il sacerdote poeta albanese don Ndré Mjedja il sacerdote poeta albanese don Ndré Mjedja

Dom Ndré Mjedja, në përvjetorin e vdekjes

Dom Ndré Mjedja, teologu, shkrimtari, gjuhëtari, deputeti e poeti shqiptar, ndërroi jetё si sot, më 1 gusht 1937

R.SH. – Vatikan

Mё 1 gusht, kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё meshtarit e poetit shqiptar, dom Ndré Mjedjёs, teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet, "mjeshtër i fjalës poetike" dhe "poet me një konceptim poetik të mirëfilltë, që solli risi në vargun e poezisë shqipe".

Lindi në Shkodër në një familje të varfër, të ardhur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në Atdhe, Ndré Mjedja u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Në vitin 1901, bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë "Agimi", e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. 

Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, dom Ndré Mjedja u zgjodh anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Në periudhën e Lëvizjes Demokratike Ndre Mjedaj mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si meshtar i thjeshtë në Kukël. Në vitet e fundit të jetës ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër, ku dhe ndërroi jetë në gusht të vitit 1937.

Veprimtarinë poetike Ndré Mjedja e nisi që herët. Poema romantike e njohur "Vaji i bylbylit" u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi. Vepra përmbyllet me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit "Juvenilja", Ndre Mjedja shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike "I tretuni", në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit, vjersha "Shtegtari", "Malli për atdhe", "Gjuha shqype", "Bashkonju" etj.

Ndré Mjedja hartoi edhe vepra poetike si "Liria", ku gjeti pasqyrim demokratizimi, që, bashkë me patriotizmin, përbën anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij.
Fazës së dytë të krijimtarisë së Ndré Mjedës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat "Scodra" dhe "Lissus", ku përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë dhe sidomos periudha e ilirëve. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedjës zënë vend edhe vjershat për fëmijë, disa shqipërime të goditura etj, ku tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.

Ndré Mjedja dha ndihmën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua edhe në gramatikë, leksikologji, filologji, duke dhënë ndihmesë të shquar në lëvrimin e gjuhës letrare. Ndré Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e imzot Pjetër Bogdanit dhe të imzot Pjetër Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV.

01 gusht 2024, 13:40