Etiopi: rrëmbimet për shpërblim, në rritje
R.SH. / Vatikan
Rrëmbimi për shpërblim është në rritje në disa rajone të Etiopisë. Autorët janë banda kriminale si dhe lëvizje guerile, që i përdorin paratë e shpërblesës për të financuar vetveten. Por rrëmbimet kanë edhe qëllim politik: të mbjellin frikë dhe mosbesim tek autoritetet, në gjirin e popullatës lokale. Në fillim të korrikut, rrëmbimi i rreth njëqind studentëve të universitetit, që udhëtonin nga rajoni i Amhara-s në Addis Abeba, të kapur nga disa guerrilas në Garba Guracha në zonën e Shoas Veriore, rreth 155 km larg kryeqytetit, në rajonin e Oromias, shkaktoi shumë sensacion.
Rrëmbyesit, të cilët duket se i përkisnin Ushtrisë Çlirimtare të Oromos (OLA, e njohur gjithashtu si Fronti Çlirimtar i Oromos, OLF Shene), përgjuan tre autobusë në të cilët udhëtonin studentët. Familjet e disa pengjeve kanë marrë kërkesa për shpërblim nga rrëmbyesit (nga 8000 deri në 17000 dollarë amerikanë), por deri tani pengjet nuk janë liruar. Shumica e rrëmbimeve janë regjistruar në Oromia, por rastet e rrëmbimeve janë në rritje në rajone të tjera të prekura nga lufta, veçanërisht në Tigray dhe Amhara. Rrëmbime ndërkufitare nga grupe jo të lidhura me OLA janë vërtetuar gjithashtu në disa pjesë të vendit. OLA hodhi poshtë akuzat për kryerjen e rrëmbimeve të reja, përmes një deklarate të postuar për të shpifur kundër kritikëve të saj.
Kjo deklaratë, përtej vërtetësisë së akuzave të përfshira, tregon se plaga e rrëmbimeve nuk është thjesht çështje kriminale, por edhe, e sidomos, çështje politike. Në të vërtetë, deri vonë, rrëmbimet ishin të rralla jashtë bastioneve të OLA-së në Orominë perëndimore. Sulmet zakonisht kishin në shënjestër oficerët e policisë, zyrtarët e qeverisë dhe të afërmit e tyre. Edhe objektivat ishin përgjithësisht politike, si rritja e paqëndrueshmërisë ose shfaqja e pranisë së gueriljeve në një zonë të caktuar. Por modus operandi apo mënyra e veprimit e OLA-s mund të ketë frymëzuar bandat kriminale që, muajt e fundit, u përfshinë në rrëmbime për shkaqe kryesisht ekonomike.
Paqëndrueshmëria dhe kushtet e pasigurta ekonomike, që prekin rajonet e Etiopisë të sapo dala nga konfliktet e fundit, të cilat nuk kanë përfunduar kurrë plotësisht (Tigray dhe Amhara), nxisin veprime kriminale, duke përfshirë edhe rrëmbimet. Rrëmbimet me zhvatje nuk kursejnë as punëtorët humanitarë, që punojnë për disa OJQ ndërkombëtare. Ky është rasti i Yared Malese, një punonjës i Organizatës së Veprimit për Zhvillimin Social dhe Mbrojtjen e Mjedisit (ASDEPO), i rrëmbyer dhe i vrarë më pas nga një grup i armatosur i paidentifikuar, që vepron në distriktin Dawunt, në zonën North Wollo, në rajonin Amhara. Por pas vrasjes së Malesit, në Etiopi u vranë edhe tetë punëtorë humanitarë, gjashtë në rajonin e Amhara-s. Në vitin 2024, u fol për 14 rrëmbime të veprimtarëve humanitarë, kryesisht në zonën e Gondarit Qendror dhe Verior - sipas njoftimeve të dhëna nga organet e OKB-së, që veprojnë në Etiopi. (Agenzia Fides 21/8/2024)