Masakër e re në Gaza, sulmi izraelit shkakton 100 të vdekur në një shkollë
R.SH. - Vatikan
Shkolla Al-Tabai'een, në sektorin Al-Sahaba, në qytetin e Gazës, ishte plot me palestinezë të zhvendosur, kur ushtria izraelite iu sul tri herë, për të dëbuar anëtarët e Hamasit, duke shkaktuar atë që mbrojtja civile lokale e quajti masakër mizore: të paktën 100 të vdekur, dhjetëra të plagosur. Hamasi e përkufizoi sulmin izraelit "shkallëzim i rrezikshëm".
Lindja e Mesme, Netanyahu gati të rifillojë bisedimet me Hamasin
Një tjetër masakër kjo, që sipas të gjitha gjasave, nuk do t’i favorizojë negociatat që po tentohen në mes të gushtit, për armëpushim në Rrip: takimin në Kajro me Izraelin, i cili njoftoi se do të dërgonte ndërmjetësit e tij lidhur me marrëveshjen për lirimin e pengjeve, ende në duart e Hamasit. Grupi islamik, nga ana e tij, kërkon lirimin e politikanit të shquar palestinez, Marwan Barghouti dhe liderëve të fraksioneve të tjera palestineze, një kërkesë e pranuar nga SHBA, Egjipti dhe Katari, gati për një marrëveshje urë.
Ndihma e re amerikane për Izraelin
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë zhbllokuar 3.5 miliardë të tjera ndihmë për Izraelin. Financimi, sipas transmetuesit CNN, synon blerjen e armëve dhe pajisjeve të avancuara amerikane. Izraeli nuk do t'i marrë armët menjëherë, por, shton CNN, fondet do të lejojnë prokurimin e sistemeve aktualisht në prodhim, me dorëzimet më të shpejta të mundshme nga rezervat ekzistuese të Pentagonit.