Viti më i nxehtë Viti më i nxehtë  (ANSA)

Copernikus: 2024-a do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar

Një studim i Shërbimit Evropian të Ndryshimeve Klimatike e përcakton periudhën aktuale si periudha më përvëluese që është përballuar ndonjëherë. Korriku ishte muaji më i nxehtë pas atij të vitit 2023. Andrea Masullo, drejtor shkencor i Shoqatës "Green Accord", pohon: "Do të jetë e vështirë të ndalemi nën pragun e 2°C, por gjithçka është në duart tona"

R. SH. - Vatikan

Raporti i agjencisë evropiane Copernicus e mbulon vapën, që tani ndihet çdo ditë, me maskën e shkencës, duke i kujtuar botës situatën shqetësuese drejt së cilës po shkojmë. Sipas dosjes, korriku 2024 ishte muaji i dytë më i ngrohtë në botë, me një temperaturë mesatare të ajrit sipërfaqësor prej 16,91°C, 0,68°C mbi mesataren e korrikut 1991-2020 dhe vetëm 0,04°C më e ulët se maksimalja e mëparshme e korrikut 2023. Me gjithë këtë rënie të lehtë, 22 dhe 23 korriku ishin ditët më të nxehta në histori, ndërkohë që çdo muaj jemi dëshmitarë të rritjes së parametrave klimatikë. Drejtori shkencor i Green Accord, Andrea Masullo, shpjegon se "përtej statistikave, ne po jetojmë një situatë mujore rekord, që vë në pah një gjë: inercinë e sistemit klimatik. Kjo është arsyeja pse shumë vende ndodhen përballë reduktimit të emetimeve, gjë që nuk mjafton. Ka akumulim të gjithçkaje që është bërë vitet e fundit, me mekanizma që ushqehen vetë. E, në këtë mënyrë, po përballemi me pasoja kritike”.

Trashëgimia e marrëveshjeve të Parisit

Sipas raportit, ky korrik arriti në 1.48°C mbi temperaturën mesatare të muajit në periudhën para-industriale. Në mënyrë paradoksale, muaji i verës përfundoi një periudhë trembëdhjetë mujore, në të cilën termometri ishte 1.5°C mbi mesataren për atë periudhë, brezi më i gjatë ndonjëherë. 1.5°C, megjithatë, nuk është numër i rastësishëm: në vitin 2015, në Paris, 194 shtete nënshkruan marrëveshje për kontrollin e klimës, me qëllim kufizimin e temperaturës mesatare për të shmangur katastrofën. Pothuajse 10 vjet pas asaj ngjarjeje, marrëveshjet tashmë duken pjesë e një historie të kaluar. "Probabiliteti për të mbetur nën pragun e Parisit është zero - vazhdon Masullo – ndaj do të jetë e vështirë të qëndrosh nën 2°C, pasi tani po fillojmë një proces që do të çojë në një ndryshim të temperaturës deri në 5°C në disa zona të planetit”.

Çështja e zgjedhjeve dhe e përgjegjësisë

Dëshira për një të ardhme më të mirë duket se po shuhet edhe nga zemrat e të rinjve. Për Andrea Masullo, megjithatë, "asgjë e largët nuk do të ishte vërtet e papranueshme". Modelet thonë diçka shumë të qartë: emetimet e CO2 varen nga njeriu, dhe për këtë arsye, kemi mundësi të veprojmë”. Duke mos mundur ta bëjmë gjithçka siç ishte më parë, të paktën "mund t'u lëmë brezave të ardhshëm një botë që mund të përballohet, me ndryshime të zbutura - përfundon Masullo - e shpresa nuk mungon, nuk vdes! Siç ka thënë Papa Françesku shumë herë, ne jemi një familje e vetme, në një shtëpi të vetme: kjo e vërtetë nuk është e qartë për të gjithë!

09 gusht 2024, 16:42