beteja civile. Megjithatë, të gjithë duhet të tronditemi dhe të indinjohemi përballë një vendimi të tillë, sepse gjymtimi i zërit të një gruaje është akt dhune të pazakontë, që nuk mund të mos e dëmtojë bashkësinë njerëzore në tërësi, përtej çdo përkatësie fetare, etnike apo kulturore.

Nëse jemi vërtet “anëtarë të njëri-tjetrit”, siç na e dëshmon dhe na e kujton çdo ditë Papa Françesku, atëherë nuk mund të qëndrojmë indiferentë, sepse ato vajza - vajza afgane - janë edhe tonat. Ndaj edhe ne duhet të ngremë zërin për ata, që tani nuk kanë më zë. Sepse e humbën! Vetëm më 31 gusht, 3 vjet më parë, trupat amerikane përfunduan me nxitim tërheqjen e tyre nga Afganistani dhe talebanët rifituan pushtetin. Që atëherë, për gratë e vendit aziatik nisi një makth, që duket se nuk ka fund, por që, në të njëjtën kohë, ishte absolutisht i parashikueshëm: së pari përjashtimi i vajzave mbi 12 vjeç nga shkolla (çfarë mund të ishte më e neveritshme se t’i rrëmbesh të ardhmen një brezi?), pastaj zhveshja progresive e të gjitha të drejtave të tyre themelore. E tani, edhe anulimi i zërit në publik.

Në një sistem mediatik të shpërqendruar ndonjëherë nga lajmet që kërkojnë kohën e tyre, të gjithë duhet të kujtojmë se ka miliona gra të cilave u është ndaluar të flasin, u është ndaluar të këndojnë.

Gra pa zë! Gra, të cilave që në vitin 2024 u është shuar zëri e, bashkë me të, edhe shpresa për të jetuar një jetë më të mirë, në një botë më të mirë.

Alessandro Gisotti, Vatican News

29 gusht 2024, 15:43