22 Gushti Dita Ndërkombëtare në përkujtim të viktimave të dhunës së bazuar mbi fenë, themeluar nga OKB-ja

Në vitin 2019, me një rezolutë të miratuar në Asamblenë e 75-të të Përgjithshme, OKB-ja shpalli 22 Gushtin si "Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Akteve të Dhunës bazuar në Besimin Fetar". Papa flet për Ditën e OKB-së kushtuar njerëzve të dënuar për shkak të fesë së tyre dhe kërkon “t’i jepet fund përdorimit të feve për të nxitur mllefin e dhunën, ekstremizmin e fanatizmin e verbër”. Vëllazërimi e përjashton plotësisht dhunën dhe e shndërron ndjenjën fetare në vlerë.

R.SH. / Vatikan

Sot më 22 gusht bie Dita Ndërkombëtare në përkujtim të Viktimave të Dhunës së bazuar mbi Fenë. Në vitin 2019, me një rezolutë të miratuar gjatë Asamblesë së  75-të të Përgjithshme, OKB-ja shpalli 22 Gushtin si "Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Akteve të Dhunës bazuar në Besimin Fetar".

E drejta e lirisë fetare është e rrënjosur në dinjitetin e personit njerëzor si një qenie shpirtërore, relacionale dhe e hapur ndaj Zotit. Një e drejtë që edhe sot mjerisht nuk respektohet. Prandaj 22 gushti është një ditë për të promovuar pikërisht respektin ndaj lirisë së fesë dhe të besimit të çdo njeriu.

Krimet e urrejtjes kundër të krishterëve në Evropë u rritën me 44%.

Në këtë ditë të 22 gushtit, sipas organizatës jofitimprurëse 'Porta të Hapura'/Open Doors, është "e pamundur të mos edhe përmendet rritja e dhunës kundër të krishterëve", ushtruar në shumë vende të botës, ku ata janë pakicë. Sipas një raporti të Qendrës Kërkimore Pew në SHBA, të krishterët janë bashkësia fetare më e persekutuar në botë, për shkak të besimit. Po persekutimet nga urrejtja kundër të krishterëve janë rritur edhe në Evropë me 44%. Kështu raporton Observatori për intolerancën dhe diskriminimin ndaj të krishterëve në Evropë (Oidac Europe) në raportin e tij të fundit vjetor. Të dhënat u botuan dje në një deklaratë në kuadrin e Ditës së sotme Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Akteve të Dhunës Bazuar në Fe ose Besim, e cila, sikur dihet, u themelua nga Kombet e Bashkuara në vitin 2019.

Dokumenti "Vëllazërisë Njerëzore"

Dita Ndërkombëtare në përkujtimin e Viktimave të dhunës së bazuar mbi fenë, na kujton menjëherësh edhe shkurtin e vitit 2019, kur Papa Françesku së bashku Shejhun e madh të Al-Az-harit, Shejh Ahmed al-Tajjib, nënshkruan në Abu Dabi Dokumentin e "Vëllazërisë Njerëzore" që i dha shkas Ditës së sotme të OKB-së. Dokument i “Vëllazërisë njerëzore” ka një vlerë të madhe, që Papa dhe Imami i Madh ia ofruan njerëzimit, si frymëzim universal për t’u afruar, për t’u kuptuar, për të besuar, për t’u kulturuar e për të punuar së bashku. Nëse jetohet vërtet, Vëllazërimi e përjashton plotësisht dhunën dhe e shndërron ndjenjën fetare në qëllim e vlerë. Ashtu si bëjnë e dëshmojnë në mbarë botën me miliona e miliona njerëz.

Feja nuk duhet manipuluar

Tema e Vëllazërisë Njerëzore është e shumëdashur nga Papa Françesku që, në platformën X për Ditën e sotme të OKB-së kushtuar përkujtimit të “viktimave të dhunës bazuar mbi fenë a besojmën”, ripohon me qartësi, duke përdorur fjalët e dokumentit të Abu Dabit: “Zotin nuk ka nevojë ta mbrojë askush e nuk dëshiron që Emri i Tij  të përdoret për t’i tmerruar njerëzit. U kërkojmë të gjithëve t’i japin fund manipulimit të feve për të ngjallur urrejtje, dhunë, ekstremizëm e fanatizëm të verbër”. Feja autentike në Zotin është gjithnjë përkrah paqes dhe miqësisë ndërmjet njerëzve.

22 gusht 2024, 10:21