Dhjetë vjet më parë, ikja e të krishterëve nga Rrafshi i Ninives

Një natë gushti, 120.000 të krishterë u detyruan të linin shtëpitë e tyre në Irakun verior, për shkak të përparimit të xhihadistëve. Patriarku kaldeas, për agjencinë Fides: "ISIS u mund, por ideologjia mbetet e fortë. Vetëm 60% e atyre që ikën janë kthyer. Është në rrezik një nga pranitë më të vjetra të krishtera në botë"

R. SH. - Vatikan

“Tragjedi kolektive, kundër të krishterëve dhe pakicave të tjera! Mbetet ende e ngulitur në mendje. Është e vërtetë, ISIS u mund, por ideologjia e tij mbetet, madje e fortë, dhe jo vetëm në Irak”. Këtë nënvizon kardinali Louis Raphaël Sako, patriark i Kaldeasve të Bagdadit, i cili kujton në Agencinë Fides, dhjetë vjetorin e dëbimit të krishterëve prej fushës së Ninives nga xhihadistët e Shtetit Islamik, që përpiqeshin me të gjitha mënyrat për të krijuar kalifatin, në kufirin ndërmjet Irakut dhe Sirisë. Njëqind e njëzet mijë të krishterë u detyruan të braktisin shtëpitë dhe gjënë e tyre natën ndërmjet 6 dhe 7 gushtit 2014. Ndërmjet tyre – kujton me keqardhje të thellë Kardinali - vetëm 60% janë kthyer - rreth tridhjetë familje, shpesh të paplota dhe me anëtarë shumë të moshuar - duke vënë kështu në rrezik, një nga pranitë më të vjetra të krishtera në botë.

Arratisja në Kurdistanin  irakian

Që nga fundi i qershorit, rreth 1200 familje të krishtera që kishin ikur nga Mosuli, një nga qytetet e para të Irakut rënë nën kontrollin e Shtetit Islamik, mbërritën në fshatrat e Rrafshit, si Kramles dhe Tilkif. Dyert e shtëpive të tyre, si në kohët e para të krishterimit, qenë shënuar me shkronjën "N": Nazaren! Të vetmet mundësi për të shpëtuar nga mohimi i fesë së të parëve ishin ikja ose vdekja. Shumica zgjodhën ikjen! U larguan në Kurdistanin e Irakut pas një pritjeje të gjatë: e sot të krishterët përbëjnë 7% të 600,000 njerëzve të zhvendosur në veri të vendit, shumica në rrethin e Erbilit.

Qytetarë,  me të drejta e detyra të barabarta

"Vlerësohet se rreth 100 familje të krishtera largohen çdo muaj nga Iraku - përsërit kardinali Sako. Ndër arsyet, përveç traumave të luftës, është edhe sektarizmi, që mbizotëron shpesh në vend, “gjendja shqetësuese aktuale në Lindjen e Mesme dhe frika nga lufta që mund të rikthehet me gjithë tërbimin e saj jo shumë të largët”. Në Irak - pohon Patriarku - “ne kemi nevojë për një shtet modern, demokratik, civil, të bazuar në shtetësi. Nuk mund të flasim më për shumicën, pakicën, të krishterët, hebrenjtë, shiitët, sunitët, jeziditë e kështu me radhë, por për qytetarë. Të gjithë jemi qytetarë, me të drejta dhe detyra të barabarta”.

Heksod i vazhdueshëm

Të krishterët e pranishëm në Irak, vetëm në Mosul, ishin më shumë se njëqind mijë në fillim të shekullit të 21-të: numër që u pakësua ndjeshëm pas rënies së regjimit të Sadam Huseinit, në vitin 2003, me përhapjen e dhunës sektare. Shumë emigruan, për t’u rikthyer më pas nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Australia. Mbi një milion të krishterë janë të ikur, e jo vetëm nga Iraku verior, por edhe nga qytete si Basra ku sot jetojnë 300 familje të krishtera, ndërsa 50 vjet më parë ishin pesë mijë.

07 gusht 2024, 16:20